Orë pas shpalljes së kandidaturave socialiste për krerë bashkish, për Lokalet e 14 majit, në të cilat kryebashkiaku Gurma nuk do vijojë më tutje, zëvëndësuar nga emri i Oltion Çacit, vjen dhe reagimi i të skualifikuarit, njerit që drejtoi për katër vjet Sarandën
“Të dashur miq!
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PS është vendosur, që të mos vazhdoj garën si kandidaturë e socialistëve për zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Sarandës.
Duke uruar dhe besuar me gjithë zemër fitoren e kandidatit të përzgjedhur të Partisë Socialiste dhe duke siguruar mbështetje dhe angazhim pa kufij për triumfin e sigurtë në këto zgjedhje, dua të falenderoj nga zemra familjarët e mi, të cilët më kanë ndenjur gjithnjë pranë, të gjithë ata qytetarë që më kanë mbështetur në rrugëtimin tim këto vite, strukturat e partisë, që më kanë përkrahur kurdoherë dhe sidomos gjatë procesit të përzgjedhje së kandidatëve, si dhe drejtuesit e partisë dhe Kryetarin Edi Rama, për mundësinë që më dhanë të garoja dhe me pas të isha një nga 61 kryebashkiakët e vendit, anëtar i organeve drejtuese të partisë dhe më pas për mbështetjen pa kufi që më ofruan në realizimin e projekteve dhe punëve të mira për Sarandën tonë.
Ishte nder, privilegj dhe eksperiencë e pazakontë për mua të isha në nivele te tilla drejtuese, mundësi që t’i jep vetëm Partia Socialiste”, shkruan Gurma në reagimin e tij.
“Falenderim për të gjithë stafin dhe bashkëpunëtorët e mi, me të cilët punuam dhe u përpoqëm për një Sarandë më të mirë!”, vijon ai, por më pas rezervon dhe pak rreshta therrëse.
“Siguroj kritizerët, oponentët dhe kundërshtarët, që megjithëse janë munduar gjithë këto kohë të venë ‘shkopinj nën rrota’, sot më gjejnë më të fortë dhe me më shumë energji!
Jam shumë krenar për çfarë kemi bërë të gjithë së bashku,i keqardhur për cfarë nuk mundëm të realizonim në këto kohë sfidash të jashtëzakonshme dhe jo vetëm për fajin tonë.
Jam shpresëplotë se me fitoren e sigurtë të socialistëve në 14 maj, Saranda do të ecë akoma më tej në rrugën e zhvillimit!”, përfundon mesazhin e tij kryebashkiaku aktual i Sarandës. /sarandacity.al/