Besimtarë muslimanë po festojnë Fitër Bajramin, finalizim i një muaji agjerimi, siç është Ramazani, një nga 5 shtyllat e besimit islam, e vetmja fe e zbritur nga Zoti dhe e vetmja e pranuar nga Zoti, siç theksohet në doktrinën islame. Ndryshe, për muslimanin kjo është një ditë rilindjeje, një ditë kur festohet te ai nisja e jetës nga e para, jo në kuptimin fizik por etik, duke qenë se Ramazani është një proces ku krijesa ripërtërin raportin me Krijuesin e tij, për t’u shpërblyer në fund me të qënit si ditën kur u lind nga nëna, i pastër nga çdo mëkat a gjynah. Pra, i rilindur.
Pse është e rëndësishme kjo?
Sepse në besimin islam, besimtari jeton me ndjenjën që pas ikjes nga kjo botë e pret përballja me Zotin, Krijuesin e tij, te i Cili do japë llogari për jetën si e jetoi, për të qenë më pas o banor i Xhenetit, lumturisë absolute dhe të përjetshme – nëse ka besuar e bërë vepra të mira – ose, mos o Zot, banor xhehenemi, vuajtje absolute dhe e përjetshme, nëse nuk ka besuar e bërë vepra të këqija. Kësisoj, prirja e besimtarit është për të qenë sa më i falur nga Zoti, sa më i pastër, sa më i dlirë, duke marrë prej Krijuesit bonuse të tilla, siç falja e çdo gjynahu pas një muaji agjerim, pas një muaji reflektim, ftillim, pendesë e kthim të fuqishëm te Krijuesi, afrim me Të, për ta fituar në fund këtë bonus hyjnor.
Ndaj dhe Fitër Bajrami është ditë rilindjeje për besimtarin musliman, ku vete fjala Fitër- fitre, përcjell gjendjen e foshnjës sapo vjen në këtë botë, krejtësisht i pastër. Fitra është dhe natyrshmëri njerëzore. Në doktrinën islame, njeriu lind musliman në thelbin e vet; krijesë që njeh Krijuesin, është i nënshtruar dhe i bindur ndaj Tij, e jeton jetën sipas urdhërave të Tij, lejesave dhe ndalesave, por ndodh që familja apo rrethana jetësore ta devijojnë nga kjo natyrshmëri.
Në Kur’an, Librin e zbritur nga Zoti, krejtësisht hyjnor dhe pa asnjë dorë njerëzore, unik dhe i pacenueshëm, i pakontestueshëm e aq më pak i kundërshtueshëm, ku Zoti shprehet në vetën e parë, sqaron dhe u jep përgjigje të gjithë pyetjeve apo dilemave njerëzore, duke e bërë të qartë se pse u krijua, se pse erdhi në këtë botë, si duhet ta kuptojë e jetojë atë, si dhe çfarë e pret me vdekjen, ose ndryshe kalimin në botën e amshueshme. Pikërisht aty, në Librin e Zotit, bëhet me dije nga vetë Zoti absolut, Krijuesi dhe sunduesi i gjithçkaje, i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarrim, se si ballafaqohet njeriu me të vërtetën sapo i vjen vdekja, atë të cilën e ka mohuar apo mosbesuar. Dhe kjo e vërtetë është ajo që nëse s’ka qenë musliman(besimtar adekuat në Zot), duhej të kish qenë, pasi natyrshmërisht si i tillë ka lindur. Cështja është ta kuptojë që në jetë botë, pasi në tjetrën nuk ka më kthim pas, edhe pse ai e kërkon me dëshpërueshëm diçka të tillë. /sarandacity.al/