Në një fjalëmbajtje të gjatë në Kongresin njëditor socialist, tipike e tij, kryeministri Rama nuk e pati fare për trajtim çështjen më të mprehtë të shoqërisë shqiptare për momentin, e lidhur dhe me ekonominë, atë të një vale ikjeje ende të pafrenuar.
Rama trajtoi shumëçka, duke patur si kryefjalë arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e tij, por një lloj gjenialiteti që ai ia atribuon vetes në nëntekstet e narrativës së tij me sukseset e pretenduara, mungon në atë që për hir të së vërtetës nuk është vetëm çështje shqiptare, pra emigrimi masiv, të cilin e vuan i gjithë rajoni, madje dhe vende europiane si Italia fqinje.
Deri më tani, Rama nuk ka mundur të bëjë diferencën në strategji frenimi, duke iu dorëzuar konteksteve të ndryshuara sociale, shoqërore, ekonomike dhe psikologjike të botës, e cila në një dekadë ka pasuar ndryshime të shumta të cilat kanë provokuar dhe valë emigrimi. Rajoni ynë vijon ta vuajë këtë plagë në hapje e dhembje, pa u dukur gjëkundi në horizont nisja e trajtimit dhe e shërimit të saj. Rama, i cili i atribuon vetes gjenialtete qeverisëse nga njëherë dhe krahasimisht me liderë botërorë, deri më tani pothuajse ka dështuar në mënyrë spektakolare. Paçka disa ndryshimeve për mirë nën qeverisjen e tij prej një dekade, sidomos në zhvillimin infrastrukturor dhe atë estetik të jetës urbane, ikjet nuk janë frenuar dot dhe vijojnë me tregues shqetësues, duke shkteruar jetën sociale e cenuar atë ekonomike të shumë qyteteve apo zonave rurale.
Përkundër kësaj, Rama pati gjoksrrahje për qeverisjen e tij, sidomos duke e ndërlidhur me dy kriza me të cilat ajo u përball.
“Parafytyroni sikur tërmeti të na kishte gjetur me borxhet mbytëse të vitit 2013, pandemia me spitalet dhe shërbimin e urgjencës të vitit 2013 apo pa platformën e shërbimeve digjitale, që mundësoi zbatimin e planit të karantinës jetike për mospërhapjen e COVID, se si do të kishin shkuar gjërat. Merreni me mend sikur egërsia e luftës që ngriti çmimet e energjisë në qiell të na kishte gjetur me gjysmën e miletit që nuk paguante dritat dhe me kompaninë e shpërndarjes që ishte në prag të shkatërrimit përfundimtar; apo sikur inflacioni i stimuluar nga djallëzia e Moskës për të gjunjëzuar Europën demokratike të na kishte gjetur me arkën e zbrazur të 2013-ës”, ishte një nga frazat e të parit të qeverisjes.
Ai bëri krahasimin e zakonshëm dhe klasik me qeverisjen e mëparshme kur tha se “morëm në kurriz borxhe, krim të organizuar varfëri por edhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit dhe në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin Shqipëri dhe Shqipëria goditej sa herë zihej me gojë qoftë në institucionet ndërkombëtare qoftë në mediet e botës së lirë”.
Megjithatë, për ironi politike, nën qeverisjen e Berishës, edhe pse tipit “iku e mos ardhtë” në shumë aspekte, u shënua kthimi më i madh i shqiptarëve nga emigrimi që nga 2006-ta e deri në 2010-ën. /sarandacity.al/