Në një intervistë të fundit me Ramën në studion e Opinion-it, Blendi Fevziu, një mit gazetaresk defektoz, i bëri disa herë një lloj pyetje nga më aprofesionalet, të tipit “A je ti…(fjala vjen, i korruptuar), siç jua akuzon opozita? Pra, pyetje që në një farë mënyrë s’ka përgjigje duke qenë se përgjigja e saj dihet.
Pyetje profesionale do ishte: “Z. Rama, që kryebashkiak ju keni përcjellë mesazhe në publik të pastërtistë suaj morale, pra që nuk jeni asesi i korruptuar, edhe nëse afër apo rreth jush ka njerëz që korruptohen.
Cila është ajo provë bindëse e juaja e jo vetëm me fjalë, që kjo është e vërtetë?”
Dhe jo vetëm te Fevziu; në çdo rast që Rama është përballë gazetarëve, i duhet bërë kjo pyetje.
Sepse vërtet, a mund të ndodhë që të drejtosh një pushtet erarëndë korrupsion e ti vetë të jesh i pastër?
Kjo është dhe një nga pikëpyetjet më të mëdha të qeverisjes së Rilindjes.
Nëse do qe vërtet kështu, pra që Rama vetë është qelibar, e rëndë është për të që të mbajë mbi vete barrën e një perceptimi e gjykimi të rëndë publik prej proçkave të atyre u jep pushtet, dorës magnet ndaj parave. Pra, duhet të ekzistojë një provë e fortë dhe e mirëargumentuar, në planin logjik, etik dhe psikologjik, që të provohet ndarja me thikë morale e tij dhe e atyre që e bëjnë baltë me futjen e duarve të arka e shtetit dhe në xhepat e qytetarëve.
Një ditë më parë, me anë të një fraze Rama dha të kuptuar se ai e di tashmë se ç’përfaqëson Arben Ahmetaj, të cilin e ka zhveshur nga çdo pushtet, duke thënë se po kish qenë gjykatës, gjërat për të do shkonin shumë keq.
Arben Ahmetaj, jashtë perceptimit publik, përgjithësisht negativ, ose më e pakta aspak pozitiv për të dhe jo domosdoshmërisht nga gjykimi si i korruptuar, është tejet i aftë për ta çuar një punë gjer në fund. Rama, të tillë karaktere, të cilët kur jua beson një punë e çojnë atë deri në fund, pa qenë nevoja për shumë nxitje, i preferon. Por diskutimi është te aspekti moral e jo aftësia apo vullneti për një punë.
Këtu sjellim në kujtesë Berishën e 97-ës, i superkryqëzuar nga të katër anët, me shkak firmat piramidale e sjelljen me pushtetin. Te të parat kryefjalë ishin paratë, ato të humburat nga shqiptarët, një çështje e ndjeshme për çdokënd dhe ku nuk të fal kush. Megjithatë ndodhte që në gjykimin publik ndaj Berishës të kish një ndarje mes tij dhe gjëmës së fajdeve. Për Berishës thuhej se “të paktën s’është i korruptuar”. Edhe atëherë kishte korrupsion, u shtua dhe më vonë, te Nano e qeverisja e pas 2005-ës, por vështirë të ekzistonte një bindje absolute ahere dhe sot që vetë Berisha, personalisht, është i korruptuar. Mund të jetë tolerant ndaj korrupsionit, ndoshta i pafuqishëm, madje dhe brenda familjes, te fëmija, por jo vetë grumbulles pasurie në një kuptim të drejtpëdrejt dhe të rëndomtë të fjalës, duke shfrytëzuar pushtetin. Pikërisht për këtë stad korruptimi është fjala edhe kur gjykojmë Ramën. Pra, a ka ndodhur dhe a po ndodh kjo me Ramën, apo ai po vuan grykësinë e vartësve të tij, nga ai më i larti në qeverisje e deri te ai në pushtet lokal me çfarë kanë mes tyre?
Rama këtë ka dashur të përcjellë te publiku, që vetë ai nuk është ndyrë me korrupsion. Ama kjo nuk e largon nga përgjegjësia e rëndë morale e jo vetëm. Sepse, si i rrahur me pushtet, me njohjen e natyrës njerëzore nën pushtet, me një nuhatje të lindur madje për tipologjinë njerëzore, atij nuk i duhen shumë prova për të kuptuar se kush është Arben Ahmetaj e të tjerë me rol të madh në qeverisjen e tij, mu prej faktit se ju besohet para e madhe në menaxhim.
Në dialogun e epilogut të filmit “Rrethimi i vogël”, xha Zenuni i kërkon llogari Agronit, evlatit kryetar Komiteti Ekzkutiv(bashkitë e sotme), se pse u gënjye nga i biri i djegur për qytet duke t’i dhënë shtëpi aty.
“Nuk më shkoi mendja….”, u justifikua në një moment Agroni, referuar gënjeshtrave që kish ngrënë.
“Të të kish shkuar”, iu përgjigj xha Zenuni, “për këtë punë të kemi vënë”. Pra, te puna e një koke qeverisëse është dhe aftësia për të njohur pushtin që bën pis atë dhe pushtetin që njesohet me emrin e tij, sado një aftësie të caktuar që të ketë, siç në rastin me Ahmetajn.
Sot, morali i një qeverisjeje është bërë po aq imperativ sa aftësia për të qeverisur. Gjykuar me Zot, në momentin që s’ke moralin të kanë rënë të gjitha, edhe aftësitë. Pasi Zoti s’i jep mbarësi e bereqet një pune që s’ka moral.
Qeverisja e Ramës mishëron pikërisht këtë ligjësi hyjnore. Shumë punë, edhe të mira në dukje, por pa bereqet pikërisht nga morali në pikëpyetje.
Sikur ta kuptonte…/sarandacity.al/