Ky sezon që po lëmë pas dalëngadalë, në Shqipëri, sidomos në Sarandë, foli me gjuhën e serbëve. Ishin pikërisht këta që pushtuan plazhet e Jugut, duke u bërë, ironikisht krah kosovarëve, prurja e madhe turistike gjatë sezonit.
Këto sinjale të një dashurie serbe ndaj plazheve shqiptare u dhanë që rreth 4-5 vjet më parë, ahere kur ishin skandinavët apo polakët ata që dominonin.
Kështu, Aleksandër Niqiforoviç nga Novi Pazari vendosi të kalojë pushimet në Shqipëri më 2017, dhe siç shkroi atëherë Blic, në fillim kishte një paragjykim, por shpejt ndryshoi mendjen e tij për këtë vend.
“Qëndrimin e ndryshova qysh në ditën e parë. Plazhet janë të pastra, çmimet në kafene dhe restorante janë më të ulëta se në Novi Pazar, stafi në restaurante dhe njerëzit janë miqësorë, veçanërisht për ne nga Serbia.
Më të moshuarit madje flasin edhe serbisht dhe bisedojnë me ëndje me banorët nga vendi ynë. Absolutisht askush i kushton rëndësi politikës dhe as që flet rreth saj”, do thoshte Aleksandri.
Aleksanderi tha se ka mbetur i kënaqur me detin, plazhet, rërën dhe njerëzit. Dhe kështu ka nisur të mendojë për blerjen e një prone në bregdetin shqiptar, shkruante Blic-i serb.
“Ne besojmë se ky është një investim i mirë, me potencial të madh turistik dhe ne besojmë se vitin e ardhshëm do të jetë një nga destinacionet kryesore. Sigurisht që çdo vit do të jem atje (në bregdetin shqiptar)”, do thoshte Aleksandri.
Por a ka ardhur ai sërish? Sipas trendit, po! /sarandacity.al/