Një ditë më parë u zhvillua një protestë e shoqërisë civile para Kryeministrisë. Shkak që paralajmërimi qeveritar për një krizë të mundshme energjitike, si dhe një rritje çmimesh të disa produkteve të konsumit.
Ky realitet, i kofonduar dhe me perceptimin klasik 30-vjeçar, bërë i rëndomtë tashmë, sipas së cilës qeveritarët vjedhin dhe s’mendojnë fare për popullin që varfërohet, nxorri në shesh disa figura publike e disa në tentativë për të qenë të tillë, ku investimi fillestar është veta e parë njëjës – “Unë”.
Eshtë një “Unë” delirant që disa i shndërron dhe në qesharakë. Jo thjesht se i nisin frazat me “Unë” në fjalimmbajtjen e parë publike por që nuk thonë asgjë veç atyre grupfjalëve parazitare që s’kanë pikë inteligjence brenda.
Dhe, më tepër se dhembje vërtet sociale, duket se ka ndër ata apo ato që marrin në dorë megafonin, duke qenë deri atë çast krejt anonimë, një prirje vërtet për të qenë “Unë” ndërkohë që s’janë askushi, nën frustrime të rënda moshe. Dhe për ironi, ndodh kjo përballë atij që në pozitën e tyre dje, këtu e 30 vite më parë, ishte vërtet dikushi – Edi Rama, sot me përgjegjësi qeverisëse, rrjedhimisht dhe mëkate qeverisëse.
Duhet t’ua thotë dikush se kur atëbotë merrte megafonin Edi Rama, njerëzit mbanin vesh se ç’perla mendimi dhe rebelimi intelektual do nxirrte. Ndaj frazat e tij në fjalëmbajtjet publike ishin dhe historike. Megjithatë, Rama kurrë nuk niste fjalitë me “Unë”, ndonëse plotësonte të gjitha kriteret e staturës publike për ta patur këtë privilegj autoreferencial.
Lubonja e quante mendjen më brilante kohës dhe e citonte madje, pra Ramën, kur thoshte: “Qëkur s’mbahet mend situata në Shqipëri është po ajo, një rrumpallë e krijuar nga një tufë e paorientuar këmbësorësh, të cilit lindin, vdesin dhe prapë lindin pa u lodhur, në një qorrsokak; hypin e zbresin Vargmalet e Gënjeshtrës, notojnë nëpër Lumenjtë e Frikës, zdërhallen nëpër Lëndinat e Mashtrimit Reciprok, dremisin nëpër Frengjitë e Hakmarrjes, hazdisen nëpër Pyjet e Marrëzisë, fluturojnë me presh nëpër Retë Imagjinare të Heroizmit, përzhiten nëpër Qyngjet e Injorancës, llokoçiten nëpër Baltën e Mashtrimit, gremisen nëpër Honet e Dëshpërimit për t’u rishfaqur befas majë Mullarëve të entuziazmit Pa Arsye, e kësisoj vegjetojnë në zemër të Kontinentit të Vjetër si dora e fundit që i mbijetoi Prurjes së Civilizimit. Duke gjetur tek kjo “mbijetesë” oazin e Parajsës Tokësore, e mbledhur grusht nën hijen e dendur të Palmave të Përtacisë, hipur mbi një Kolovajse Vetëpëlqimi të pashoq, bashkësia shqiptare ka arritur të mposhtë në shekuj çdo tundim për t’u zhvilluar mendërisht, për t’u ngritur moralisht. Për t’u përsosur shpirtërisht e pse jo dhe fizikisht”.
Në tubimin e djeshëm, e vetmja figurë publike nga shoqëria civile që posedon një lëndë denoncuese nga pikëpamja profesionale, ishte Adriatik Lapaj. Si avokat dhe njohës kësisoj i disa aspekteve ligjore apo juridike, ka arritur deri diku të bind publikun për vlerën e asaj çfarë kumton në publik. Të tjerët janë tallava që jua kanë ngritur mendjen, ose jua kanë gënjyer mendjen rrjetet sociale se mund të bëhen dikushi duke qenë bosh. Dhe për këtë kanë zgjedhur luftën me qeverinë si rrugën më e lehtë ose më joshëse për t’u dikur i mençur. Është sindrom i njohur ky. Reflekohet sidomos te ca kantilena e kreshendo të shëmtuara vokale kur e marrin fjalën. Ngjashëm si ca konkurrentë në audicionet e këngës dikur, të cilët, në një përpjekje për t’i ikur fatit të destinuar për të qenë bari a bareshë, linin nam para Zhani Cikos & Co, duke i bërë ata e publikun të mbanin barkun me dorë të qeshurat e papërmbajtshme.
E ankohen pastaj se njerëzit s’ju bashkohen protestave…Për ç’të vijnë, të dëgjojnë stonaturat e tmerrshme të atyre që s’duan të kuptojnë që dhe protesta është një talent, që ligjërimi në të është talent…/sarandacity.al/