Kryeministri Rama paralajmëroi ndryshime në qeveri, por jo zgjedhje të parakohshme, siç po përflitet. “Prisni edhe pak ditë, mbledhja e Asamblesë së PS vjen shpejt”, tha ai shkurt në një konferencë për media, duke shtuar: “Mos humbisni kohë me këto thashetheme që janë për nën çadrën e plazhit dhe jo për të humbur kohën ne këtu në godinën e qeverisë”.
Aty iu është përgjigjur pyetjeve të shumta, ku ndër to ishte dhe sterilizimi në SPAK, i cili ka tashmë të arrestuarit e parë.
“Sterilizimi është një nga kontratat dhe punët më të bukura që ne kemi bërë. Pyesni mjekët. Unë kam marrë mesazhe pafund nga profesorët, mjekët, që ishin të shqetësuar se mos kontrata do të sekuestrohej, që s’ishte rasti. Sepse me atë kontratë ne kemi ndryshuar shëndetësinë shqiptare, në hallkën e vetë më delikate: ndërhyrjet në trupin e njerëzve”, u arsyetua Rama, ndërsa për aspektin tjetër, atë abuziv, tha se i përket asaj drejtësia që qeverisja e tij e reformoi dhe që sipas tij është e lirë t’ja nxjerrë ujin e zi korrupsionit.
“I gjithë ky diskutim është puna e mirë që po bën një organ tjetër që quhet SPAK. SPAK po e bën detyrën si duhet. Unë i inkurajoj që t’i nxjerrin ujin e zi çdo ngjarje dhe rasti dhe kanë mbështetjen time”, tha Rama, duke i dhënë një shpjegim korruptimit të munndshëm të vartësve të tij.
“Pushteti është një kafshë shumë e egër, është e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka disa që nuk i rezistojnë tundimeve. Ne zgjedhim në bazë të asaj që dimë, pastaj në proces njerëzit janë natyra të ndryshme”.
Ngjashëm ai arsyetoi dhe Inceneratorët.
“Ata që kanë abuzuar nuk e rrëzojnë fare qëllimin e lartë të pastrimit të Shqipërisë nga plehrat që e kishin mbytur deri në fyt dhe as rezultatet që janë evidente. Puna për të pastruar Shqipërinë kushton, ndaj le të hidhen përjetë kushdo. Kushton dhe do të kushtojë gjithmonë e më shumë, jo më pak. Është bukur të kesh miliona turistë por do të thotë që të jenë miliona e miliona konsumatorë më shumë dhe miliona mbetje”.
Prandaj kjo punë do të vazhdojë. Është një shprehje në italisht: “Nuk duhet hedhur bebja bashkë me ujin e ndotur”. Uji i ndotur hidhet dhe bebja rritet”
Ndërsa për çështjen e ndjeshme “Beleri” pati këtë përgjigje:
“Qëndrimi ynë ka qenë është dhe do të jetë që drejtësia e re në Shqipëri duhet të bëjë e patrazuar detyrën e saj, qoftë kur na vjen mirë qoftë kur na vjen keq. Kjo është e pangeociueshme për forcën që sot qeveris Shqipërinë. Të tjerët mund të thonë se çfarë të duan”, tha Rama. /sarandacity.al/