Zyrat e Këshillit të Qarkut në Vlorë u thyen mesnatën e 11 tetorit. Grabitësit hynë nga dritarja në zyrën e zëdhënësit për median dhe më pas thyen dyert e zyrave të Drejtorisë së Administrimit e Mbrojtjes së Tokës, ku shkulën dorezat e dollapëve prej kompensate që mbajnë dokumentet e tokës bujqësore të shpëndarë nëpërmjet ‘ligjit 7501’ dhe u larguan bashkë me disa dosje.
Grabitja zgjati më pak se 5 minuta, por ajo nuk ishte një ngjarje e rëndomtë. Sipas Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas saj qëndron përpjekja për të fshehur gjurmët e një skeme kriminale të orkestruar nga disa zyrtarë shtetërorë për tjetërsimin e tokave në bregdet me vlerë prej miliona eurosh.
Një javë pas grabitjes, në pranga përfunduan drejtori i DAMT-së në Qarkun Vlorë, Bardhyl Gjika, paraardhësi i tij Klodian Troci, specialisti Kreshnik Mino si dhe Spiro Duni nga fshati Dhërmi. Të katër të ndaluarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tjetërsuar pronësinë e 63 mijë metrave tokë në fshatin Dhërmi. Gjika dhe Mino dyshohen gjithashtu se inskenuan edhe vjedhjen e dokumenteve të pronave në zyrat e qarkut.
Të mërkurën, Gjykata e Apelit Vlorë vlerësoi masën e sigurisë ndaj të pandehurve, duke lënë në paraburgim Gjikën, Trocin dhe Dunin, ndërsa Mino u la në arrest shtëpie.
Përveç punës në DAMT, Troci ka shërbyer më parë edhe si drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë.
Vëllai i tij, Ilir Troci i tha BIRN se akuza ishte një histori e stisur nga persona që kërkonin ta dëmtonin Klodianin, i cili kishte pasur përplasje fizike për shkak të punës në Kadastër dhe ruhej me roje private përpara arrestimit.
Alpin Aga, avokati i Spiro Dunit deklaroi se Prokuroria e Vlorës nuk kishte asnjë provë për fajësinë e klientit të tij.
“Nuk kanë asnjë provë shkencore se është Spiro Duni autor i falsifikimit,” tha Aga.
Arjan Isufi, avokati i Kreshnik Minos i mohoi akuzat ndaj klientit të tij, ndarkohë mbrojtësi ligjor i Bardhyl Gjikës nuk ishte i arritshëm për koment.
Tjetërsimi i tokës në Drimadhë
Ligji 7501 “Për tokën”, i miratuar në 19 korrik 1991 dhe i ndryshuar pesë herë deri në vitin 2004 ka rregulluar shpërndarjen e tokës bujqësore familjeve që ishin anëtare të ish-kooperativave bujqësore. Të dhënat për tokat bujqësore të shpërndara nëpërmjet ligjit 7501, ruhen në Drejtoritë e Administrimit e Mbrojtjes së Tokës në secilin qark.
Me klimë të butë dhe ujëra të kristalta, bregdeti i Jonit që shtrihet në bashkitë Vlorë, Himarë dhe Sarandë, përbën një nga zonat më popullore turistike të Shqipërisë.
Zhvillimi i shpejtë i turizmit në këtë zonë gjatë viteve të fundit ka sjellë një rritje eksponenciale të vlerës së tokës dhe fatkeqësisht nuk kanë munguar rastet e tjetërsimit të pronësisë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet falsifikimeve, shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.
Për shkak të konflikteve, akuzave për korrupsion dhe tjetërsimeve të paligjshme të pronës, gjatë dy viteve të fundit, Agjencia Shtetërore Kadastrës Vlorë, ASHK ndërroi 10 drejtues – një prej të cilëve ishte dhe Klodian Troci.
Sipas Prokurorisë së Vlorës, skema e ngritur nga të pandehurit për tjetërsimin e pronave në Dhërmi ka zgjatur disa vite.
Në vitin 2019, i pandehuri Spiro Duni aplikoi për ndryshimin e zërit kadastral në DAMT-në e qarkut Vlorë për një sipërfaqe toke prej 590 m2 në fshatin Dhërmi, të cilën ia kishte shitur tre vite më parë tre personave, pjesë e një prone më të madhe prej 8250 m2 të trashëguar nga i ati – i cili e kishte marrë në pronësi nëpërmjet ‘ligjit 7501’.
