Shqipëria dhe Italia nënshkruan marrëvëveshjen për njohjen e pansioneve, gjë nga e cila llogaritet se do përfitojnë afro 500 mijë shqiptarë me punësim e banim te fqinji tej detit.
“I gëzofshi pensionet! Viva L’Albania, Viva L’Italia! Sot është një ditë e bukur për familjet shqiptare në Itali. Puna e tyre e ndershme, vitet e tyre të njëpasnjëshme në punë për të ndërtuar një ekonomi familjare me mund e me djersë, kontributi i tyre në ekonominë dhe në sigurimet shoqërore të vendit të dashur fqinj, nga sot do t’u kthehen në pensionet e tyre, secilit e secilës sipas asaj që u takon”, u shpreh kryeministri Rama në një mesazh video me këtë rast.
“Për mua”, tha ai, “është një nga ato ditë fatlume, kur ndjenja e të qenit i vlefshëm për njerëzit e këtij vendi bëhet shumë e prekshme dhe e barazon me zero të gjithë peshën e rëndë të baltës së arenës politike e mediatike. Kjo ishte një nga ato ditë kur them me plot gojën: hallall sharjet, akuzat, shpifjet, llafet e pafundme që nganjëherë bëhen aq shumë sa të vjen të thuash në dreq të gjitha! Po pastaj përpjekja vazhdon e vazhdon, me durim e me këmbëngulje për të parë ditë si kjo, kur mundi dhe mosdorëzimi përpara vështirësive, pengesave, vonesave, të cilat nganjëherë kthehen deri në zvarritje jashtë vullnetit tënd, shpërblehet me buzëqeshjen e familjeve që kanë pritur atë që meritojnë”.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe homologu i tij italian, Antonio Tajani.
“Një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kishte rreth 15 vite që prisnim këtë firmë që garanton të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri apo të punonjësve shqiptarë në Itali për pensionet. Mendoj se ky vendim i përbashkët i Tiranës dhe Romës, ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen”, tha ministri Tajani. /sarandacity.al/