Një reagim në mbrojtje të figurës së Ardi Veliut, ish-Kryepolicit delvinjot të dorëhequr pak ditë më parë, ka ardhur nga Kolonel Hilë Lushakut.
Ai denoncon ata që shkruajnë jo mirë për Veliun dhe ofron një portret të tij, ashtu siç e ka njohur.
Reagimi:
“Hajde burrecë!
Kanë plasur kritikat për gabimet gjuhësore të dorëheqjes së z.Ardi Veliu. Kanë shpërthyer kritikat për aftësitë menaxhuese të tij në krye të policisë. Kanë plas çibanët e mllefeve dhe zeheri i pakënaqësive ndaj sjelljes së tij. Kanë dalë nga zgavra e kalbësirave si kërpudha mbi pleh disa vemje.
Janë trimeruar servilë e sunjur të kamufluar. Po japin vlerësime ata që as dinë të flasin e as dinë të shkruajnë. Sa turp dhe çfarë dobësie karakteri!
E njoha Veliun në detyrën e drejtuesit madhor dhe për hir të së vërtetës pohoj se ai ishte drejtori i policisë me përgjegjshmëri të lartë, i mbrujtur në karakter që në fëmijëri me rregull ushtarak dhe me formim profesional të lartë. Ai vlerësonte rigorozisht orientimet politike të ministrave të Brendshëm dhe punonte seriozisht me vartësit. Kurrë nuk mbaj mend ndonjë rast që ai të neglizhonte. Vlerësimet pozitive të publikut për besueshmërinë ndaj policisë, kanë edhe meritat e Veliut. Eshtë e vërtetë se Veliu ishte i rreptë, por ishte edhe bashkëpunues.
Disa të pakënaqur, që kanë postuar mbarë e mbrapsht, i njoh mirë, janë servilë të llastuar nga politika, të katapultuar nëpër poste pa merita, graduar me makinacione e “kombinime” marifetxhinjsh, të liruar e të ripranuar padrejtësisht, pa asnjë aftësi profesionale të dukshme, njerëz “sqetullash” me lesh të palarë.
Veliu ishte i arsimuar mirëfilli si polic, madje atje ku ka polici të fortë.
Nëse nuk kënaqi tekat e të paftëve nuk ka gabuar, mirë ka bërë. Nëse e anatemojnë militantë partiake, atij i lartësohen vlerat.
Nëse janë të pakënaqur gazetarët, është tregues se vlereson rolin e zëdhënësit dhe njeh e zbaton ligjin për klasifikimin e informacionit kriminal dhe tregon se policia nuk është sallahanë.
Ju urrejtës, sharës dhe trima pas betejës e burra të zotë tani që Veliun e larguan, bëni mirë të rrini në strofullin ku ishit gjatë këtyre viteve të ‘persekutimit’ tuaj. /sarandacity.al/