Në vijim të të njëjtit transaksion, Duni aplikon sërish në DAMT në shkurt 2020, ku kërkon “pajisje me vërtetim të dhënash nga formularët”. Dy muaj më vonë, në prill 2020, DAMT-ja i kthen përgjigje Dunit dhe sipërfaqja totale e tokës që i ishte transferuar babit të tij nga shteti në vitin 1994 rritet me 1,510 m2.
Sipas Prokurorisë së Vlorës, veprimet e paligjshme mbi kartelën e kësaj pasurie janë kryer nga specialisti Mino dhe janë konfirmuar nga ish-drejtori i DAMT-së, Klodian Troci. Në nëntor 2020, Troci u largua nga DAMT për të rimarrë postin e drejtuesit në ASHK-në e Vlorës.
Në 11 prill 2021, kur Troci drejtonte Kadastrën, Spiro Duni aplikon në ASHK për të marrë dokument pronësie mbi parcelën në Dhërmi me sipërfaqen e tjetërsuar.
Në ndjekje të procedurës së lëshimit të dokumentit të pronësisë, ASHK në 21 prill 2021 i kërkon DAMT-së Vlorë një kopje të aktit të marrjes të tokës përdorim – i njohur si AMTP, nga Thoma Duni – babai i Spiros dhe familja e tij bujqësore.
Brenda ditës, drejtuesi i ri i DAMT-së, Bardhyl Gjika i kthen përgjigje ASHK-së, duke dërguar kopje të dokumenteve dhe formularit, ku sipas prokurorisë falsifikimi është i “dukshëm me sy të lirë”.
Milona euro me një të rënë të lapsit
Të dhënat e përftuara nga agjencitë imobiliare tregojnë se në fshatin Dhërmi, një metër katror tokë kap një vlerë tregu më të madhe se 100 euro.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, 1510 m2 që iu shtuan në mënyrë të paligjshme pronës së Spiro Dunit janë vetëm maja e ajsbergut të falsifikimeve në zyrat e Qarkut Vlorë.
Në kërkesën për masë sigurie të depozituar në Gjykatën e Vlorës thuhet se përveç rastit të Spiro Dunit ekzistojnë dyshime edhe për 3 persona të tjerë, të cilët dyshohet së kanë përfituar nëpërmjet falsifikimit 59 mijë m2 tokë. Vendimi i masës së sigurisë nuk sqaron nëse këto persona janë nën hetim dhe as se kush ka aplikuar për ndryshimet në dokumentet e pronësisë.
Në njërin rast, dokumenti i marrjes në përdorim të tokës me sipërfaqe 670 m2, është tjetërsuar duke i vënë një dysh përpara dhe duke e zmadhuar sipërfaqen në 2,670 m2. Në rastin e dytë, një sipërfaqe prej 9,910 m2 e regjistruar në vitit 1994, është njehsuar nga DAMT e Vlorës në vitin 2020 me një sipërfaqe totale prej 52,510 m² – duke i shtuar pronës 42,600 m2 përmes korrigjimeve.
Në rastin e tretë ekzistojnë tre akte të ndryshme të marrjes së tokës në përdorim të lëshuar në të njëjtën datë – njëri me sipërfaqe 6,700 m2, i dyti me sipërfaqe 12,000 m2 dhe i treti me sipërfaqe 20,820 m2.
Ndërkohë, një prej personave të përmendur në hetim – i cili kishte përfituar një sipërfaqe prej 4,885 m2 në Dhërmi, nuk duhet të ishte përfitues në bazë të ligjit 7501, pasi ishte zhvendosur nga Himara në Tiranë në vitin 1960.
Në vendimin e Gjykatës së Vlorës për masën e sigurisë shkruhet se dokumentet e falsifikuara kishin kaluar në shumicën e rasteve nga Gjika në rolin e specialistit te Troci si drejtues i DAMT-së.
Sipas vendimi të Gjykatës së Vlorës, mbi 63 mijë m2 tokën në bregdet janë tjetërsuar kur Troci dhe Gjika kanë drejtuar zyrën e DAMT-së së Qarkut Vlorë. /reporter/