Profesor Përparim Kabo, një ndër ata zëra e mendje të jetës publike plot mbrësëlënie kur kumton, paçka se për çfarë dhe pse, ka një raport të atillë me Sarandën e jo thjesht si borshiot, pra sarandiot, që të bën të reflektosh se çdo të thotë ta duash këtë qytet.
Forma e përshkrimit të kësaj dashurie është një leksion më vete, sidomos për çdokënd që vendos një tullë në këtë qytet, dhe në formën e një firme vendimmarrëse.
Kësisoj, përgjatë dhe në fund të kësaj interviste, Saranda të cilën e jeton çdo ditë të ridimensionohet dhe e kupton se ky qytet është dhe duhet të jetë i denjë për ndenja të holla, të fisme, të përkora….
Kur daton raporti yt i ngushtë me Sarandën?
Nëse bëhet fjalë për një dashuri, data fikse, muaji apo viti, nuk do të mjaftonin për ta shprehur atë. Unë e dua Sarandën që nga fëmijëria e hershme. Kur mbërrita për herë të parë pas një udhëtimi sfiltës, gjiri i detit, shtrirja e qytetit dhe gjelbërimi më habitën, më mrekulluan, më frymëzuan. Në hyrje të qytetit ku sot ka godina betoni ishin disa pemë dekorative dhe ekzotike si xhixhibanozi, ekualipte dhe banane…Ato pakëz ditë që qëndrova më dhanë të kuptoja se njerëzit e këtij qyteti ishin ndryshe, rrezatonin një kulturë në të veshur, në komunikim dhe në sjellje. Qetësia e qytetit në drekë kur njerëzit pushonin, shërbimet nëpër lokale dhe gjithçka tjetër që përbëjnë një qytet si qendër e banuar urbane më tronditën pozitivisht. Më ndodhi si edhe thotë Honore de Balzak, “në dashuri ka rëndësi puthja e parë”. Mua më ngjiti kjo “puthje” fëmijë-qytet. Kuptova më mirë pse familja ime me rrënjë nga kjo zonë ishte e tillë, e prirur nga urtësia, nga dituria, nga dialogu tolerant, nga paqja e gjërë si deti në qetësinë kur dielli nderet tutje horizontit.
A është një dashuri me “faza të caktuara”apo gjithnjë e njëtrajtshme?
Nga natyra nuk jam dashnor stinor, sepse dashurinë e shoh si një ndjenjë sublime jo thjesht emocionale por edhe si një lloj “bese” e marrëdhënieve ku parimet janë respekti dhe mirëkuptimi. Çfarë do të thotë të respektosh një qytet? Kjo është më shumë se një pyetje. Duhet t’i respektosh historinë, rrënjët që nga krijimi, kontributet, raportet me qytetet e tjera, ngjarjet që kanë ndodhur, dialogjet ndërkulturore, zhvillimin e arsimit dhe kulturës, të artit dhe të shkencës, të ekonomisë, agrokulturës, transportit, frutikulturës, qëndrimin ndaj trashëgimisë historike, si dhe kontributet në ndeshje të mëdha si edhe janë luftërat e në veçanti ato botërore. Unë e dua Sarandën pa kushte, pa interes, pa përfitime personale. Edhe ajo ashtu me do si birin e vet që kurrë nuk i bërë një dëm qytetit, por gjithëherët mendoi dhe punoi si mund t’i jepte diçka nga vetja; si e si që qyteti të mos humbte nga shkëlqimi historik dhe si të takonte një zhvillim të ri në përputhje me kushtet konkrete në periudha të ndryshme.
Mund të jeni dhe kritik për Sarandën post-90-ës, por duket se ftohje nuk ka, përkundrazi, veneracioni yt për këtë qytet vijon. Pse?
Qytetet ndryshojnë, zhvillohen, rriten, ndaj ndryshojnë pamjen dhe morfologjinë urbane, por…ah ka një poooorrrr të gjatë. Qytetit nuk duhet t’i vritet kujtesa shpirtërore dhe materiale sepse fyhet e shkuara, injorohet tradita, lihen përtej derës së historisë kontributi i brezave të shkuara. Unë kur shoh kudo jo vetëm në Sarandë që, ky kujdes mungon apo nuk është i plotë, sigurisht që lëndohem. Edhe një pemë, edhe një godinë, edhe një rrugë, edhe një mur, edhe një monument natyror, edhe një mbetje arkeologjike, bart histori, është Sarandë. Çdo brez antropologjik ka detyrime si për të kaluarën ashtu edhe për zhvillimin e qëndrueshëm që i shërben brezave që do të vijnë. Ky lloj zhvillimi duhet të përkujdeset për ambientin, natyrën, detin, tokën dhe hapësirën monumentale qoftë ky peisazh natyror, urban apo historik.
