Kryepeshkopi Janullatos uroi besimtarët ortodoksë me rastin e Krishtlindjeve, duke thënë “në këto ditë festive, zakonisht përsëriten mendime, mesazhe dhe komente të ndryshme rreth paqes, dashurisë, gëzimit dhe shpresës”.
Por kleriku më i lartë ortodoks kërkon që 25-sa të mos bëhet njësh me 31-in në urime. Pra, që të ndahet Krishtlindja me Vitin e Ri.
“Sigurisht, ka dhe nga ata që preferojnë ta shkëpusin kuptimin e tyre nga thelbi i Krishtlindjes, duke i quajtur në mënyrë abstrakte ‘urime me rastin e festave të fundvitit’. Megjithatë, ndriçimi që sjell ngjarja çlirimtare e Ardhjes së Shpëtimtarit ndër njerëzit, shtrihet në dheun tonë të vuajtur”, thekson Janullatos.
Në fund të urimit, Janullatos kërkon forcim besimi dhe përballim me dinjitet të problemeve të jetës shprehet se “e kremtja e ndritshme e Krishtlindjes forcon sigurinë, se me ardhjen e Shpëtimtarit nuk jemi vetëm, se Biri dhe Fjala e Perëndisë erdhi për të qëndruar me ne”.
“Për të gjithë ne që besojmë, nuk mjafton të ndiejmë se nuk jemi vetëm, duhet edhe të përkujdesemi që prania hyjnore të jetë e prekshme në mjedisin tonë, me fjalën, veprat dhe dëshminë e jetës sonë”. /sarandacity.al/