Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se bukuria që Shqipëria ofron duhet të jetë e garantuar me të gjithë elementët e sigurisë.
Në fjalën e saj në konferencën “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, një organizim i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministrja Kumbaro tha se “referuar shifrave të 3 muajve të fundit, 1 në 5 njerëz në Shqipëri ka qenë shtetas i huaj e po ashtu kontratat e konfirmuara nga sektori privat që tregojnë për 30% më shumë se vitin që shkoi, flasin për pritshmëri të larta në flukse turistike”.
“Prandaj garantimi i sigurisë është një përgjegjësi e lartë, veçanërisht në bregdet në muajt e pikut të sezonit turistik veror”, tha Kumbaro.
“I kemi filluar takimet me turoperatorët, me të gjithë prefektët dhe me kryetarët e bashkive bregdetare me të cilët do të vijojmë të jemi në një komunikim të pandërprerë 24 orë për çdo problematikë. Do të vazhdojë komunikimi intensiv dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit përmes flotës së dedikuar të Policisë Kufitare për kontrollet mbi operimin e mjeteve motorike detare si skafe, motorë uji, gomone, jahte etj.”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “kemi certifikuar mbi 110 operatorë të turizmit detar dhe askush nuk do të mund të ushtrojë aktivitetin e turizmit detar dhe ujor nëse nuk do të jetë i pajisur me certifikatën përkatëse, dhe kjo vlen edhe për hapësirat e tjera ujore, si liqeni i Pogradecit, lumi i Shalës apo liqeni i Komanit dhe mjetet do të bllokohen nga Policia e Shtetit nëse operohet pa certifikimin në Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit”.
Sipas saj, nuk diskutohet prania e panegociueshme e vrojtuesve të plazheve për çdo stacion si dhe gjithë sinjalistika orientuese për pushuesit.
“Ky detyrim është po aq i domosdoshëm edhe për plazhet publike që menaxhohen nga bashkitë. Stafi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të jetë gjatë gjithë sezonit veror në inspektim dhe me kompetenca të shtuara, pas ndryshime të fundit ligjore”, tha Kumbaro.
Përveç porosive për mbarëvajtjen e sezonit turistik në bregdet, ministrja Kumbaro shtoi se vitin e shkuar 4.5 milionë turistë vizituan Zonat e Mbrojtura.
“Është shumë e rëndësishme siguria gjatë eksplorimit të terreneve malore, duke kërkuar shërbimin e guidave lokale për të shmangur incidentet”, shtoi Kumbaro.
E gjej me vend, vijoi Kumbaro, të bëj edhe një thirrje për të gjithë turoperatorët dhe eksploruesit e zonave malore, të kërkojnë shërbimin e guidave kombëtare apo lokale që operojnë në zonat përkatëse, për të shmangur çdo incident, sepse përveçse kushton jetën e shëndetin, vendosim në rrezik edhe ekipet tona, por ka edhe kostot e veta.
“Janë mbi 600 udhërrëfyes të certifikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Me ligjin e ri të turizmit, kemi krijuar edhe më shumë lehtësi nga burokracitë certifikimin e udhërrëfyesve, prandaj përfitoj edhe nga ky rast për të ftuar këdo që ka pasion turizmin të investohet në këtë profesion”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Në fund të fjalës së saj, Kumbaro u shpreh se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të intensifikojë rolin e saj monitorues dhe në mbrojtje të standardeve në turizëm. /tesheshi.com/