Srinivas S. shtrihet në sallën e operacionit në Spitalin St. John në Bengaluru, Indi, ndërsa kirurgët heqin me kujdes copat e indeve dhe kockat e kalbura nga fytyra e tij.
Shoferi 41-vjeçar është një nga më shumë se 45,000 indianë të infektuar me kërpudhat e zeza. Mukromikoza, siç quhet ndryshe, mori 4300 jetë në këtë shtet. Më shumë se 85 për qind e të infektuarve kishin koronavirus para se të prekeshin nga infeksioni, shkruan CNN.
Srinivas, u rikuperua nga koronavirusi dhe mendoi se më e keqja kishte mbaruar, por pastaj syri i tij i majtë filloi të fryhej aq shumë sa nuk mund ta hapte atë. Dhimbja ishte e mundimshme. Ai nuk kishte dëgjuar kurrë për kërpudhat e zeza, por u shqetësua kur syri dhe hunda filluan t’i rrjedhin gjak.
“Kishte shumë gjak, ndaj mendova: çfarë po ndodh?”, tha ai ndërsa ishte shtrirë në një shtrat spitali para operacionit të tretë për të hequr indin e infektuar.
Srinivas tha se ai shkoi në katër spitale para se mjekët ta diagnostikonin me kërpudhat e zeza dhe e referuan atë në spitalin e pestë ku më në fund mori trajtimin.
Para pandemisë, India kishte rreth 3,000 deri në 4,000 raste të mukormikozës çdo vit, sipas të dhënave të parlamentit indian nga ministri i Shëndetësisë Mansuk Mandavia.
Në atë kohë, sëmundja nuk ishte regjistruar, që do të thotë se shtetet nuk ishin të detyruara të raportonin rastet tek qeveria qendrore. Kjo ndryshoi në maj kur numrat filluan të rriteshin me shpejtësi. Deri në fund të qershorit, më shumë se 40,845 raste ishin raportuar në të gjithë vendin.
Dy javë më vonë, ky numër u rrit me rreth nëntë për qind, 45,374 raste.
Kërpudha e zezë është kriza e dytë indiane përveç COVID. Para këtij viti, ky infeksion ishte i rrallë në Indi, megjithëse ishte rreth 80 herë më i zakonshëm atje sesa në vendet e zhvilluara.
Ai shkaktohet nga mukormicket, një lloj kërpudhesh ndaj të cilit njerëzit ekspozohen çdo ditë, por kur sistemi i tyre imunitar shkatërrohet nga COVID, ata bëhen më të prekshëm nga infeksionet. Nëse nuk trajtohet, kërpudhat e zeza mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme të fytyrës, humbje të shikimit dhe vdekje – dhe shkalla e vdekjes është më shumë se 50 për qind.
Nuk ka ilaçe
Nuk ka asnjë mënyrë të shpejtë për t’u shëruar nga kërpudhat e zeza. Pacientët i nënshtrohen operacionit për të hequr indin e infektuar në një procedurë të njohur si debridement.
Ata pastaj trajtohen me një ilaç antifungale për të parandaluar ri-infeksionin. Tani, për shkak të numrit të njerëzve të infektuar, po shfaqet një problem i ri – mungesa e ilaçeve, të cilat India po përpiqet të zgjidhë me importet. /sarandacity.al/