Hera e fundit kur Partia Demokratike në opozitë pati pushtetin në qytetin e Tepelenës dhe në disa nga komunat përbërëse të bashkisë së re ka qenë viti 2007. Në vitin 2011, Tërmet Peçi, i cili nuk ka një CV të publikuar, fitoi zgjedhjet për bashkinë e qytetit, me 47% të votave, përballë dy kandidatëve, njëri që përfaqësonte koalicionin e PD-së dhe tjetri që përfaqësonte Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, LZHK.
Peçi pati një rrugëtim të lehtë më pas, më 2015, kur garoi në emër të koalicionit PS+LSI, si dhe më 2019, kur garoi vetëm. Në zgjedhjet e vitit 2021, votuesit në territorin e bashkisë Tepelenë i dhanë 57% të votave Partisë Socialiste, ndërsa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën sëbashku 35% të votave.
Në garë për 15 poste të Këshillit Bashkiak marrin pjesë dymbëdhjetë parti me 193 kandidatë.
Në Tepelenë gjenden rreth 12,600 votues. Tepelena është një nga të paktat bashki ku numri i votuesve të regjistruar ka filluar të bjerë. Pjesëmarrja në votime ka rënë nga 7300 vetë në zgjedhjet e vitit 2015 në 6,200 në zgjedhjet e vitit 2021, duke reflektuar rënien e përgjithshme të popullsisë.
Tepelena është edhe një nga bashkitë ku ka filluar rënia natyrale e popullsisë. Gjatë vitit 2021, për këtë bashki pati 55 lindje dhe 110 vdekje, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. /BIRN/