Mesazhe të forta janë përcjellë nga kryeministri Rama në Athinë, në një tubim me emigrantë shqiptare në Greqi, një gjetje e fortë politike duke e bërë dhe më të largët muzgun e pushtetit të tij për afro një dekadë, kërkund të horizont ndonjë rënie e tij e mundshme nga pushteti.
Përballë mijëra shqiptarëve që kuqëlonin në një atmosferë të elektrizuar, ai u kujtoi atyre të djeshmen e trishtë kur ia mësynë rrugës si emigrantë në Greqi. “Shumë prej jush ndërruat emrat që u kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentet e punës dhe regjistruat fëmijët në shkollë. Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmijën të mbytej në lot se kishte dalë me i miri në shkollë, por nuk u dha e drejta e ceremonisë së flamurit. Faji i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dykrenare”, u shpreh Rama, me nota sa politike aq dhe patriotike.
Ai vijoi duke thënë më tej se ata sot janë ndryshe, jo më shërbëtorë te fqinji.
“Ju erdhët luftuar dhe fituat. Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve. Bashkë me grekët, ju shqiptarët jeni europianët e Greqisë. Ju sot keni këtu shtëpitë tuaja dyqanet, bizneset, fëmijë të mirëshkolluar në sistemin arsimor të Greqisë, keni rrethin tuja miqësor, ku greku e shqiptari nuk dallohen më”, shtoi më tej Rama.
Ai ceku tema të ndjeshme të raporteve mes dy vendeve, ku potencoi dhe mënyrën se si Shqipëria e trajton minoritetin grek në jug.
“Grekët e Shqipërisë kanë halle kanë probleme, ne duhet dhe do të bëjmë ende më shumë për ta, por e vërteta e madhe jashtë fushës së vogël me topin katror është se asnjë hall i tyre nuk është i ndryshëm nga hallet e qytetarëve shqiptarë. Në një vend si i yni që përparon çdo ditë, ku plagët e trashëgimisë së shkuar dhe të afërt janë ende jo plotësisht të mbyllura ama kurrë në asnjë rast një grekë etnik në Shqipërinë e dhjetë viteve të fundit nuk ka pasur hall apo problem për shkak të kombësisë. Grekëve etnik nuk ju është mohuar e drejta e tyre e besimit, gjuhës, pronës. Kurrë asnjëherë në asnjë rast qytetarëve grekë të Shqipërisë nuk ju është mohuar e drejta e votës për shkak të origjinës së tyre etnike”, tha Rama, duke mos pranuar që Greqia mban ende aktiv Ligjin e Luftës me Shqipërinë.
“Po si ka mundësi mes dy shteteve që kanë nënshkruan një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të shfuqizuar 84 vite më parë?!”.
Dhe për homologun grek Mitsotakis, zgjodhi të perifrazonte Naimin:
“Në emrin tuaj, dua t’i lë një pusullë mikut tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi, Mitsotakis. I dashur Kyriakos, në vitin 1886 poeti ynë Naim Farshëri shkruajti në greqisht: Duam me të gjithë fqinj sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, me rend dhe paqe, le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi, mjaftojnë tiranitë që kemi kaluar…”.
Sa për qeverisjen e tij prej një dekade, Rama kërkoi ndjesë për ato që i cilëson “gabime”, por u përbetua për ndershmëri individuale.
Shumë të dashur miq, motra dhe vëllezër rrofshi që më nderuat kaq shumë. Jeni shembull, energji, forcë për mua. Unë nuk kam si ta hap zemrën dhe trurin tim që ju të hyni dhe të shihni vetë ca ka brenda, po unë nuk iki dot sot pa u thënë edhe dy fjalë.
Gabime unë mund të kem bërë plot deri këtu në këto dhjetë vite, i kërkoj ndjesë për çdo gabim, por kurrë në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë edhe njëherë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm.
Nuk ka forcë materiale në këtë botë, fuqi politike, ekonomike, financiare, individ apo shtet që më josh apo detyron të përkulem për të përfituar për veten pas shpinës suaj, për të cenuar interesat publike dhe private të shqiptarëve që unë nuk i njoh, por Edi që ata më njohin mua apo për të përkulur majat e paprekshme të interesave kombëtare të Shqipërisë. Falë jush kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe nuk besoj se do kem një më të bukur se kjo”. /sarandacity.al/