Pas një ditë kuqezi në përkujtim të Pavarësisë, ngrtjes së flamurit në Vlorë, pra pas 28-ës, vjen 29-ta e diskutueshme dhe e debatueshme. Për të majtën, kjo është dita e Çlirimit, por për të djathtën jo. E gjithë çështja, prej nga 90-ta e këndej, ka mbetur te “gjermani i fundit”, se kur e la ai Shkodrën duke kaluar në Mal të Zi, me 28 apo 29?
Pra, prej më shumë se tre dekadash, kur në pushtet është PS festohet data 29 si Ditë Çlirimi, duke vijuar kështu tradita e regjimit komunist, ndërsa kur është PD festohet data 28 si e tillë, duke u bërë një unifikim i dy ngarjeve historike.
Logjikisht, duhej të ishte 28-ta, sipas rregullit të ndjekur nga Ismail Qemali, të paktën sipas filmit Nëntori i Dytë, i cili zgjodhi këtë datë si vijim i aktit skendërbejan të ngritjes së flamurit në Krujë, pra me 28 të atyre moteve. Kështu që dhe çlirimi duhej të ishte me 28 për të qenë pra tre nëntorë historikë në një datë të vetme. Dhe në fakt kështu ka qenë vitin e parë të çlirimit, pasi marshimi triumfues i Enver Hoxhës në Tiranë ka qenë me datë 28 dhe jo 29. Sipas mendimit politik të djathtë, që jo dosmosdoshmërisht ka lidhje PD-ja me të, e cila ka vuajtur e vuan nga mungesa e një djathtizmi klasik, data 29 ishte një ngjizje politike me datën e çlirimit të Jugosllavisë, ndodhur kjo brenda një konteksti politik të kohës.
Ndërkohë, ndryshe nga Dita e Flamurit, për Ditën e Çlirimit nuk ka një prodhim kinematografik të posaçëm, siç Nëntori i Dytë për Pavarësinë.
Filmi më përfaqësues i luftës, njëherësh marrjes së pushtetit nga komunistët, është “Radiostacioni”, dedikuar çlirimit të Tiranës, me skenar të Kadaresë. Është në fakt një film që tej promovimit të heroizmit partizan, me aktin simbolik të mbetjes pa njërin krah të Mete Aliut teksa hidhte një bombë brenda bunkerit gjerman në betejën e përgjakshme për marrjen e Radio Tiranës, shpërfaq ndoshta pavetëdijshëm terrorin e saponisur komunist.
Filmi ka si epilog një telefonatë të Enver Hoxhës në Radiostacion, duke kontaktuar stafin e atyshëm partizan, me partizanen që meket dhe gati i ndalet fryma kur kupton se po flet me vetë Komandatin e Përgjithshëm, shokun e Enver.
Kështu, nëse 28-ta është Dita e Flamurit, 29-ta është po ashtu një ditë flamuri, ama me një yll mbi shqiponjë, që gjithsesi nuk është që nga 92-shi. /sarandacity.al/