Nën një fjalim para deputetëve të rinj të zgjedhur më 25 prill, sigurisht të PS-së, kryeministri Rama u tha atyre se duhet të lirojnë vendin nëse nuk arrijnë objektivat në terren.
“Me gatishmëri, duhet të nisim fushatë hapjeje për të krijuar mundësi të besueshme përfshirjeje për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e kësaj familjeje dhe duhet të rirreshtojmë bazat në terren.
Kush nuk e ka arritur objektivin, duhet t’ja lërë vendin dikujt tjetër dhe kush nuk ia ka zbardhur faqen kësaj shumice në nivelet ekzekutive, duhet t’ia lërë vendin dikujt tjetër”, tha Rama.
Për mandatin e tretë, ai premtoi një ndërhyrjeje për ta moralizuar administratën e politizuar.
“Të hapen një rrugë e re konkurrimi për çdo kënd që ka dëshirë të marrë pjesë në administrate, sipas aftësisë dhe meritës dhe jo sipas lidhjeve të lloj llojshme. Kjo do të jetë qasja e mandatit tonë të tretë dhe të gjithë të pedalojmë në të njëjtin drejtim dhe që askush këtu të mos pengojë por vetëm të kontribuojë me vullnet të mirë që administrata të çlirohet nga kthetrat e politikës”, theksoi i pari i qeverisjes.
Ndër të tjera, Rama vuri theksin te raporti i ri me PD-në.
“Mesazhi im i dytë është për të gjithë ju këtu: jini gati për ta braktisur llogoren e luftës së vjetër politike dhe për të çuar këtë frymë në të gjithë PS-në. Në aspektin me marrëdhënien me PD-në ky mandat i tretë nuk do t’i ngjajë në asnjë mënyrë dy të parëve.
Sado që ata të mos e pranojnë rezultatin, Shqipëria na ka dhënë besimin e madh dhe mbështetjen e plotë për ta udhëhequr dhe ne do ta bëjmë pa u marrë me politikën banale të përditshme.
Ne nuk kemi më një mandat për të luftuar me PD-në por për të çuar në fund punët e mëdha që kemi nisur dhe për të nisur punët e mëdha që duhen çuar në fund. Sharjeve të tyre ne do t’i përgjigjemi me idetë tona, kritikave të tyre ne do t’i përgjigjemi me mendje të hapur, baltës dhe sherrit të padobishëm ne do t’i kthejmë faqen tjetër“, tha Rama, duke zgjedhur kësisoj moralin e pretenduar kristian, që në fakt është po aq musliman. /sarandacity.al/