Në Shqipëri, zjarret vazhduan edhe sot për të dhjetën ditë në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Pukë, Dibër dhe Elbasan. Forca të shumta ushtarake po punojnë për shuarjen e zjarreve në Gadishullin e Karaburunit dhe në fshatrat pranë tij për të shmangur hyrjen e flakëve në parkun e Llogarasë.
Autoritetet vlerësojnë si vatrat më të rrezikshme zjarret në Vlorë dhe në Karaburun, ku është djegur njëra faqe e malit, ndaj atje po punojnë 3 helikopterë për neutralizimin e zjarreve. Në atë zonë u riaktivizuan zjarret edhe në afërsi të bazës ushtarake të Pashalimanit, gjë që riktheu vëmendjen te mbrojtja e bazës.
Zjarre më të pakta u shfaqën në Cukal të Vaut të Dejës, në Fushë Arrëz, në Lukan të Dibrës, në Zogas të Skraparit dhe tek Gur i Zi të Elbasanit. Bashkimi Europian vuri sot në lëvizje Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për të ndihmuar në luftën kundër zjarreve vendet si Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Italia.
Për Shqipërinë pritet të vijnë dy helikopterë nga Çekia dhe Holanda. Zyrtarët shqiptarë po hetojnë nëse zjarret janë të qëllimshme dhe pohuan se kanë prova dhe arrestime të zjarrvënësve të dyshuar.
Vatra zjarresh vazhdojnë të jenë aktive në Gjirokastër, ndërkohë që dëmtimet në tre zona rurale janë të mëdha. Banorët thonë se zjarri që nisi pasditen e së martës i gjeti të papërgatitur dhe shumë prej tyre u shpëtuan falë zhvendosjes së shpejtë nga forcat e policisë dhe ushtrisë. Një person humbi jetën dhe disa të tjerë, përfshirë dhe efektivë të forcave të ushtrisë, morën ndihmë në spitalin civil të Gjirokastrës.
Në një peisazh tërësisht të shkrumbuar nga zjarret e një dite më parë , “Asim Zeneli”, një fshat i vogël rreth 5 kilometra larg nga Gjirokastra, duket se ka pësuar dëmtimet më të mëdha. Banorët u gjetën të papërgatitur teksa zjarri i një dite më parë, në pak minuta, i favorizuar dhe nga era iu afrua shtëpive plot gjelbërim duke rrezikuar jetët e shumë banorëve. Zjarri ka shkrumbuar jo pak sipërfaqe frutore dhe vreshtarie rreth tyre, por me dëmtime të vogla për mjediset e banimit falë ndërhyrjes së shpejtë.
Vojsava Shena thotë se vetë asaj iu dogj një sipërfaqe ullinjsh ku i biri kishte investuar 12 vite. Por gruaja thotë se është prekur thellë nga humbja prej zjarrit e një bashkëfshatari të saj, 64-vjecarit Andrea Haxhiaj që humbi jetën tek mbronte shtëpinë dhe bashkëshortja iu lëndua rëndë. Vojsava thotë se familjarët e saj i ka në Greqi dhe shpëtoi falë ndihmës që i dhanë forcat policore dhe zjarrfikësit.
“Më shpëtuan policët. M`u dogjën 120 rrënjë ullinj të djalit. Djalin e kam në Greqi. Mezi punoi 12 vite që ullinjtë të bëheshin. U dogjën edhe vreshta të tjerë dhe thamë hajde do bëhen prapë pa problem. Kur morëm vesh për këta bashkëshortët e mrekullueshm, njëri prej të cilëve humbi jetën, na ka helmuar në zemër dhe nuk rrimë dot në këmbë.”
Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi thotë se tre vatrat e zjarrit u shfaqën menjëherë gjatë ditës së djeshme dhe sollën dëme të mëdha që paraprakisht kanë nisur të vlerësohen.
“Jemi në përllogaritjen e dëmeve edhe për të parë situatën e vatrave të vogla që mund të aktivizohen. Janë në terren më shumë 156 forca të ushtrisë, forca të zjarfikësve të bashkisë së Gjiroakstrës për të shaur vatrat e vogla që po të riaktivizohet, erërat mund të bëhen problemtike. Kemi rreth 700 ha pyje, kullota, ara të djegura. Kemi rreth 10 ha vreshtari por ajo që është më e rënda është humbja e një jete njerëzore dhe kjo është fatkeqësia më e madhe që kemi pasur.”
