Një qytetar shembullor i Sarandës, ndër ata që më shumë i kanë dhënë se i kanë marrë qytetit, i kujton Bashkisë pesë aspekte ku duhet të ndërhyjë, prej atyre që më shumë se fonde duan vullnet.
Disa kanë të bëjnë dhe me sezonin e disa jo domosdoshmërisht me të, por me aspekte të jetës qytetare në çdo kohe e rrethanë.
Kështu, skulptori Ilirian Dalani, mjeshtër unik i punimit të gurit në Sarandë, shpreh shqetësimet e mëposhtme:
Riparimi dy skulpturave të krisura e pastrimi i njërës prej tyre prej një ndotjeje të papranueshme.
Vendosja në gjatësinë e shëtitores, aty ku nuk ka shkallë dhe ka rrezikshmëri rënieje në det, e disa kamerdareve shpëtimi, të cilat edhe do e pasuronin dhe dekorin e saj. Vjen kjo si domosdoshmëri edhe nga një incident i pak muajve më parë, me rënien e një të riu, i cili ishte e pamundur të ngjitej dot.
Pastrimi i çesmave të shëtitores aty ku derdhet uji, si dhe riparimi nëse janë dëmtuar apo dalë jashtë funksioni.
Pastrimi i shtyllave nga lajmërimet mortore, duke caktuar një vend të posaçmën për to. Se vërtet, shtyllat përplot lajmërime vdekjesh, janë trishtuese dhe nga ana estetike.
Pastrimi i trungjeve të rrepeve nga posterat e koncerteve dhe moslejimi që në do të ngjiten të tilla, diçka vërtet e shëmtuar dhe jo e dinjitetshme për një qytet me status turistik.