Aspekti më i sikletshëm i sezonit turistik është padyshim trafiku i rënduar në orë të caktuara, plus bezdia e gjetjes së një vendi parkimi. Ky i fundit ka vite që është bërë imperativ.
Që kur u shfaq trendi i një masiviteti të madh turistik në Sarandë, nga 2015-ta e këtej, i cili vijon vit pas viti pa frenim, ka bërë pëpara privati por jo shteti. I pari ka investuar në akomodim e shërbime të tjera, më pak në parkim pa mundur të gjejë zgjidhje adeukate tej gardhit të vet, veç me raste abuziviteti ndaj publikes, ndërsa shteti ka mbetur në vendnumëro, pa qenë aspak nuhatës e po aq pak zgjidhës.
Dhe në këtë klimë shfaqet fenomeni i bllokimit të trafikut, ku kryesojnë rrugët dy dhe tre prej parkimeve dyshe. Protagonistët e saj rrallë janë ndër ata që u vret ndërgjegja. Janë një specie me moshë të ndryshme, status social nën mesataren, të cilët i bashkon të mos paturi asnjë emocion ndaj asaj çfarë i shkaktojnë trafikut: bllokimin deri në acarim.
Të rrallë janë ata parkues në dysh që rendin menjeherë te automjeti në rastin më të parë të bllokimit, duke ngritur dorën në trajtë kërkim ndjese. E kundërta: nuk janë aty, janë diku afër, por jo sy e vesh te automjeti. Kur shfaqen, pasi durimi ka prekur kufirin, hedhin një vështrim prej idioti te pritësit në timon dhe mimika e fytyrës gati u përcjell shprehjen e bezdisë që duhet të lëvizin bythën e makinës që aty, për të liruar trafikun. Dallohet kjo te përtacia me të cilin hyjnë në makinë, me një lloj paedukate për t’u ndëshkuar, nëse aty do kishte prani policore në lartësinë e detyrës. Në raste të kundërta edhe mund të falej, nëse do tregonte vraje ndërgjegje, me fjalë a gjeste. Por zakonisht kjo nuk ekziston, është e huaj për ta, u ngjan me rënie burrnillëku. Te ky soj nuk ekziston çfarë është jashtë tyre dhe rreth tyre – ndjenja e publikes. Harbutë të tillë, për fat të keq, hasen në kohën më të paduhur, në sezon. /sarandacity.al/