Që në vitin 2005, ku Saranda kish nisur të marrë famë turistike, një arkitekte amerikane do merrej me sheshin qëndror të qytetit. Në një intervistë dhënë për gazetën Shekulli, mundësuar nga gazetari Thoma Nika, ajo flet, ndër të tjera, për një ore diellore që do kishte ky shesh, si dhe për një pemë të veçantë.
Sheshi u rikonstruktua, por ora dhe pemët nuk u bënë të mundura.
Më poshtë është intervista, e cila i përket datës 27 janar 2005.
Prej dy muajsh ka nisur zbatimi i projektit me autore Judy Green, arkitekten amerikane pranë bashkisë, që në 2700 m2 të sheshit kryesor sjell orë diellore, kaskadë ujore, shkallare me gurë të skalitur, ndriçim të fshehtë, gjelbërim, pemë dhe stola ndenjës për qytetarët-
Për më se dy muaj vazhdon rikonstruksioni i sheshit kryesor të qytetit, kundrejt një fondi inevstimi prej 30 milionë lekësh. Koncepti kryesor me të cilin bëhet ky rikonstruksion është që të kthehet në një qendër këmbësore dhe në një oaz europianizues të qytetit. Rreth transformimit konceptual që i bëhet sheshit kryesor të qytetit, me sipërfaqe 2700 m2, flet Judy Green, autore e projektit, e atashuar në bashki nga Korpusi amerikan i Paqes.
Cili do të jetë imazhi dhe funksioini i sheshit në përfundim të rikonstruksionit?
Elementi i parë që do të sjellë imazhin e ri është veshja e sheshit kryesor dhe i rrugës së parë në tërë shtrirjen dhe gjatësinë e tyre me pllaka mozaiku, të përmasave 10 x 20 x 6 cm. Ka edhe materiale të tjera që do të përdoren në sheshin kryesor, përvec pllakave mozaik. Është fjala për gurin e skalitur, që unë mësova se është pjesë e traditës së Sarandës. Për këtë arësye gjykova se është me vend që guri të gjejë përdorim tek disa breza shkallaresh që do të jenë elemente të arkitektuirës së sheshit.
Edhe një orë diellore kini menduar t’i jepni sheshit?
Është vërtetë dhe e saktë, edhe një orë diellore do të zerë vend në shesh, pikërisht në qendër të tij, Ora diellore do të jetë dekorative, si një simbol i asaj që Saranda me klimën e saj tipike mesdhetare, aq sa ju i thoni ndryshe “qytet i diellit”, përderisa gjatë vitit numërohen të paktën 300 ditë të tilla, të ngopura me diell. Njëherësh, ora diellore ka për të qenë edhe funksionale, e cila në ditë me diell do të shënojë për këdo orën e saktë. Ajo do të jetë prezente në shesh pothuaj gjatë tërë vitit, përvec muajve dhjetor-janar, kur vendin e saj do ta zerë pema dekorative e Vitit të Ri, me lartësi 13 metra.
Cfarë elementë të tjerë përmban projekti juaj?
Edhe një kaskadë ujore është projektuar për të qenë e pranishme në sheshin kryesor të qytetit. Kaskada, me lartësi 1 metër, është e vendosur në pjesën lindore të tij, ku bëhet mbyllja e pjesës qendrore të sheshit dhe do jetë alternative me podiumin e koncerteve të sheshit. Kaskada do të jetë e ndriçuar gjatë natës në stilin modern e jo tradicional, që kemi parë deri tani.
Ndricimi do të jetë gjithashtu një element befasues?
Ai do të përdoret edhe në shkallaret e gurta të sheshit dhe realizohet me llampa neoni të fshehura nën to. Rrezja e tyre jep efekte evidentimi jo vetëm për shkallaret, por edhe për mozaikun e logos së bashkisë. Përmasat e pllakave që do të përdoren për të dhënë imazhin e logos do të jenë më të vogla se të tjerat, përvec që këtu do të përdoren edhe pllaka guri të skalitur, të mbushura me metal të shkrirë.
Ju jeni arkitekte gjelbërimi në specialitetin tuaj, cfarë sejll fantazia juaj në këtë fushë?
Po, është e vërtetë, disa projekte parqesh të miat kanë marrë jetë edhe në Izrael, ku kam qenë para Shqipërisë. Kjo eksperiencë më ka ardhur në ndihmë edhe për gjelbrimin dhe hijezimin e sheshit të Sarandës. Atje ku mbaron kaskada ujore, në pjesën qendrore të sheshit, vendosen 4 pemë të llojit “Xhakaranda”, e cila është një pemë mesdhetare që lidh lule me ngjyrë blu në lejla dhe ka aromë të këndshme gjatë gjithë pranverës. Duke qenë arkitekte urbaniste, kam kujdesur që tek sheshi të jenë prezente edhe vijat e bardha, realizuar gjithashtu me pllaka mozaik, kalimi përmes të cilave bën lidhjen e sheshit me trotuaret dhe rrugët fqinje me të. Ato krijojnë mundësi dhe lehtësi kalimi edhe për invalidët, duke pasur në zonën e vijave të bardha edhe disa plane të pjerrët në shërbim të mjeteve të tyre.
Çfarë do t’i bëjë këmbësorët të ndjehen në qetësinë e tyre në këtë shesh?
Sheshi ka trajtën e një trekëndëshi me sipërfaqe të përgjithshme 2700 ketërkatror. Si ai edhe anërruga përbri tij, humbasin funksionet e parkimit të autoveturave, që e kanë deri sot, ndërkohë që në shërbim të këmbësorëve kjo sipërfaqe vihet edhe me zgjerimin e trotuarave, të cilët, me këtë koncept, dyfishohen në gjerësinë e tyre nga 2 në 4 metra. Përgjatë tyre mbillen pemë me kurorë të dendur, të cilat bëjnë hijezimin e dëshiruar gjatë stinës së verës dhe përdorimin e tyre nga qytetarët, se do të ketë edhe stola dekorativë, ku mund të pushohet. Nga ana tjetër, pemët realizojnë ndarjen e nevojshme vizive të qendrës nga objektet. /sarandacity.al/