Afati i hapjes së ofertave të ardhura nga kompanitë për koncesionin 35-vjeçar të ndërtimit të tunelit të Llogarasë ishte data 7 shtator, por ende Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoritet kontraktor, ende nuk ka bërë publik një vendim.
Përfaqësues të këtij dikasteri thanë për TV SCAN se aktualisht procedura është në proces të verifikimit të dokumenteve të dorëzuar nga ana e kompanive, duke konfirmuar kështu dhe mbylljen e afatit të dorëzimit të ofertave.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synonte të shpallte fituesin që në shkurt të këtij viti, por gara e hapur në dhjetor të vitit të kaluar nuk u përmbyll me sukses, pasi 6 kompanitë pjesëmarrëse u skualifikuan.
Ndërkaq, gara për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë Tunelin e Llogarasë, u hap në datën 30 qershor të këtij viti, si përpjekje e radhës, për të shpallur fituese një kompani që plotëson kriteret e vendosur në tender.
Fondi limit i vënë në dispozicion është 18.96 mld lekë, ndërkohë që referuar dokumenteve të tenderit afati i zbatimit të kontarës do të jetë 37 muaj, çka do të thotë se nëse marrim parasysh edhe proceduart e garës, lidhjes së kontartës apo pajisjen me lejet e nevojshme, kjo vepër nuk do të jetë gati në këto 4 vite.
Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej 6 km, ndërsa do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta.
Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë, ndërkohë që sipas projektit ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe do e ketë daljen në Urën e Palasës, duke evituar tërësisht Qafën e Llogarasë. /SCAN/