Ishte viti 1934. Një sipërmarrës shqiptar, i cili kishte kaluar 40 vite të jetës së tij në emigrim duke punuar si shef kuzhine në restorantet dhe hotelet më në zë të Stambollit, Bukureshtit, Athinës, Parisit, Londrës, Monte Karlos, kishte vendosur të kthehej në Shqipëri e të hapte një shoqëri, veprimtaria e së cilës do të kishte në bazë hotelierinë, turizmin dhe ushqimin.
Ai i shkruante një letër mbretit Zog, ku kërkonte leje për të hapur shoqërinë e tij me emrin SASH (Shoqëri-Anonime Shqyptare Hoteljere) me një kapital 20.000 – Fr.ari.
Historia zbulohet në një letër që ruhet në fondin personal të Ahmet Zogut në AQSH, Tiranë. Nuk arrijmë ta mësojmë emrin e tij pasi letra në fund të saj nuk ka një nënshkrim, por vetëm adresën nga është nisur. Nga kjo kuptojmë se sipërmarrësi në këtë kohë drejtonte “Hotel London” në Tiranë.
Gjithashtu, në fund të letrës ai thotë se është grek nga gjuha por shqiptar në atdhedashuri.
Pasi i shpjegon imtësisht mbretit Zog gjithë idenë e tij për sipërmarrjen e re, dhe i lutet që t’i japë leje, ai i ofron si garanci që të pyeste njerëzit që e njihnin nga afër si Pandeli Evangjeli, Ekrem Delvina, Stavro Stavri, Ali Asllani, dhe Mehmet Konica, me të cilin për 9 vjet 1914-1925 kishin patur aktivitet të përbashkët në Londër.
Letra e plotë:
Naltë Madhënisë së Tij Mbretit Shqipëtarëvet Zog. I.
Shkëlqesive të tyre
Kryeministrit, Ministravet Mbrendshëm, Ekon. Kombtare, Financavet dhe
Kryetarit të Parlamentit.
Naltëmadhëni,
Shkëlqesitë,
Përunjësisht, kam nderin me Ju parashtrue këtë propozim, rezultatin studimesh në vënd për ma se tre vjet, duke u nisur prej pasimit që, kushdo Shqiptar i vërtet duhet të ketë, të bashkoj fuqit’ emi të pakta në përpjekjet gjiganteske të Qeverisë s’Onë nënë hijen të Palodhurit T’onë Mbretit për përparimet e këtij Atdheu të dashtun dhe zhvillimin e tij.
Asht’ e diturë gjithëve pozita privilexhioze e kësaj Shqipërije nga pikpamj’e bukurive natyrale s’edhe nga pikpamj’e pasunimit në sende ushqimore të tokës, bagëtisë dhe peshkut. Si nuk duhet dyshuar sukses’i sigurt të nj’industrije Turistike.
Dobinat e Turizmit janë kaq kolosale sa që shtote m’as një bukuri natyrale si t’onat, kësaj industrije i kanë dhanë një randësi të posaçme dhe përpiqen qi me mjete artificiale të transformojën vende të pa favorizuara prej natyrës në vënde tërheqëse duke harxhuar kapitale të mdha për këtë qëllim.
Ne për fat të mirë, kemi nji vend që kushdo prej të huajve q’e kanë shkelë ësht çfaqur m’enthuziazmë dhe sot Shqipërija numëron mik të hollët dhe të shquarë.
Me bindje plot respekt kushdo pranon se N.M.T’Uej një gjë okupon:
Shvillimi Ekonomik i Shqipërisë. Si një nikoqir i mirë, nikoqir Shqiptar nuk lënë pas masë që duket e arësyshme për sukcesimin e qellimit T’Uej të shënjtë.
Kësht’edhe me Turizmin. Duk’i dhënë rëndësinë e duhurë, keni urdhëruar ç’ka duhesh dhe brenda kufijvet të mundësisë s’onë janë marrë masa si krijim’i KTAM-IT (Klubi Turistik Automobilistik Mbretnor).
I nëshkruemi, tashti, vij m’anën e ktij raport qi të plotësoj këtë inisjativë dhe të kërkojë lejen për sa vijon:
Të më jepet leja për formimin e nji Shoqni Anonime m’aksione me një kapital 20.000 – Fr.ari.
Qëllim’i ksaj Shoqnije do të jetë si bazë organizim’i enterpriozavet hoteljere, t’eksploatimit të produktevet të rralla të vëndit dhe pra të përmirësimit të tyre dh’enkurajimin të bujqëreve t’onë.
Emn’i ksaj Shoqnije do të jetë “Shoqëri-Anonime Shqyptare Hoteljere” (SASH).
Që t’arrij qellimit të saj Shoqërija do t’organizojë “Pavillon” e parë të tij (Typi Pavillons des Champe Elysée të Parisit) për Kafe-Bar-Brassén-Restaurant-Pensjon-Kazino-Hotel me kuzinë të prefeksionuarë dhe komplet nga gjithë pikpamjet dhe me qellim që në të ardhmen të organizojë dhe të tjera duke preferuar banjat në radhën e parë.
