Në krizën e paralajmëruar energjitike, për të cilën kryeministri Rama pati një tjetër sqarim publik në bashkëbisedim me median, u shtrua dhe çështja nëse do ketë ndërprerje.
Përgjigja e të parit të qeverisë qe e atillë që la të kuptohet se ky lloj skenari nuk çohet në mend, edhe pse solli si argument faktin se Britania e Madhe ka në plan ndëprerjen e energjisë.
“Nëse do ishte dimër pa drita do ju thonim bëhuni gati. Ne po diskutojmë të mbrojmë konsumatorët nga furtuna. Mbyllja e dritave do ishte kollaj fare po nuk jemi këtu për t’i bërë kollaj gjërat.
Sot Britania e Madhe po paralajmëron një plan kufizimesh, ndërprerje të energjisë. Italia e ka rritur 40% çmimin në faturë. Nuk ka ndodhur në Shqipëri”, tha Rama.
Ai foli dhe për pikun e krizës, që sipas tij llogaritet të jetë në gjysmën e 2022-ës, pra në nisje të sezonit turistik.
“Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm, edhe pas përballimit të krizës çmimet nuk do kthehen aty ku ishin, po për ne është e rëndësishme të mbrojmë konsumatorin tonë, sipas prioriteteve, do fillojmë nga ata që janë më nevojë dhe duke u ngjitur lart…”, theksoi i pari i qeverisë. /sarandacity.al/