Në dhjetor të vitit të kaluar, Alpha Bank njoftoi arritjen e marrëveshjes për shitjen e filialit të saj në Shqipëri te grupi hungarez OTP. Procesi i shitjes pritet në mbyllet në gjysmën e parë të këtij viti dhe do të shënojë largimin e një prej investitorëve të fundit strategjikë grekë të mbetur në Shqipëri.
Eksodi i kapitalit grek nga Shqipëria dëshmohet qartë nga shifrat e Investimeve të Huaja Direkte. Në fund të tremujorit të tretë 2021, stoku total i investimeve greke në Shqipëri kishte vlerën e 249 milionë eurove. Që nga viti 2017, kur arritën nivelin maksimal prej 1.27 miliardë eurosh, stoku i investimeve greke në Shqipëri ka pësuar rënie me më shumë se 80%.
Kjo periudhë përkon me shitjen e disa prej investimeve më të mëdha strategjike greke në Shqipëri. Në periudhën 2018-2019 u mbyll shitja e NBG Bank Albania, Tirana Bank dhe Telekom Albania. Tkurrja e investimeve greke në vitet e fundit duket qartë edhe në flukset e ulëta të regjistruara të investimeve të reja.
Për 9-mujorin 2021, fluksi hyrës neto i investimeve të reja greke ishte vetëm 16 milionë euro, ndërsa për të gjithë vitin 2020, kishte qenë 23 milionë euro. Ndërkohë, për periudhën 2018-2019, flukset neto të investimeve greke kishin qenë negative, përkatësisht për 28 milionë euro dhe 9 milionë euro.
Numri i ndërmarrjeve greke ka rënë me 46% në pesë vjet
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në fund të vitit 2020, në Shqipëri vepronin 367 ndërmarrje me kapital grek (përfshirë edhe ato me kapital të përbashkët).
Ecuria e numrit të ndërmarrjeve me kapital grek ka tendencë të njëjtë me tendencën e stokut të investimeve. Firmat me kapital grek janë pakësuar me 14.6% krahasuar me vitin 2019 dhe me 46%, krahasuar me vitin 2015.
Rënia e numrit të ndërmarrjeve greke është e prekshme edhe në terma relativë. Në vitin 2020, ndërmarrjet me kapital grek përbënin 6% të numrit të ndërmarrjeve me kapital të huaj në Shqipëri, ndërsa në vitin 2015, ato përbënin më shumë se 11% të totalit.
Në vitin 2020, ndërmarrjet me kapital grek gjeneruan 5.3% të shitjeve të firmave të huaja në Shqipëri, nga 7% që ishte pesha e tyre në vitin 2019 dhe 10.3%, në vitin 2018.
Ndërmarrjet greke kontribuonin me 6.1% të punësimit total të ndërmarrjeve të huaja në vitin 2020, nga 7.6% që ishte ky tregues në 2019 dhe 10.2% në vitin 2018.
Sektorët ku ndërmarrjet greke kanë një peshë më të lartë specifike kundrejt volumit të përgjithshëm të shitjeve të realizuar nga firmat e huaja në vitin 2021 rezultuan ndërtimi, me 11.1%, i ndjekur nga tregtia me 6.6% dhe shërbimet e tjera, me 5.7%.
Grekët ikin nga sektori bankar
Në fillimin e viteve 2000, Greqia ishte një nga investitorët e huaj më të rëndësishëm në Shqipëri. Prania greke ishte e theksuar veçanërisht në sektorë strategjikë të ekonomisë, si bankat apo telekomunikacionet. Katër prej bankave tregtare, në fillimin e mijëvjeçarit të tretë, ishin banka me kapital grek.
Këto banka luajtën rol të rëndësishëm në procesin e rritjes së sektorit bankar shqiptar, që u përshpejtua sidomos pas vitit 2004, me privatizimin e ish-Bankës së Kursimeve. Në vitin 2008, kur faza e rritjes së shpejtë të sektorit bankar arriti kulmin, bankat me kapital grek zotëronin pothuajse 28% të aktiveve totale të sektorit bankar.
Viti 2008 shënoi fillimin e krizës financiare që gradualisht nisi të shtrinte pasojat edhe në Shqipëri. Ky moment shënoi edhe fillimin e rënies graduale të peshës së bankave greke në tregun bankar shqiptar. Bankat me kapital grek rezultuan ndër më të prekurat nga përkeqësimi i cilësisë së aktiveve të sektorit bankar. Në një masë të madhe, kjo reflektoi edhe një menaxhim më të dobët, sidomos për disa banka të veçanta.
Largimi i parë i një marke greke nga tregu bankar, në fakt, erdhi si rezultat i një operacioni të tërthortë. Grupi francez Credit Agricole pati blerë bankën greke Emporiki në vitin 2006, por kriza që preku Greqinë, pak vite më vonë, i dha një goditje të rëndë edhe bankës në fjalë.