Ndërsa në fshat është rikthyer jeta, banorët nuk do t`i harrojnë pamjet dramatike të zjarreve të një dite më parë që nuk mbahen mend në fshatin e tyre. Pak kilometër larg “Asim Zenelit” shtëpitë e fshatit Krinë mes gjelbërimit u rrezikuan nga flakët e zjarrit.
Zaharaq Londi thotë se i humbi ndjenjat i asfiksuar nga tymi dhe shpëtoi falë ndërhyrjes së emergjencave.
“Po mos të ishte policia dhe zjarrfikësja edhe unë do kisha vdekur edhe shtëpia do ishte djegur. Isha shtrië në shesh se u bllokova nga tymi dhe ata më shpëtuan”.
Zaharaqi thotë se vreshtat e rrushit, që janë dashuria e tij e jetës, u shkrumbuan.
“Po të vesh të shohësh rrushin se e kam në anë të rrugës është djegur. Unë nuk vete se jam me tension dhe kam frikë mos pësoj gjë. U nisa ta shihja pak nga larg, qava dhe ika.”
Fshatrat e vogla, të prekura ndjeshëm nga emigrimi, kanë pak banorë, kryesisht të moshuar dhe falë ndërhyrjes së evakuimit nuk pati humbje jete, por mes rasteve pati edhe banorë që nuk pranuan t`i lëshonin shtëpitë duke rrezikuar jetën .
Vatrat e zjarrit janë edhe sot të pranishme në përmasa të vogla dhe herë pas here në zonë lëvizin repartet e zjarrfikësve,ambulancat e ndihmës së shpejtë dhe trupa të ushtrisë. Kreu i shërbimti të Emergjencave Civile në Shqipëri Haki Çako thotë se kjo është nje periudhë e vështirë.
“Shqipëria ka kërkuar ndihmën e disa vendeve dhe Holanda dhe Çekia kanë ofruar helikopterë për shuarjen e zjarreve”, thotë zoti Çako.
Ndërsa pasojat e zjarreve bëhen edhe më të mëdha vit pas viti, vëmendja e publikut është shpesh në ndëshkimin e zjarrvënësve ku rastet pothuajse mungojnë plotësisht.
Lidhur me zjarret e fundit në Gjirokastër, policia po zhvillon hetime për shkaqet e rënies së tyre. Burime policore thanë se po hetohet mbi bazë të dëshmive që kanë dhënë vetë banorët në të tre zonat ku u shfaqën pothuajse në të njëtën kohë pasditen e së martës tre vatrat e fuqishme të zjarreve: në fshatin “Asim Zeneli”, fshatin Krinë dhe fshatin “Arshi Lengo”.
Zëdhënësja e policisë së Gjirokastrës Oltiana Nano i tha Zërit të Amerikës se mbi pesë persona janë pyetur dhe janë barinj që marrin me qera kullotat nga njësitë administrative, apo banorë. Deri tani nuk janë kryer arrestime, tha zonja Nano.
Nga rastet e hetuara edhe më parë barinjtë janë ndër personat më të dyshuar për zjarrvëninen e kullotave që më pas nuk arrihen të kontrollohen dhe përhapen masivisht.
Nënkryetari i bashkisë së Gjirokastrës Ylli Muho tha se ai kishte bindjen se shkakatarë të zjarreve të fundit janë barinj të papërgjegjshëm që kërkojnë të përmirësojnë kullotat duke e kthyer në katastrofë këtë situatë me temperatura mjaft të larta në muajt korrik dhe gusht. Zoti Muho tha se “nëse organet ligjzbatuese nga hetimet do të zbardhin autorësinë e barinjve për zjarret më të fundit, bashkia do të zhbëjë menjëherë kontratat në këto zona ku kanë ndodhur zjarret”.
Një ditë më parë Policia e Gjirokastrës tha se ndaloi një 59 vjecar nga fshati Valare në rrethinat e qytetit. Sipas policisë ai akuzohet për shkatërrim prone nga pakujdesia. Sipas policisë, personi i ndaluar duke djegur disa mbetje plastike në afërsi të pronës së tij është bërë shkak për një vatër zjarri më të gjerë ku është djegur një sipërfaqe toke me vreshtari.
Në vëmendje të publikut në situata të tilla të emergjencave nga zjarret mbetet gjithashtu kapaciteti i vogël me mjete dhe pajisje, sidomos i reparteve zjarrfikëse që varen nga pushteti vendor. Shumica e mjeteve të ndërhyrjes për fikjen e zjarreve janë të vjetra dhe jashtë standarteve për të vepruar në terrene të vështira, ndërsa efektivat përballen shpesh me mungesën e pajisjeve mbrojtëse nga zjarri. /VOA/