Në fëmijëri ende identiteti dhe të kuptuarit e tij janë të turbullt, një masë viskoze ku ti sheh përtej diçka, ndofta të zbërdhulët, një farë drite a më mirë spërndritje, të cilën nuk e di se nga vjen, se ku është, se çfarë është. Në fëmijëri identiteti i qytetit për mua ishte deti. Krenaria vjen më vonë, kur ti njeh vlerat e tij, njerëzit, punon aty, jep një pikë djersë për të. Përtej kësaj, që mbetet kryesorja, është dhe shtrati i historisë i pllenuar me mite, legjenda, beteja, kulturë, arkitekturë, emra dhe atë hop, thua: “Nuk kam lindur në një tokë të shkretë, as të harruar, por në një qytet të mbarsur me bëma, bukuri e krenari.”
Artistikisht, si e keni përjetuar apo vizatuar këtë qytet ndër vite?
Me ngjyrat më të bukura e një ndezulli që më ka buruar nga përbrenda. Ishte qyteti që vinte nga mugëtirat e lashtësisë, legjenda e Eneas me të atin mbi shpinë, Anhizin (thuhet se emrin qyteti e paska marrë nga i ati i trojanit të madh, që themeloi më pas Romën); ishte qyteti që lidhej me një nga historitë më ngjethëse të krishtërimit me 40 ushtarët romakë në Armeni që u martirizuan, kujtimit të të cilëve iu dedikua bazilika e madhe e “40 shenjtorëve”. Gjithsesi shpirti i atyre shenjtorëve, që shëruan gjer dhe perandorin romak me origjinë ilire Justinianin, ajrisë së qytetit është. Edhe pse diku-diku qyteti ka ecur udhës së historisë si në jerm, mbetet “Perla e Jugut”. Kështu quhet apo jo? A ka qytet më të bukur në Shqipëri? E kush nuk është krenar m bukuritë që vetë Zoti i ka falur?! Ndërsa si përjetim “artistikisht”, unë kam shkruar së fundi një libër enkas për të: “Fluturimi i bletës – Sarandës, qytetit të lindjes”.
A është Saranda te ju një objekt bisede i zakonshëm me miq?
Pafundësisht, gjer në shterje.
Çfarë do veçonit nga fëmijëria prej atyre kënaqësive të pashlyeshme që i keni marrë Sarandës
Qysh katër vjeç babai më lëshoi në det diku aty te Portiku i Onhezmit ku ai peshkonte. “U byta, u byta”, bërtisja unë. Ai më linte aq sa koka të më futej në ujë dhe më kapte nga krahu. Qysh atëherë deti u fut nën lëkurën time dhe nuk u “byta-mbyta” më… Shenja e dytë ishte peshkimi. Zbrisja aty poshtë mureve të Onhezmit, ku është busti i Hasan Tahsinit sot, dhe me një fije peri a qimet e spërdredhura që ua shkulnim kuajve të cilët “parkonin” çdo ditë bri shtëpisë sonë, vinim si grep një “karficë”, gjilpërë me kokë, dhe kapnim ndonjë guvjaç, sparo, sargo, ngjalë të vogël. Ia jepja maces. Kaq. Deti, peshkimi, peshku ishin një qenie trifytyrëshe që hynë tek unë dhe mbetën aty. Pa e kuptuar ata më thërrisnin gjithë vitet gjer sot që po të kthej ty këtë përgjigje: “Ej, mik, ti je nga një qytet deti, ti je një sarandiot, mos e harro kurrë këtë!”
Ju, edhe pse në Tiranë, pothuajse që nga rinia, e keni patur të ndarë jetën mes kryeqytetit dhe vendlindjes suaj. Si janë kthimet nga metropoli në provincë, nëse këtë përcaktor urban e huazojmë nga Ilo Pinci kur ia prezantoi qytetin bashkëshortes së tij?
Asnjëherë s’e kam quajtur Sarandën provincë. Kurrë. Kishte dritë. Kishte magji, joshje, grishje për të gëzuar ditë nga më të bukurat e jetës te çdo njeri. Ne ishim mësuar me ardhjen nga Tirana dhe qytetet e vendit të qindra e mijërave “turistëve”, ishim mësuar edhe me “turistë” ardhur nga bota, vaporët. Këta sillnin tjetër imazh, veshje e sjellje të tjera, modelin e tyre jetësor. Pa e kuptuar, ata e thyenin shpirtin meskin të provincës me vogëlsitë e saj. Saranda dinte t’i huante e t’i bënte të vetat dimensionin urban dhe qenësinë qytetare duke i dhënë ajër mushkërisë së saj, mendjes, shpirtit, estetikës. Ishte dhe një zili e pafaj e njerëzve kur të pyesnin “nga je” dhe ti u thoshje “nga Saranda”. Syri i tyre mbushej me një si vezullim ëndërror. Eh!… Dhe mall, dhe respekt, dhe mungesë, pse jo dhe zili kishte në sytë e tyre. Pse dreqin edhe ata nuk ishin prej po atij qyteti me visare të falura bujarisht nga natyra siç ishe ti?!!!…
Të vijmë te ajo pikë gjithëherë e diskutueshme: shndërrimi i qytetit dhe konteksti i një lloj shpërfytyrimi urban. E keni vuajtur personalisht këtë gjë?