Francezët vendosën ta shisnin bankën greke për çmimin simbolik 1 euro në vitin 2012, por të ndarë nga shumica e filialeve ndërkombëtare, që mbetën në zotërimin e Credit Agricole. Mes tyre, ishte edhe banka shqiptare e grupit Emporiki, që në 2012 mori emrin Credit Agricole Albania. Por, edhe kontrolli direkt francez mbi bankën pati jetë të shkurtër.
Credite Agricole Albania ishte një nga bankat më të goditura nga kriza e kredive të këqija dhe grupi francez vendosi ta nxjerrë në shitje në vitin 2015. Në momentin e shitjes, banka kishte një raport të kredive me probleme afërsisht 50% dhe kishte akumuluar dhjetëra milionë euro humbje në bilanc. Për këtë arsye, shitja e Credit Agricole Albania nuk ishte një garë se cili ofronte më shumë, por se cili kërkonte më pak para për ta marrë bankën.
Përfundimisht, fitues rezultoi fondi NCH Capital, me një çmim real prej -10 milionë eurosh, që konsistoi në përfitimin e blerësit të të drejtave mbi borxhin e varur që banka shqiptare kishte kundrejt grupit francez. Keqësimi i gjendjes së bilanceve në tregun bankar shqiptar u gërshetua edhe me pasojat e krizës së borxhit sovran grek dhe më gjerësisht, me efektet e krizës në rregullimin e tregjeve bankare europiane.
Grupet bankare greke, që vuajtën pasoja të rënda nga kriza e borxhit sovran dhe efektet që ajo shkaktoi në ekonomi, u detyruan të hartonin plane rimëkëmbjeje, ku angazhoheshin të dilnin nga shumica e tregjeve të huaja, për të konsoliduar aktivitetin e tyre në Greqi. Në këtë mënyrë, Grupi i Pireut dhe Grupi i Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) nxorën në shitje filialet e tyre në Shqipëri.
Në vitin 2018, ABI Bank fitoi garën për blerjen e NBG Bank Albania. Çmimi i shitjes nuk u bë publik, por sipas burimeve nga tregu, vlerësohet se ishte rreth 25 milionë euro.
Po në atë vit, nisi edhe procesi i shitjes së Tirana Bank. Grupi Bankar i Pireut arriti marrëveshje për shitjen e filialit shqiptar te konsorciumi i përbërë nga grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka, për 57.3 milionë euro. Operacioni u mbyll zyrtarisht vetëm në vitin 2019, me marrjen e miratimeve të nevojshme rregullatore nga Banka e Shqipërisë dhe nga Autoriteti i Konkurrencës.
Në fund të muajit maj 2021, edhe grupi i fundit bankar grek, Alpha Bank, vendosi të nxjerrë në shitje filialin e vet në Shqipëri. Ky lajm ishte relativisht i papritur, pasi mendohej se procesi i shitblerjeve dhe përqendrimit të sektorit bankar në vend, që kishte nisur në vitin 2015, ishte ezauruar.
Grupi grek e argumentoi vendimin mbështetur në performancën financiare dhe përfitueshmërisë e bankës, që, mesa duket, është cilësuar e pakënaqshme nga aksionerët. Në përfundim të procesit, në dhjetor të vitit të kaluar, Alpha shpalli arritjen e marrëveshjes me grupin OTP, për një shumë prej 55 milionë eurosh.
Tregu celular ngelet “gjysmë grek”
Kapitali grek luajti rol shumë të rëndësishëm edhe në një tjetër treg strategjik, atë të telekomunikacioneve. Në vitin 2000, kompania publike e telefonisë celulare, AMC, u ble nga një konsorcium i kontrolluar prej kompanisë greke OTE/Cosmote.
Një vit më vonë, licenca e dytë e telefonisë celulare u ble nga një “joint venture” i grupit Vodafone. Formalisht, Vodafone Albania është një kompani me kapital holandez (kontrollohet nga dy kompani holding të grupit Vodafone të regjistruara në Holandë).
Megjithatë, njëra nga kompanitë aksionere është filiali grek i grupit Vodafone dhe nga pikëpamja operacionale dhe menaxheriale, Vodafone Albania historikisht është kontrolluar nga kompania greke. Gjithashtu, edhe investitori tjetër, OTE/Cosmote, në vitin 2008 u ble nga gjiganti gjerman Deutsche Telekom, por, në mënyrë të ngjashme me Vodafone, edhe AMC (më vonë Telekom Albania) ngeli në sferën e kontrollit dhe menaxhimit të Cosmote Greqi.
