Ndër reagime, përshtypje apo mbresa për ikjen nga kjo botë të Adem Dacit, virtuozit më të madh të kitarës në Sarandë, veçon dhe një i Sejmen Gjokolit.
Ai rrëfen se si, prej të ndjerit, në kohën e famës së madhe të tij, ai si spektator i një shfaqjeje në Tiranë të Estradës së Sarandës, ku luante dhe i ndjeri, përfundoi në Komisariati.
Ja ç’shkruan ai:
“Kam qëndruar ca orë në komisariatin te “Mine Peza” për këtë artist.
Duhet të ketë qënë 1975 ose ’76, isha student në Tiranë.
Kishte ardhë estrada e Sarandës dhe si i “marrosur” që isha për ti ndjekur, kisha prerë bileta dhe për 3-4 shokë të ngushtë dhe po ndiqnim shfaqien, në sallën e Estradës së Tiranës, te Rruga e Trenit, mbas Muzeut Kombëtar.
Diku nga mesi, prezantohet një pjesë me kitarë të luajtur nga Adem Daci.
Filloi orkestra, kitaristi i jashtëzakonshëm…
Në fund një stuhi e tërë duartrokitjesh dhe të bërtiturat , “biz” që nuk pushonin.
Sipas traditës Kitaristi doli , përshëndeti dhe doli prapë nga skena.
Salla e pa përmbajtur, vetëm duartrokitje dhe fishkëllima…
Mbas pak qetësinë e vendosi orkestra dhe Ademi me një pjesë tjetër me kitarë.
Mbaroi, përshëndeti dhe largohet nga skena.
Salla përsëri ndizet nga duartrokitjet, gërshëllimat, brohorimat…stuhi.
Ademi del përsëri në skenë, përulet me nderim përpara publikut dhe tërhiqet prapa kuintave…
Del numëri i radhës, një skeç a kuplet, s’më kujtohet.
E pamundur të vazhdohet, qëndrojnë pak në skenë dhe…dalin nga skena.
Skena bosh, salla e tëra mes ovacionesh.
Mbas disa minutash në skenë del përgjegjësi i trupës, regjisori apo dikush tjetër nga drejtuesit.
– Kërkojmë mirkuptimin tuaj por përpara jush është Estrada e Sarandës e jo recital i Adem Dacit, ju lutemi, na lejoni të vazhdojmë shfaqien.
Ju jap fjalën se Ademi do dalë përsëri…
Vetëm pas kësaj salla ra në qetësi e trupa vazhdoi në skenë sipas programit…
…Në fund të shfaqjes, jashtë dere disa policë më ndaluan dhe mua dhe disa të tjerë na shoqëruan në komisariat.
Nuk u mbushej mendja që unë isha prej atyre që kërkoja të vazhdonte shfaqia, përkundër disa të tjerëve që vërtet manifestuan zhurmë të madhe e sjellje jashtë normalitetit.
Gjithëshka e krijuar prej virtuozitetit të kitaristit famoz sarandiot, Adem Daci.
Mu kujtua sot që mora vesh ikjen e tij kjo histori dhe më ngelet peng që s’pata rast t’ja kujtoja sa ishte mes nesh ky instrumentist i madh.
Të mos harrojmë se Adem Daci ishte dhe mbetet edhe një mjeshtër i madh i instrumentit të Llahutës, madje dukej se ky instrument kishte lindur për të.
Shpreh ngushëllimet e mia të thella për shuarjen e këtij instrumentisti të pa përsëritshëm!
I qoftë i lehtë dheu!” /sarandacity.al/