Qyteti nuk është si fytyra që mbushet me botoks për t’u dukur e re.
Qyteti, sa më i vjetër të jetë aq më shumë vlera ka; është për këtë arsye që pjesa historike e qytetit kudo në botë konservohet dhe mirëmbahet me kujdese enkas. Bashkim Europian ka projekte dhe jep fonde për investime të tilla të kujdesit të programuar. Si edhe thonin hebrenjtë e vjetër: “Kujtesa ka gjithmonë të drejtë”.
Si rrjedhojë nëse sëmurim apo dëmtojmë kujtesën, ne po aq dëmtojmë dhe të drejtën. Eh, pa të drejtën çdo lloj historie çalon. Betonizimi i Sarandës është një veprim i dëmshëm ekologjik por edhe urban, është një politik urbane kundra kujtesës dhe traditës. Kjo lloj politike zhvillimi po e dëmton qytetin i cili shumë shpejt do lëngojë nga braktisja, duke mos qenë më një pikë turistike tërheqëse. Unë edhe në këto kushte nuk jam tërhequr. Pas nismës për organizimin e Konferencës së Qytetit që u mblodh tre vite dhe pastaj u ndal, unë dorëzova zyrtarisht një projekt për Sarandën si “Green City”- “qytet i gjelbër”, paçka se deri më tani kam marrë si përgjigje heshtjen, unë nuk ligështohem dhe as tërhiqem. Dashuria nuk është profesion, është dhënie nga vetja pa interes material.
Je njeri i shëtitur. Me kë të ngjan Saranda në botë?
Mbase do duket disi zhgënjyese përgjigjia ime, por me as edhe një qytet. Saranda është e bukur në llojin e vet, me detin, kodrat, malet, bimësinë, me zonën e thellë jugore aq të bukur nga Ksamili deri në Konispol, me liqenin e Butrintit, me fushën e Vurgut, me ansamblin historik arkeologjik të Butrintit, me Syrin e Kaltër, me Kalanë e Lëkursit, por edhe me të gjitha ato pasuri arkeologjike që ende nuk janë zbuluar dhe flenë prej shekujsh nëndhe. Jo jo, Saranda ime, dashuria ime nuk ka një të dytë në botë. Nuk dua që këtë mëvetësi sa historike aq edhe konkrete ta ngjasojë bazuar në parime që lidhen me lëvizjen, turizmin apo tregun. Respektoj çdo qytet, fshat, krahinë, rajon apo shtet, kontinent dhe kulturë e civilizm, por jam shumë krenar kur them: Unë jam nga Borshi i Sarandës!
Nuk ka dyshim për Sarandën tërheqëse në pranverë e verë, por a mund të qenë tillë dhe në vjeshtë e dimër?
Sigurisht që Saranda është e bukur dhe tërheqëse jo vetëm në stinët e një mbipopullimi turistik. Saranda duhet të jetë e gjallë dhe tërheqëse edhe në vjeshtë dhe në dimër. Në këto stinë ajo nuk duhet të sillet si e zbrazur, si e heshtur apo si e fjetur. Unë kam ide se si gjallërohet edhe në këto stinë, dhe i afroj ato pa interes monetar. Saranda ka nevojë së pari të ndërtojë “Fondacionin Miqtë e Sarandës”. Edhe për këtë strukturë projektidetë i kam. Duhet vullnet institucional dhe empati në bashkëpunim.
Saranda me pak investim, me dashuri pa kushte dhe me shumë ide do të mund të kthehet në një të ardhme shumë të afërt në një destinacion botëror turistik gjithëstinor. Unë besoj, ju ftoj dhe juve të besoni. Saranda më ka besuar që në krye të herës kur i thashë “unë të dua ty”…Aso kohe isha fëmijë dhe fëmijët janë të çiltër si edhe është e vërteta…/Revista Saranda/