Një zjarr i rënë rreth orës 14:00 në territorin e bashkisë Finiq, në Vagalat, i ndihmuar dhe nga era, ndodhi të zgjerohet duke hyrë në territorin e Bashkisë Konispol.
Në Vagalat u angazhuan në mënyrë të menjëhershme forca dhe mjete për shuarjen e flakëve. Në vend u ndodhën tre mjete dhe 11 forca MZSH si dhe banorë të zonës.
Deri tani janë djegur rreth 12 ha shkure, gjineshtër dhe kullotë. Por kur zjarri kaloi në territorin e Konispolit dhe mori malin e Milesë, ishte e pamundur ndërhyrja për shkak të terrenit. Aty ku flakët përzhitën nuk ka banesa ose gjë të gjallë (bagëti).
Shkaku i këtij zjarri dyshohet i qëllimshëm dhe ka lidhje me problemin e përvitshëm të hapjes së kullotave nga çobanët e zonës. Nga ana e Policisë vazhdon puna për zbulimin e autorëve. /sarandacity.al/