Gjatë krizës tërmetore të fundvitit 2019, ato ditë ndër më të rëndat në Shqipërinë 30 viteve, kryeministri Rama detyrohej të thoshte se “nuk ishte ai që e kishte shkaktuar tërmetin!”. Se në fakt, presioni ndaj tij, si nga ata që e kishin pësuar direkt e si nga pjesa tjetër e popullsisë që vuante fatin e tjetrës në zemër të Shqipërisë, ishte i atillë se e detyronte të parin e vendit që ta lëshonte atë frazë në dëshpërim si një formë mesazhi se si nuk ishte Zoti, e se vetëm Zotit, si një fuqi me atribute absolute mund t’i kërkohej ajo që i kërkohej atij.
Kjo lloj psikoze, nga soj njerëzish që nuk duan ta pranojnë se ka ndodhur një gjëmë që jua ka prishur normalitetin, vijoi dhe me pandeminë e po vijon tani dhe me një situatë globale që dhe pa luftë ishte në krizë, si ajo energjitike.
Tashmë vjen dhe lufta. Dhe nuk është si të tjerat e këtyre 30 viteve që sado mizore, nuk kanë efektuar në ekonominë globale apo që të rrezikojnë të jenë e Treta. Është një luftë tipike e Tretë, edhe pse fronti është ende i kufizuar në Ukrainë. Që do thotë pra se ajo që po ndodh në Ukrainë, mund të vijë një ditë dhe te ty. Mjaft që Shqipëria është në Ballkan, një tjetër fushëbetejë ruso-perëndimore, e mjaft që Moska e ka listuar Shqipërinë si “vend armik”.
Pra, gjëja më e çmuar sot është siguria. Më saktë paqja. Sot mund të kërkosh naftën lirë, ndërsa nesër që të kesh thjesht pak naftë, edhe shtrenjtë; apo mos e dhëntë Zoti, që të mbetesh gjallë nëse vjen armiku te dera.
Kështu që nga kjo perspektivë i duhet qasur realitetit të vështirë të krijuar nga tronditja ekonomike si pasojë e rritjes së çmimeve, ku 5 lek më pak apo 10 lek më shumë, është gjithsesi fenomen global. Pra jo lokal.
Por këtë gjë nuk duan ta kuptojnë një skotë, ku e sigurt është që askush prej tyre nuk ta mbush mendjen se mund t’i besosh një ditë një përgjegjësi politike e shtetërore e t’i japë dum. Flasin nga pozita “pa pozitë”, pa përgjegjësi, por por t’ju a jepje këtë të fundit besohet që do “iknin me vrap”.
Parë sipërfaqësisht, të duken heronj kauzash, por në thelb janë fitilndezës anarkie. Tipikisht komunistë, ndoshta pa e kuptuar se janë të tillë. Kështu nisi komunizmi në Shqipërinë e fund 30-ës e fillim 40-ës, me demonstrata buke kundër fashizmit(!). Ndërkohë, paçka asaj varfërie të 90-ës, si pasojë e degradimit ekonomik të sistemit, buka nuk qe fare në narrativën antikomouniste. Dhe nuk dihet se pse këta të sotmit që duan t’u përngjajnë studentëve të 90-ës, ngjajnë si udhëheqës të demostratës së Korçës në 40-ën, me thirrjen bazë “Duam bukë!”. Në krye të saj, sipas versionit të historiografisë komuniste, qe vetë Enver Hoxha.
Është e vërtetë se në çdo kohë ka pasur e do ketë njerëz që “duan bukë”. E tillë është jeta dhe të tilla janë fatet njerëzore, kudo. Kështu do jetë dhe po të ikë Rama, sepse Rama nuk ka forcë të ndërhyjë në filozofinë e jetës, nuk i formëson Rama fatet e njerëzore. Duhen thënë këto se e tillë është psikoza e atyre që po udhëheqin protesta këto ditë: duan të shohin Zotin te Rama apo te qeveria, duke kërkuar mbinatyrshmëri te ta për çmimet, por prite Zot dhe për luftën që duhet të jetë ai që ta ndalë. Është krejt e natyrshme që t’i kërkohet një qeverie, edhe me anë të një presioni, që të sforcohet në gjetjen e formave apo mënyrave për t’iu përgjigjur maksimalisht një krize, por gjithsesi kjo është e limituar, pasi nuk është fjala për mbitokësorë por për njerëz, siç ata që protestojnë. Sepse nëse qeveria ia fut kot, edhe ata jo pak ia fusin kot. Më kryesorja, kërkojnë normalitet në kohë jonormale!
Lërë më pastaj kur në krye është vënë një gallataxhi që përpos gallatës në skenë, asaj me të cilën ushqen e mban familjen, nuk ka asnjë tregues inteligjencë në atë shkallë sa mund të inspirojë, apo më pak t’i besosh nesër një përgjegjësi shtetërore.
Pos kësaj, ato bëjnë më të lehtën: të protestojnë. Do ishte ndryshe sikur hem të protestonin e hem të thërrisnin në një ndërgjegje përbashkuese shoqërore mbi atë po ndodh. Protestat në Shqipëri i ka bërë dhe e bën çdokush, këtë tjetrën nuk e ka bërë askush.
Vlera e një kombi në raste të tillë nuk është te protestat, aq më rëndë kur ato janë tendenca kaosi dhe anarkie, por ështe të ato zëra që më së pari tentojnë të injektojnë atë që më së shumti i mungon kësaj shoqërie, historikisht: një moral dhe një ndërgjegje përbashkuese në momente të caktuara. Njerëz që nxisin sherrnajë, edhe nëse ndodh të kenë drejtë, ka patur gjithnjë me shumicë ky vend. Ky vend nuk ka patur mendje racionale, nga ato me ekuilibër mental që kur flasin dinë se ç’flasin, të cilët kanë thirrur në një moral përbashkues shoqëror. Më shumë se bukë apo naftë me çmim të ulët, këtij vendi i duhet më shumë pikërisht ajo, vlerë e kombeve që kanë bërë histori: morali përbashkues! /sarandacity.al/