Përfundimisht, Adrian Gurma, bluza e bardhë që qeverisi Sarandën nga 2019-ta, nuk do e vijojë më këtë pozicion në krye të qytetit të tij. Në vend të tij do jetë Olti Çaçi, një emër i diktuar nga i deleguari politik i Qarkut, Blendi Klosi.
Deri në momentet e fundit ekzistonte mundësia e Gurma të qe vijuesi i një mandati tjetër, por në mbledhjen e Kryesisë së PS-së është vulosur gjithçka: Çaçi e jo Gurma, do jetë ai që do garojë për Sarandën nën siglën e PS-së më 14 maj.
E njëjta gjë dhe në Delvinë, ku mësuesja Majlinda Qilimi, kryebashkiake po ashtu nga 2019-ta, nuk do vijojë më tutje. Besmir Veliaj do jetë ai që do e zëvëndësojë, një delvinjot me detyre IT në Policinë e Sarandës.
Ka rënë dhe Kristaq Kiço në Finiq. Në vend të tij do jetë Romeo Çakuli, numri 2 i Bashkisë së Sarandës në mandatin e Gurmës.
Ndërsa për Konispolin do garojë, për siglën e PS, Erges Dule, pasi mjeku Shuaip Beqiri vendosi vetë që do të mos vijojë më qeverisjen e Bashkisë fundore të jugut jonian pas tre mandatesh.
Kështu, ndërsa në shumë qarqe kanë dominuar rikandidimit, Vlora është pothuajse me emra të rinj. Vetë Vlora si Bashki do ketë Ermal Dredhën si emër të ri garues më 14 maj. /sarandacity.al/