Shumë. Ishte një tmerr. Jo thjesht se më shprishej imazhi i dikurshëm, se nostalgjia ime bëhej copë e grimë. Nuk mund të them se s’kisha parë qytete të tjerë të tipologjisë së Sarandës në Evropë, por ata e kishin ruajtur “intimitetin” e tyre dhe bashkëbisedën me detin. Qindra qytete të tillët i gjeje në Greqi, Itali, Spanjë, Francë, ku ndërtesat e ulëta dhe plot përthyerje arkitekturore, kopshtie krijonin hir, imazh piktorik. Pas vitit 1990 nga jargët e kastës së korruptuar të pushtetarëve dhe zgafellet e krimit ekonomik vërshoi bloza, jashtëqitja dhe shprishja. Makutëria doli sipër. Dolën sipër mendjet e gjymta, shpirtrat e shëmtuar, shqytarët e vijës së parë që shpëlanin paratë. Dhe ata ngritën përbindshat e tyre mu fare pranë bregut. E kafshuan dheun, shkëmbin, bimën. Shteti ishte përgjunjur. Dhe na i vranë syrin, si mua dhe mijëra sarandjotëve; na i vranë hijeshinë, delikatesën, bukurinë, na rrëmbyen ajrin, i vunë pritë detit dhe ngritën një GETO të stërmadhe. Dhe mu në thelb të thelbit u ngrit një shëmti e pashembullt 18 kate, amorf, i trashë, pa sqimë, si Kulla e Babilonit që sfidonte Zotin, grabiti diellin, ajrin, vrau imazhin dhe që një zot e dinte se kur ndonjë kryeministër guximtar e mendjendritur do mund t’ia priste si Muji atë kokë kryeneçe e idiote. Koha e këtyre Nimbrotë kapadaij kishte marrë fund. Ja, ky bajloz e mamuth idiot mu në mes të mesit ishte shenja më tipike e kohës së rrumpallës, e Skillës dhe Karibdës prej nga ky popull u shtrëngua të kalonte.
Cilat janë kritikat tuaja sot për Sarandën?
Parkingu është nga më të parët që kërkon zgjidhje radikale, të cilat duan investime të mëdha. Të shtohet buzëqeshja e kamarierëve, recepsionistëve të hoteleve, menazherëve të çdo njësie shërbimi e turizmi. Guzhina të pësojë një transformim radikal në shumëllojshmëri gatimesh. Po sikur ta ulnin pak zhurmën që vjen nga amplifikimet muzikore të bar-restoranteve me ndotjen e panevojshme akustike?
Çdo të bënit ju, apo ç’propozoni nga pozita e një qytetari sarandiot me rrënjë e degë, që qytetit t’i rikthehet një shkëlqim i zbehur?
Sa më shumë pemë të mbjella, sa më shumë lule e bukonvile, sa më shumë veprimtari artistike, festivale, gara sportive, rituale festive që nga Onhezmi e sot. Dhe zbukurimi i detit, plazhet, pastërtia, shërbimet. Nuk më duket e tejkaluar shëtitja me varka të vogla me lopata, sidomos natën, për pasione të ëmbla dashurore, nostalgji, magji, kënaqësi. Qyteti ynë është i martuar përjetësisht me detin, i cili krijon edhe aventurën, bukurinë, gëzimin e jetës! Po troket koha e dashurisë. Hordhitë më duket se janë sprapsur. Të mos i lejojmë më të na pushtojnë “Jerusalemin tonë të Ri”. Duket se ka një pendesë për përçudnimet që janë bërë dhe me siguri sarandiotët do dinë se si ta zbukurojnë edhe më shumë këtë “Jerusalem”…
“Nuk bëhet më Saranda, më shungullon ende në vesh zëri i piktorit dhe arkitektit të njohur Maksi Velo. E prishët! Kush e prishi? Ju të gjithë, edhe ti e prishe me heshtjen tënde, mbroje! Unë kam shkruar kaq herë, por s’ma var kush! Shkruaj prapë! S’duhet lejuar ky pushtim barbarësh…”
Maksi kishte të drejtë. Por ja që syri im, ndofta malli, nuk donin ta dëgjonin atë mbrëmje zërin rebel të Maksit. A e di pse, Maksi? Sepse mbrëmjeve qielli lart pikon një si prarim yjesh mbi qytet, ndërsa syprina e detit, ah çfarë fantazmagorie! Ti mund ta shohësh Maksi, aty lart nga qiejt ku je! Shihi ngjyrat! A s’përthyhen aty vezullime e luhatje dritash?!!!… A s’është i bukur qyteti im! I bukur për vendësit, i bukur për bujtësit, i bukur për brezat e TJERË…
A ekzistojnë te Saranda virtyte kolektive dhe të guxojmë, po vese kolektive? Në finale, cilat janë ato të veçanta të sarandiotit?
Virtyte ka shumë, po them disa: urtësia, mirësia, kultura, mikpritja. “Gjaku” ka qenë përherë i butë, është egërsuar paksa nga bujtësit, por fuqia mirësuese e Sarandës ka pushtetin moral t’i zbutë, t’u japë statusin meritor prej qytetari të rrënjës. Kur mirësia, urtësia teprohen, kthehen në ves. Mungesa e një nervi më të fortë qytetar ndaj shtrembërimeve, shkeljes së të drejtës, abuzimeve, hajnive etj., kjo e mban në një gjendje pritshmërie reagimin qytetar duke krijuar jo rrallë një “status quo” çmobilizuese.
Vitet ikën, qyteti ndryshon, ka diçka që s’ndryshon te ndjesitë e juaja për Sarandën?
Dashuria pa fund për të, dëshira për të qenë aty vazhdimisht dhe, doemos, një metër katror vend për pushimin e përjetshëm…/Revista Saranda/
Your article helped me a lot, is there any more related content? Thanks! https://accounts.binance.com/pt-PT/register?ref=DB40ITMB
Can you be more specific about the content of your article? After reading it, I still have some doubts. Hope you can help me.