Sipas të dhënave, Shqipëria kaloi një sezon turistik që e mposhti pandeminë, konkludon Monitor.
Sipas kësaj reviste ekonomike, Shqipëria mirëpriti deri në fund të shtatorit 4.9 milionë shtetas të huaj, ku peshën kryesore e kanë mbajtur muajt e verës.
Krahasuar me vitin 2019, i cili është edhe viti më i mirë historik i turizmit, shifra e 9-mujorit 2021 është 10.7% më pak teksa për gushtin kjo diferencë ishte vetëm 1.3% duke treguar qartësisht rikuperim të turizmit në vitin e parë post-pandemik.
Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, citohet nga Monitor të jetë shprehur se shumica e strukturave akomoduese në vijën bregdetare ishin të rezervuara gjatë tre muajve të verës.
Shqipëria u deklarua si një vend COVID-Free duke mos vënë kufizime për të gjithë ata që donin ta vizitonin dhe kjo sipas Zak Topuzit nga Shoqata e Hotelierëve, ka qenë një nga faktorët i cili ka ndikuar në bilancin pozitiv.
“Arsyeja kryesore që ka nxitur rritjen e numrit të turistëve të huaj, lidhet me faktin që Shqipëria aplikoi një politikë të dyerve të hapura ‘Covid Free’ gjatë vitit 2021 për të gjithë ata që donin ta vizitonin, ndërkohë që bota u mbyll dhe vendet e BE-së vendosën rregulla shtesë për hyrjen apo daljet në vendet e tyre, duke kaluar deri në masa ekstreme si karantinim të detyrueshëm në kthim”, shprehet Topuzi, cituar nga Monitor.
Më tej konkludohet se “turizmi patriotik” ka qenë ai që ka mbizotërua sërish.
“Vendin e parë, pa dyshim, e zë turizmi patriotik me shqiptarët e Kosovës së pari dhe ata nga Maqedonia e Veriut së dyti. Duhet thënë që rajoni në tërësi ka shfaqur interes për Shqipërinë dhe në këtë grup bëjnë pjesë edhe serbët, numri i të cilësive ishte me një rritje të dukshme në raport me një vit më parë. Sigurisht dominon pjesa e atyre që vijnë të paorganizuar, me makinat e tyre, me autobusë apo avion por pa pasur agjenci që i koordinon”, ka pohuar Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.
Ndërkohë, referuar shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave lidhur me lëvizjen e shtetasve deri në muajin gusht, në periudhën 9-mujore hyrjet nga Kosova përbënë 49% të të gjithë fluksit turistik të vendit, nga 37% në virin 2019.
Mbi 2.3 milionë shtetas nga Kosova vizituan Shqipërinë nga janari deri në fund të shtatorit 2021, me një rritje 18% në raport me vitin normal 2019. Kjo rritje ka kompensuar disi rënien nga vende të tjera, kryesisht nga BE që kishin vizituar vendin tonë më 2019.
Maqedonia e Veriut ishte vendi i dytë pas Kosovës me prurjet e larta turistike në Shqipëri. Gjatë 9-mujorit 2021, vendin e vizituan 468 mijë shtetas nga Maqedonia kryesisht shqiptarë të trojeve, por numri i tyre ishte me rënie në krahasim me vitin 2019 me rreth 27%, konkludon Monitor. /sarandacity.al/