Faza e parë e zhvillimit të tregut celular në Shqipëri, ku në treg vepronin dy operatorë, u karakterizua nga çmime të larta të komunikimit dhe fitime të jashtëzakonshme për operatorët, me norma EBITDA që arrinin në kufijtë e 60%.
Vetëm pas vitit 2008, me vendosjen nën rregullim të tarifave dhe me hyrjen në treg të operatorit të tretë, tregu u bë më konkurrues dhe fitimet nisën rënien. Rënia e përfitueshmërisë e shtyu grupin grek ta nxirrte në shitje operatorin Telekom Albania në vitin 2018.
Pas një procesi të ndërlikuar dhe refuzimit të qeverisë shqiptare për të lejuar shitjen tek dy ofertuesit më të mëdhenj, Telekom Srbija dhe Albtelecom, në fund Telekom Albania u ble nga konsorciumi bullgar Albania Telecom Invest, për 50 milionë euro. Këtyre iu shtuan edhe rreth 400 milionë euro fitime të akumuluara në periudhën 2001-2010, që Telekom Albania ua transferoi aksionerëve pak para ndryshimit të pronësisë.
Fitimet e kësaj periudhe ishin investuar kryesisht në obligacione të emetuara nga grupi mëmë, OTE. Duke qenë se shitja e kompanisë së bashku me fitimet e mbartura do të kërkonte një çmim shumë më të lartë, grupi grek vendosi që ta shiste kompaninë vetëm me kapitalin e vet të regjistruar prej afërsisht 814 milionë lekësh.
Po në vitin 2018, një tjetër investitor i rëndësishëm grek, spitali Hygeia vendosi të shesë aktivitetin në Shqipëri, që në afërsisht një dekadë kishte akumuluar 2.7 miliardë lekë humbje. Hygeia u ble nga Spitali Amerikan, për 1 milion euro, duke marrë përsipër edhe rreth 30 milionë euro borxhe dhe detyrime të tjera.
Investitorët e tjerë të mëdhenj grekë në Shqipëri tashmë janë të pakët. Njëri prej tyre është grupi Titan, që zotëron Antea Cement, një nga prodhuesit kryesorë të çimentos në vend, me fabrikën e vendosur pranë Fushë-Krujës. Megjithatë, formalisht edhe kjo kompani rezulton si një investim qipriot, sepse grupi grek Titan e kontrollon përmes një filiali të regjistruar në Qipro.
Këmbimet tregtare kanë rënë në dekadën e fundit
Vitin e kaluar, Shqipëria importoi nga Greqia mallra në vlerën e rreth 64 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 17.4%. Pas vitit 2015, vërehet një rimëkëmbje e importeve nga Greqia dhe të paktën në vlerë absolute importet greke janë rikthyer pranë niveleve që shënonin në vitin 2009, para se fqinji jugor të prekej nga kriza. Por, nëse i analizojmë shifrat në terma relativë, ato tregojnë se rënia e pranisë së kapitalit grek në Shqipëri është shoqëruar paralelisht edhe me një rënie, në afatin e gjatë, të peshës specifike të Greqisë si partner tregtar i Shqipërisë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se për vitin 2021, Shqipëria importoi nga Greqia rreth 8% të importeve totale, nga 9% që kishte qenë pesha e importeve greke një vit më parë. Për dekadën e fundit, 2012-2021, periudhë që përfshin në një masë të madhe efektet e krizës greke, nga Greqia kanë ardhur mesatarisht 8.5% e importeve.
Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitet pararendëse. Për vitin 2005, importet greke përbënin 16.4% të totalit, ndërsa për periudhën 2005-2011 nga Greqia erdhën mesatarisht 14.3% e importeve. Këto statistika dëshmojnë qartë se pesha e Greqisë si treg i blerjes së mallrave që importohen në Shqipëri ka rënë ndjeshëm në dekadën e fundit. Mallrat kryesore që Shqipëria importon nga Greqia për vitin e kaluar ishin ato ushqimore, me 25.5% të totalit, të ndjekura nga produktet e grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji”, me 22.9%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 16.7% të totalit dhe “Produkte kimike e plastike”, me 14.5%.
Një tendencë e ngjashme në rënie, por në përmasa disi më të kufizuara vërehet edhe për eksportet shqiptare drejt Greqisë. Vitin e kaluar, Shqipëria realizoi 21.4 miliardë lekë eksporte drejt Greqisë, me një rritje vjetore prej 62% dhe duke shënuar vlerën më të lartë historike të eksporteve drejt këtij vendi.
Për vitin 2021, eksportet drejt Greqisë përbënin 5.8% të eksporteve totale shqiptare, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme, madje duke arritur peshën më të lartë specifike që prej vitit 2009. Megjithatë, e matur si mesatare afatgjatë, pesha e Greqisë ka pësuar rënie në dekadën e fundit edhe në eksporte.
