Trendi i vrullshëm i prurjes turistike në Sarandë vitet e fundit ngre një pikëpyetje të madhe mbi atë se ç’ofron qyteti veç një shëtitoreje, hoteleve, lokaleve e restoranteve.
Me një vëzhgim të pasforcuar, i gjithë aktiviteti turistik është i përqendruar në këto stacione, pothuasje të gjitha në vijën e parë, duke nxjerrë në pah diferenca të thella me oferta të tjera atraktive dhe në zona të tjera. Përjashtim bën Kalaja e Lëkurësit. Por njëherësh shërben dhe si një model referimi se si qyteti mund të kishte të tjera pika atraktive, të cilat të përbënin larmi mundësish për atraksion.
Muzetë – Saranda ka dhe nuk ka muze. Ka një arkelogjik te Rruga 1, por që është si ç’nuk duhet të ishte, si dhe një trashëgimor te godina e Naim Frashërit në shëtitore. Ashtu siç janë nuk ka nevojë për shumë koment. Janë zgëqe muzeale pa ndonjë tërheqje të veçantë, sigurisht dhe pa promovim të fortë. Mjaft që në kartolinat apo setet fotografike për Sarandën, ato s’figurojnë gjëkundi.
Për Arkeologjikun është në plan një muze modern te ish-Materniteti dhe kjo do qe një shumë mjaft e mirë.
Për trashëgimorin nuk do qe keq të ngjizej me një muze kushtuar Sarandës, krijimit si qytet, duke e instaltuar te 40 Shenjtorët nga ka dhe emrin. Kështu, edhe kjo pikë do qe një Lëkurës i dytë.
Luna Park – Në fakt nuk është vetëm Saranda që nuk ka Luna Park, pra një park gjigand e modern lodrash për fëmijë, sipas modeleve më të mira botërore. Deri më tani as Tirana s’e ka një të tillë. Por nuk është keq të mendohej kjo gjë. Ca lodra si aktivitet privat diku nga fundi i shëtitores nuk janë ato të duhej të ishin në Sarandë.
Qendër tregtare – Mungesa e një të tille është dhe paradoksi më i madh. Ka disa supermarkete por jo qendër tregtare, e cila gjithashtu mund të qe ofertë e mundësi për jugun, pa marrë medoemos rrugën për Janinë.
Kinema, sidomos verore – Saranda duhet ta kishte me patjetër kinemanë në ofertë. Por nuk është çështja ta ndërtosh e mos merresh me të. Çështja është ta realizosh dhe ta promovosh fort.
Qendër sportive – Një qendër e atraktivitetit sportiv është një tjetër mungesë e një tjetër domodoshmëri për Sarandën. Aty, përveçse nevojave të brendshme, të çdo grupmoshe, të çdo kohe, mund të kishte terrene dhe si ofertë turistike për të huajt, si fjala vjen fusha tenisi.
Renditëm vetëm 5 por mund të jenë dhe të tjera. Renditëm kaq si ngacmim që Saranda duhet të jetë shumë më shumë kaq se ç’është gjersa pret të ketë dhe një areoport.
Disa janë kërkesa të diktuara nga tregu por që varen vetëm nga inisiativa private, disa janë vizione që duhet të burojnë nga vendimmarrja zyrtare.
Te to gjendet dhe zgjidhja për krijimin e të tjera qendrave atraktive të qytetit, duke mos e lënë atë në fjetinë në tre të katërtat, siç është aktualisht.
Historikisht, qeverisjet lokale që kanë bërë historinë e qyteteve nuk kanë qenë ato me theks burokratik por ato me theks vizionar: që kanë punuar duke realizuar ato që kanë ëndërruar apo fantazuar.
Pra, është çështje gjenialiteti, një tjetër temë për debat. /sarandacity.al/