Çfarë pret bota në vitin 2024? Edhe pse kjo është një pyetje që pothuajse askush nuk mund t’i përgjigjet plotësisht me siguri, kjo nuk do të thotë se nuk ka njerëz që mund të japin mendimin dhe parashikimin e tyre.
Njëri prej tyre është bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili publikoi parashikimin e tij në blogun e tij për atë që na pret në vitin 2024, domethënë se si teknologjia do të ndikojë në shëndetin, arsimin dhe fuqinë punëtore.
Në gjashtë faqe, një term përsëritej vazhdimisht – inteligjenca artificiale. Konkretisht, Gates është i bindur se është inteligjenca artificiale ajo që do të stimulojë një seri të tërë risive.
Inovacioni është arsyeja pse jetët tona janë përmirësuar kaq shumë gjatë shekullit të kaluar. Nga energjia elektrike dhe makinat te mjekësia dhe aeroplanët, inovacioni e ka bërë botën një vend më të mirë, shkruan Gates, që me gjasë, për shumëkënd, e ka gabim.
Por Gates është i vetëdijshëm se teknologjia nuk po pranohet në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën shpejtësi në mbarë botën. Ai vlerëson se inteligjenca artificiale do të luajë një rol të rëndësishëm në SHBA pas një viti e gjysmë deri në dy vjet. Nga ana tjetër, vendet në Afrikë ndoshta do të ngecin dhe do të arrijnë të njëjtin nivel vetëm në tre ose më shumë vjet.
AI do të transformojë punët tona
Për Bill Gates, inteligjenca artificiale nuk është asgjë e re. Për të flitet prej kohësh dhe disa forma janë në përdorim prej vitesh. Por ai pranoi se viti 2023 ishte hera e parë që u përdor seriozisht inteligjenca artificiale për punë dhe kjo vetëm do të intensifikohet në vitet e ardhshme.
Ai thotë se tashmë ka prova se përdorimi i teknologjisë si një ndihmë në punë mund të ndihmojë punonjësit të lulëzojnë. Nga mjetet e inteligjencës artificiale të brendshme te chatbot-et e disponueshme publikisht dhe mjete të ndryshme.
Por Gates gjithashtu pranon se ai nuk e kuptonte plotësisht se si të përdorte më së miri inteligjencën artificiale në punë. Dhe është i bindur se me një problem të tillë përballen edhe një numër i madh i njerëzve.
Është e vështirë të thyesh zakonet e vjetra, shkruan Gates.
Doktor AI
Një nga fushat që po përjeton më shumë ndryshime nën ndikimin e inteligjencës artificiale është sigurisht mjekësia dhe kujdesi shëndetësor. Megjithëse po bëhet shumë punë në zhvillimin e inteligjencës artificiale që mund të ndihmojë mjekët apo edhe të zbulojë simptomat e sëmundjes më mirë se ata, Gates thekson se mund të presim një bum të madh teknologjik në mjekësi në fund të kësaj dekade.
Megjithatë, ai pranoi se është i vetëdijshëm për disa projekte që përpiqen të përdorin fuqinë dhe aftësitë e inteligjencës artificiale për të zgjidhur problemet urgjente mjekësore në botë, si – rezistenca ndaj antibiotikëve, trajtimi i shtatzënive me rrezik të lartë dhe vlerësimi i rrezikut HIV.
Si për kujtesë, Gates investon miliona dollarë përmes fondacionit të tij në zgjidhjen e problemeve shëndetësore në mbarë botën, kryesisht në vendet më të varfra. Ai nuk ka specifikuar se sa e suksesshme ka rezultuar AI në projektet që përmendi.
Profesor AI
Arsimi ka pësuar ndryshime të mëdha vitet e fundit. Për shkak të pandemisë, breza të tërë studentësh mësuan nga distanca, duke zotëruar fillimisht teknologjinë dhe më pas bazat si shkrimi apo leximi, dhe duket se transformime të tilla vetëm do të vazhdojnë.
Gates ka përmendur tashmë se përdorimi i inteligjencës artificiale në klasa mund të ndryshojë mënyrën se si ne do mësojmë në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme. Por tani ai e rishikoi këtë vlerësim.
Ai i quajti të pabesueshme mjetet që përdorin AI, të cilat tashmë janë të disponueshme për të gjithë sot. Para së gjithash, ai i referohej MATHia dhe Khanmigo, mjete që mund të ndihmojnë shumë në mësimin dhe shpjegimin e materialit për fëmijët. Kjo, thekson Gates, nuk do të thotë se mësuesit do të bëhen të tepërt, por se me ndihmën e inteligjencës artificiale do të mund t’u qasen nxënësve në mënyrë të personalizuar dhe t’u mundësojnë atyre të përdorin motivimin ose të gjejnë motivim për lëndë të caktuara. Gjithsesi, e gjithë kjo do të sjellë një barrë shtesë për mësuesit, të cilët do të jenë të parët që duhet të përshtaten me teknologjitë e reja në punën e tyre. /sarandacity.al/