Drejtues të Parkut të Butrintit kanë ndarë historinë interesante të Qerim Azem Çukajt, një personazhi të rrallë, jeta e të cilit u lidh pikërisht me Parkun, e tij dhe e familjes, ku aty i lindën dhe fëmijët.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Guidave zgjodhëm të nderojmë ciceronin e parë të Butrintit, Qerim Azem Çukaj.
Duke qenë invalid lufte si pjesëmarrës në Luftën Nacional Çlirimtare në çetën ‘Çamëria’ dhe më pas në Brigadën XIX sulmuese, me kërkesën e tij në vitin 1951 Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe e emëroi kujdestar të Butrintit.
Ai së bashku me familjen e tij jetonte në Butrint, në kalanë e Akropolit ku madje lindën edhe tre nga pesë fëmijët e tij”, shkruhet nga Parku, duke vijuar me detaje të tjera:
“Kushtet e jetesës ishin të vështira nga mungesa e ujit, e infrastrukturës (ende nuk ishte ndërtuar rruga automibilistike) dhe lëvizja kryhej vetëm me bezinatë që ishte një anije e vogël peshkimi prej druri.
Gjatë punës së tij si kujdestar ai shpalosi edhe dëshirën e tij për të mësuar më shumë rreth historisë dhe arkeologjisë së Butrintit prandaj, arkeologu Dhimosten Budina përgatiti një fletore ku shpjegonte historikun në tërësi dhe çdo objekt në veçanti.
Budina me pëlqimin e Institutit autorizoi Qerimin si ciceron për të shoqëruar të gjitha grupet e vizitorëve të çdo niveli. Përgjithësisht vizitorët e Butrintit në ato vite ishin njerëz të pushtetit dhe të huaj kryesisht rus e francezë.
Fëmijët e tij kujtojnë momentin e vizitës së Hrushovit në Butrint pasi atyre iu ndalua dalja nga banesa dhe babain e tyre të veshur vazhdimish me uniformën ushtarake.
Karakteristikë e cila e shoqëronte që nga koha e luftës dhe kishte brumosur tek ai disiplinën ushtarake që e shfaqte në punën e tij si kujdestar dhe ciceron.
Falenderojmë familjarët e Qerimit për kujtimet që ndanë me ne!”, mbyllet mesazhi përshkrues i drejtuesve të Parkut. /sarandacity.al/