Për periudhën 2012-2021, eksportet drejt Greqisë zinin mesatarisht 4.3% të eksporteve totale shqiptare, ndërsa për periudhën 2005-2012 ato përbënin 7.9% të totalit. Mallrat kryesore që Shqipëria eksportonte drejt Greqisë vitin e kaluar ishin ato të grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji”, me 33.2% të totalit, të ndjekura nga “Tekstile dhe këpucë”, me 23.3% dhe produktet ushqimore me 17.7%.
Transfertat nga Greqia, 9% të totalit
Greqia, së bashku me Italinë, ishin dy portat kryesore të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe dy vendet kryesore të valës masive të emigracionit që përfshiu Shqipërinë pas rënies së regjimit komunist. Sipas vlerësimeve të INSTAT, në vitin 1995 Greqia ishte vendi kryesor i emigracionet shqiptar, me pothuajse 46% të emigrantëve aktivë.
Në dy dekadat në vijim, pesha e Greqisë ka pësuar rënie, sepse emigracioni shqiptar u drejtua drejt vendeve më të zhvilluara të BE-së. Megjithatë, sipas vlerësimit më të fundit, atij të vitit 2019, Greqia ishte ende një ndër vendet kryesore të emigracionit shqiptar, me 35.3% të totalit, duke u renditur e dyta, pas Italisë. Duke qenë se INSTAT e vlerëson diasporën shqiptare në afërsisht 1.7 milionë njerëz, mund të përllogaritet se në Greqi jetojnë rreth 600 mijë shqiptarë.
Në 30 vitet e fundit, ky komunitet ka luajtur rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, kryesisht nëpërmjet remitancave të dërguara për familjet e tyre në Shqipëri. Statistikat nuk japin informacion për ndarjen e remitancave sipas vendeve të origjinës.
Megjithatë, një publikim i Bankës Botërore për tregun e remitancave në Shqipëri i vitit 2017, jep disa të dhëna të pjesshme për strukturën e remitancave sipas shteteve të origjinës, të mbështetura vetëm në dërgesat nëpërmjet bankave dhe Operatorëve të Transfertave të Parave. Sipas të dhënave të cituara në këtë raport, transfertat nga Greqia përbënin rreth 9% të transfertave hyrëse nga jashtë. Renditja kryesohej nga Italia, me 29% të totalit, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, me 24% dhe Gjermania me 15%.
Këto të dhëna tregojnë se pesha e Greqisë, të paktën për pjesën e transfertave në kanalet formale, është relativisht e ulët në raport me numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë aty. Kjo mund të shpjegohet me faktin që emigracioni shqiptar në Greqi është relativisht i hershëm dhe i përqendruar kryesisht në dekadën e parë pas rënies së regjimit komunist.
Remitancat kanë një cikël normal rënieje me kalimin e viteve, për shkak se emigrantët integrohen në vendet ku jetojnë dhe lidhjet e tyre me vendin e origjinës dobësohen gradualisht.
Një faktor tjetër që besohet se e ka ndikuar ndjeshëm mundësinë e emigrantëve shqiptarë në Greqi për të kontribuar në dekadën e fundit ka qenë edhe kriza ekonomike greke që nisi më shumë se një dekadë më parë. Ndërkohë, valët më të reja të emigracionit shqiptar, ato të dekadës së fundit, kanë qenë kryesisht në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe Britaninë e Madhe.
Këto valë të reja emigracioni kanë sjellë një rimëkëmbje të remitancave në vitet e fundit dhe në mënyrë të tërthortë shpërndarja e kontributeve reflektohet edhe në strukturën e remitancave sipas vendit të origjinës.
Vizitorët nga Greqia, rreth 5% e totalit
Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u regjistruan rreth 277 mijë hyrje të shtetasve të huaj nga Greqia. Zbutja e kufizimeve ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e hyrjeve të shtetasve nga Greqia, me 36.4% më shumë krahasuar me vitin 2020.
Megjithatë, numri i vizitave prej shtetasve nga ky vend është ende larg niveleve të para pandemisë. Sipas INSTAT, në vitin 2019 ishin regjistruar gati 600 mijë hyrje të shtetasve nga Greqia në Shqipëri.
Periudha pas pandemisë ka shënuar edhe një rënie të ndjeshme në peshën specifike të hyrjeve nga Greqia kundrejt hyrjeve totale të shtetasve të huaj në Shqipëri. Për vitin 2021, ky raport ishte 4.9%, nga 7.6% një vit më parë. Pesha më e lartë e vizitave nga Greqia në strukturën e hyrjeve të shtetasve të huaj në gjashtë vitet e fundit është shënuar në vitin 2017, me 9.6% të totalit. /Monitor/