Pak ditë më parë, një zjarr te “Sarajet” në qendër të Tiranës, një godinë karakteristike me status “Monument Kulture”, rihapi debatin mbi traditën e zhdukur nga furia e ndërtimeve. Siç u përfol, mes disa pronarëve të asaj perle kishte prej atyre që iu interesonte shembja e më pas përfitimi prej një ndërtimi aty, ndaj dhe flakëvënia u lidh me këtë interes.
Por a ka dhe Saranda “Sarajet” e saj me rrezik rrafshimi, pikërisht nga furia e ndërtimeve?
Një e tillë u zhduk më shumë se 10 vite më parë. Ishte ish-Shtëpia e Pionerit krah “Vilës Duraku”. Aty sot lartohet një pallat gjigand, jo ndonjë ndërtim shkëqlimtar. Ndërsa “Duraku” krah saj, ish-Turizimi i vjetër, shkëlqen pikërisht nga vijimi i ekzistencës me restaurim.
Ndërkohë, Saranda ka dhe “Saraje” të tjera dhe ndër to është ajo impozantja në hyrje të Rrugës 3, që vështirë të mos ngacmojë syrin me stilin dhe finesën, një model arkitektural toskan, ku dritaret janë me grila të modelit dalmat, siç shpjegon një zonjë që rri aty dhe e menaxhon atë pronë. Pra është “Vila Babameto”, e datuar që në vitet ’40.
Feimeja, një grua shkodrane, bijë Babametosh të Gjirokastrës, ka një lidhje të pashoqe shpirtërore me atë vilë dhe thotë se ajo kurrë s’do mund të shembet. Siç shpjegon ajo, ofertat kanë qenë të shumta e të majme, por që tre pronarë të saj janë dakortësuar që vila të jetë ajo, sigurisht, më mundësinë e rikonstruksionit të plotë një ditë, duke lënë të hapur funksionin, pra atë se për ç’do shërbejë.
Feimeja kujton me respekt ish-kryebashkiakun Çipa, që sipas saj kishte një ndjeshmëri ndaj asaj vile dhe një gadishmëri për të kontribuuar në kthimin e shkëlqimit të asaj perle në hyrje të qytetit.
Historia e vilës nis me Haki Babameton, mjeku i parë i Gjirokastrës, mjek në Nivicë për tre vite, nga ’36-ta në ’39-ën, i cili do e blente atë tokë për të vëllanë tregtar, Shahin Babameto, i cili nga ana e tij do ndërtonte pikërisht këtë vilë ku do qëndronte gjatë stinës së verës me bashkëshorten, duke ia hapur dyert dhe për familjarë të tjerë që do vinin me pushime.
Shahini, shtëpinë e rregullt e kishte në Aliko, aty në një çiflig të tij dhe, siç thotë Feimeja, te kjo vilë vinte me kalë.
Më pas, pas luftë ajo u shtetëzua si shumë të ngjashme, e sot, edhe pse është rimarrë nga pronarët, vuan, siç mund të shihet dhe me sy të lirë, një ndërhyrje plot pikëpyetje estetike e pronësore nga pas. Është diçka e pangjashme me vila të tilla. Feimeja e vuan këtë dhe thotë se është ndër ato çmenduri pronësore të paskomunizmit.
Ajo, tej kësaj vile, ka një vandak letrash që i përgjigjen sa e sa çështjeve pronësore, të përqendruara sidomos aty ku sot jeton minoriteti.
E rëndësishme: Vila Babameto – thënë me gjuhën e Sarajeve të Tiranës – nuk do të digjet!
Por çfarë ka aty brenda? Ka një mobilim të thjeshtë ku mbizotëron druri, por gjithçka duket tranzitive, deri në një vendim final restaurues.
Bijnë në sy një palë shkallare të drunjta, si dhe tavanet e dhomave gjithashtu të tilla.
Për momentin ngjan e vetmuar, ku veç Feimeja i jep jetë nga jeta e saj. Ajo thotë se hera herës vijnë të huaj, veç me rekomandim. Por në perspektivë ajo e sheh atë si një krenari të familjes së saj, Babametove me nam, e gjithashtu Sarandës.
Ndaj dhe nuk ka asnjë ekuivok: aty s’do ketë kurrë pallat, do jetë vetëm ajo, Vila Babameto! /sarandacity.al/