“Bregdet me ujëra të kristalta, turizëm mjekësor dhe dëshmi të diktaturës komuniste: atraksione të panjohura të Shqipërisë”, nis shkrimin revista e njohur franceze, “Petit Futé”, që botimin e radhës ia ka kushtuar vendit tonë.
“Shqipëria, një vend mes Italisë dhe Greqisë, ka pasur gjithmonë një shpirt europian. Në 30 vite demokraci, vendi i vogël ish-komunist duket se e ka kapur kohën e humbur dhe kjo vërtetohet kur i afrohesh qendrës së kryeqytetit Tiranë, pasi ke dalë nga aeroporti “Nënë Tereza”. I përmendur vitet e fundit si një destinacion trendi në artikujt dhe guidat turistike, Vendi i Shqiponjave rekomandohet jo vetëm për vijën bregdetare me ujërat e kristalta, por edhe për ecjet e mrekullueshme që mund të bëhen në malet e veriut dhe për gastronominë e tij tradicionale. Produktet natyrore dhe organike të disa rajoneve kontribuojnë për ta bërë atë një nga kuzhinat më të shëndetshme në Europë!”, shkruan për revistën franceze të guidave turistike, Tanguy Revault.
Turizmi mjekësor zbulimi i fundit i turistëve të huaj
Vitet e fundit, territori ballkanik, buzë Adriatikut dhe Jonit, është kthyer në një nga destinacionet e preferuara për ushtrimin e turizmit mjekësor. Dritan Gremi, themelues dhe drejtor i Klinikës Gremi, punon që prej më shumë se 10 vjetësh në fushën e turizmit dentar.
Më tepër se 15 mijë pacientë nga Italia, Franca, Belgjika, Anglia, por edhe nga vende më të largëta si Shtetet e Bashkuara të Amerikës frekuentojnë klinikën e tij. E vendosur në një nga rrugët më të njohura në qendër të Tiranës, kjo klinikë ofron trajtime të ndryshme: operacione të avancuara dentare, mbjellje të dhëmbëve, montim të kurorave, fasetave apo edhe protezave fikse dentare dhe implanteve të tjera dentare, të gjitha me cilësi të certifikuar CE. Mjekë të kualifikuar kujdesen për klientët të cilët përfitojnë nga teknologjia e avancuar. Falë sistemit të taksave në vend, ata përfitojnë edhe çmime shumë më të ulëta se ato në vendet fqinje të Europës Perëndimore.
Klinika ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke filluar nga pritja e pacientëve në aeroport e deri tek akomodimi i përfshirë në një nga strukturat komode hoteliere që i përkasin sipërmarrësit, dhënien e kujdesit dentar si dhe organizimin e vizitave turistike gjatë fundjavave. Kjo përfshin tendencën e re që tërheq shumë turistë evropianë: turizmi i lidhur me zbulimin e një ish-diktature. Ashtu si trendi i ri i momentit që bazohet në interesin për të kaluarën komuniste të vendit, dikur një nga diktaturat më të egra në rajon. Udhëtarët evropianë vijnë në numër të madh, kureshtarë për të eksploruar këtë trashëgimi.
Historia e Shqipërisë në kohën e diktaturës, një atraksion për turistët
Me gjithë pasionin e një njeriu që e do thellësisht vendin e tij, Dritan Gremi na zbulon një nga specialitetet e turizmit aktual në Shqipëri: njohjen e një ish-diktature komuniste. ‘Jeto si në kohën e komunizmit’, një nismë shumë interesante të cilën ai e konsideron si mision. Sipas tij, përballja e të huajve me regjime autoritare nga më të ashprat të Lindjes së kontinentit europian ka diçka thuajse ekzotike. Ndonëse nuk hyn në detaje rreth projektit, ai e bën të qartë se objektivi nuk është vetëm të ofrojë një udhëtim në të kaluarën komuniste, por edhe të ndajë disa nga përvojat e jetuara nga shqiptarët gjatë kësaj periudhe. ‘Është një mënyrë për të treguar se si kemi jetuar për 50 vjet, një detyrë kujtese për të mos harruar të shkuarën, e cila nëse harrohet rrezikon të përsëritet’, thotë ai.
‘Për shumë vite shqiptarët kanë jetuar në një sistem që ka pasur një ndikim të thellë në jetën e tyre. Më veçanërisht brezi i prindërve tanë që e kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre nën një sistem të krahasueshëm me atë të Koresë së Veriut të sotme. Është koha që tmerri i së kaluarës të përdoret për një arsye të mirë”, thotë ai.
Kthim në historinë e Shqipërisë dhe të diktaturës së Hoxhës
E sunduar me grusht të hekurt nga Enver Hoxha dhe sistemi komunist për më shumë se 45 vjet (1944-1990), Shqipëria ishte gjatë kësaj periudhe vendi më i izoluar në botë.
KUR
Pikërisht në maj dhe shtator moti është më i këndshme në Shqipëri dhe përgjithësisht në mes të sezonit. Atëherë shijohen qetësisht plazhet e Rivierës Shqiptare si dhe shëtitjet në parqe kombëtare dhe qytete të pambushura me turistë.
KOHËZGJATJA
Nëse me një udhëtim në qytet në fundjavë arrini të zbuloni kryeqytetin Tiranë, 10 deri në 15 ditë janë të këshillueshme për të shkuar nga një prefekturë në tjetrën dhe për të vizituar fshatra, zona arkeologjike dhe qoshe të natyrës. Një javë nuk është shumë për të përshkuar Rivierën Shqiptare dhe për të ndaluar në disa resorte bregdetare.
BUXHET
Shqipëria mbetet një destinacion shumë i përballueshëm. Ju mund të qëndroni në një hotel të rehatshëm për më pak se 100 € buzë detit. Qëndrimi me vendasit ose në një bujtinë për të rinjtë është akoma edhe më lirë. Gjithashtu hahet shumë mirë për 8 € dhe udhëtimi me autobus ose tren nuk rëndon në buxhetin e pushimeve.
PUBLIKE
Avantazhi me Shqipërinë është se ka diçka për të gjithë llojet e udhëtarëve. Për të apasionuarit pas ecjes në male, për ata që pëlqejnë historinë e lashtësisë me vende si Apolonia dhe Butrinti, dhe për familjet që duan të shijojnë diellin dhe plazhin në bregdetin e Adriatikut në ditët me diell.
MË SHUMË:
+ Një destinacion shumëplanësh: det i pastër, male, fshatra historikë dhe trashëgimi shekullore.
+ Një vend jo i shtrenjtë dhe i aksesueshëm për shumë buxhete.
+ Një territor ende i ruajtur nga turizmi masiv.
MË PAK
– Barriera gjuhësore.
– Rrugët ndonjëherë në gjendje të keqe. Kujdesi mbetet i domosdoshëm. /atsh/