Qeveria shqiptare miratoi vendimin për bursë sa paga minimale mujore për ata studentë që do të zgjedhin degë si mësuesia, bujqësia apo turizmi.
Siç deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, “miratuam një vendim që përbën një lajm shumë të mirë për të gjithë maturantët që kanë vendosur të vazhdojnë studimet e larta në universitete, por po ashtu edhe për universitetet që duan të forcojnë apo të rigjallërojnë disa programe studimi që vitet e fundit nuk kanë qenë shumë të preferuara nga të rinjtë dhe të rejat”.
Gjithashtu, të gjithë ata maturantë që kanë mesataren mbi 8.5 dhe që zgjedhin një nga këto programe prioritare, përfitojnë një bursë sa paga minimale, çdo muaj.
“Detyrimi i tyre është që pas diplomimit të qëndrojnë tre vite dhe të japin kontribut për vendin. Dhe të njëjtën bursë sa paga minimale çdo muaj e përfitojnë edhe studentët ekselentë që janë me të gjitha dhjeta në maturë dhe të katërta provimet e maturës, ashtu sikurse ata që fitojnë olimpiada ndërkombëtare”, tha Kushi.
“Së dyti, kemi vendosur të heqim kriterin 8.5 të mesatares, për të gjithë ata që përfitojnë bursa duke ndjekur këto programe studimi. Që do të thotë, edhe një maturant që mund ta ketë mesataren më të ulët por gjithmonë duke plotësuar ato kriteret siç i kanë të gjithë studentët. Siç është p.sh. mësuesia me 7.5 apo kriteret e tjera. Pra duhet t’i plotësojnë kriteret bazë siç i kanë të gjithë maturantët e tjerë, por kemi hequr kriterin 8.5.
Sepse sidomos në disa programe siç janë programet e bujqësisë, për shembull për të qenë zooteknik apo veteriner, edhe me mesataren 8 apo ndoshta edhe 7.5 mund të jetë i suksesshëm për t’u finalizuar me diplomim për të dhënë më pas të japë kontribut për vendin”, arsyetoi Kushi.
“Ndërkohë që kemi hequr kështu gjithashtu edhe kriterin që duhet ta ruajë mesataren përgjatë studimeve. Pra në VKM-në ekzistuese maturantët për të vazhduar që ta marrin edhe vitin e dytë edhe vitin e tretë bursën, duhet të ruajnë mesataren që kanë nga shkolla e mesme. Ndërkohë që ne e kemi hequr. Pra edhe nëse një student vitin e parë edhe pse mund të ketë rënë nga mesatarja 8.5 në 8, ai do të vazhdojë të mbështetet me bursë edhe vitin e dytë, edhe në vitin e tretë, me qëllim që kjo mbështetje të vlejë për gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve”, tha gruaja në krye të arsimit shqiptar.
Por jo vetëm kaq. “Ndërkohë që një ndryshim tjetër konsiston edhe tek lista e programeve prioritare, në konsultim me universitetet, ne kemi shtuar edhe disa programe, kryesisht në fushën e mësuesisë. Kemi përfshirë edhe arsimin fillor, apo arsimin parashkollor, programin histori-gjeografi, disa programe të inxhinierisë. Pra e kemi plotësuar këtë listë të programeve prioritare sipas nevojave që kanë edhe universitetet, por edhe zhvillimi i vendit”, tha Kushi. /sarandacity.al/