Kandidati i PD-së(kampi Foltore)për Bashkinë e Sarandës, Ardit Cikuli, ka kontestuar rikonstruksionin e shkollës “Adem Sheme”, duke lexuar te ky proces shumë shkelje, edhe të natyrës teknike.
Ai shtron disa pyetje konotative, pra me akuzë brenda, duke nisur nga qasje kritike e momentit kur ndërhyhet në këtë shkollë.
Në finale, ai është për ndërtimin nga e para.
“Pa asnjë plan paraprak, pa asnjë konsultim publik dhe as me komunitetin e prindërve të rreth 1100 fëmijëve që arsimohen në shkollën ‘Adem Sheme’ kanë nisur punimet për rikonstruksionin e saj.
Lajm i mirë vëmendja te arsimi, por lajm i keq abuzimi që bëhet në emër të nevojës.
Lajm i keq sepse shkolla filloi të restaurohet në mes të sezonit arsimor, pa asnjë paralajmërim as për stafin mësimdhënës dhe as për prindrit.
Nga ky projekt i pa konsultuar, i pa organizuar dhe dukshëm për efekte elektorale, nxënësit e shkollës “Adem Sheme” janë shpërndarë në 3 ambjente të ndryshme, në ambjente jo ekzaktësisht të përshtatshme për ta, duke mos marrë parasysh nevojat e tyre dhe mundësite e prindërve.
Pse Bashkia Sarandë po investon sot dhe jo gjatë verës ku nxënësit dhe personeli janë me pushime verore?
Pse të mos bëhen punimet me 2 turne në verë por çojnë fëmijët tanë me 2 turne në shkollë tani?
Pse Bashkia Sarandë po investon më shumë se 700 mil leke në një shkollë e cila nuk plotëson kriteret ligjore të përcaktuara për standardet inxhinierike sipas eurokodeve të ndërtimit të veprave publike?
Pse duhet të investohen kaq shumë para për të rikonstruktuar një shkollë e cila është ndërtuar në vitin 1960 dhe 1 kat i është sajuar me shtesë në vitin 1998 dhe të mos rindërtohet shkolla prej fillimit?
Pse Bashkia Sarandë nuk po e investon këtë fond te shkolla Ekokampus për të cilën janë investuar miliona euro nga taksat tona që prej vitit 2015 ( mbi 3.3 mld leke te vjetra ose 2.9 mil euro ) dhe sot po amortizohet sepse s’ka banka dhe dërrasa?
Pse nuk vihet në funksion një shkollë e re e ndërtuar, por lihet peng i mungesës së bangave dhe dërrasave të zeza?
Pse bashkia po hesht për një shkollë e cila duhet të ishte me nxënës që prej sezonit shkollor të 2017?
Mos ndoshta po i ndryshohet destinacioni kësaj shkolle për tu shitur diku e për tu transformuar në hotel? Mos ndoshta është kjo arsyeja?”, pyet kandidati Cikuli.
Në fund, ai fton për reagim:
“Reagojmë për Sarandën tonë e cila nga kampione kulture dhe arsimi për gjithë Shqipërinë.
Jepni dinjitet fëmijve tuaj;
Jepni dinjitet familjeve tuaja;
Jepni dinjitet qytetit tone”. /sarandacity.al/