Naltë Madhëni,
Këtë guxhimin e marrë duke e mbështetir në përpjekjet Të Madhenisë s’Uej dhe të Qeverisë s’Uej për ç’do gjë q’ësht në dobi të këtij Populli.
Populli Shqiptar prej natyrës së Tij është popull i zgjuar dhe më inteligjenti dhe punëdashës popujvet të tjerë, si dhe i kufizuar në harxhet e veta prej traditavet që ka.
Ky popull nuk vuan kaqë prej krizës që ka goditur gjithë botën se sa prej nji vobekësije të vashduarshme dhe prestiziozitetit të së shkruemes.
Inkonvenjencat ekonomike që qellojën qytetasit dhe katundarët me gjithë që përbëjnë një sëmundje kronik nuk mund të themi se nuk shërohet. Vetëm qe ky shërim duhet bërë me një operasjon radikal.
Një prej ilaçeve serjoze për shërimin e ksaj sëmundjeje ësht dhe propozim’i im, i cili duhet sa ma par që të jetë nji fakt se moskamja e vëndit t’onë nuk është në themel natyrale. Përkundrazi, ësht konseguenca e mos dijes së themeleve në punët dhe enteprizavet të ndryshme domethënë mos organizim’i përshtatshëm të profesionevet dhe enterprizave të ndryshme.
Industrija pëgjithsisht në vëndin t’onë akoma ësht po si një zog, i cili po provon fuqit e krahavet të tij; sigurisht do riten këto krahnat dhe zogu-industrija do të fluturojë shumë shpejt vetëm duke qënë e organizueme dhe duke shvilluar mbrenda rethit praktik dhe jo me eksperimenta.
SASH-i nuk ka qellim tjetër, por vetëm që të bashkëpunojë për shvillimin e prodhimit, prefeksionimin e tij dhe rezervimin e një konsomasioni në prodhimet toksore të vëndit, Toka e të cilit pjellore edhe sot po na jepë elementat ushqimore të shumta dhe nga pikpamjen e kualitetit shumë të mira. Pasunija e vendit e cila gjerë sot ësht e pa ekslopatuar dhe shkon më kotë dhe bujku i shkreti mbetet me “Gjishtin në gojë” dhe disenkuajohe dhe vrapon për në gjytete, në dëm të math të financës së Shtetit buxheti e të cilit mvaret prej Bujkut.
Mosdija e prodhimeve ushqimore, mospasja e një bagëtije të shvilluarë dhe lëvrim’i tokës me mjete projestorike kanë shkaktuar dhe po shkaktojën mosvleftësinë e prodhimevet të vëndit t’onë të cilat u-marazosën duke eneautuar në kët mënyrë produksionin. Një fakt tepër trist konseguencat e të cilit i paguajmë të gjith.
Mungesa e një organizim të përshtatshëm s’edhe ajo të jenë kontrollimi t’imtë po drejtën vendin në një mirazmë të vazhdueshme, të rezikshme. Por kjo gjendje nuk arsyetohet sepse çdo rezik evitohet kur të organizohet eksploatimi i gjithë burimeve ekonomike, të cilët janë më se t’aftë që t’ushqejnë një popullsi pesëfish si kjo e jona.
Ajo qe duhet vetëm ësht nji kujdesi. Duhet që të mobilizohen gjithë fuqitë morale dhe në krye të çdo enterprise të vihen të zotët e punës sejcili në specialitetin e tij që kështu sejcili me masën e vleftës së tij dhe ditujnisë së tij të bashkëpunojë në goditjen e pallatit të lumtërisë të Shtetit t’onë për një t’ardhëm të shkëlqyer të plotë aktivitet racës s’onë.
Prandaj e gjejmë t’arësyeshme që me një urdhën eprore të mvaren në muret e gjithë institutevet shtetnore tabella m’aksjomën “Çdo punë për atë që ësht’ i zoti, i zoti për një punë në punën e vetë”.
Shumë dobina do të dhurojë vëndit SASH-i. Në fillim me “Pavillon” në Tiranë dhe pastaj m’anën të tjerëvet në vëndet të ndryshme duk’u shtytur dhe prej interesës atomike q’ësht zgjerim i punimevet të tija. Do të japë ndihmën e tij duke nëndiftuar prefeksionimin e prodhimevet m’anën e mësimevet gratis Jeoponi, punim të kopshtit, bagëti, peshk etj. në profeksionistat të ndryshme, të cilët do të gjejnë në SASH-in shokun ma të dashtun për disponimin e prodhimevet të tyre si në Tregun e mbrëndëshm kështu dhe në të jashtëm.
“Pavillonet” do të jenë:
Si kuzinë të prefeksionuarë për dhenjen ushqimit në klientat e tyre duke plotësuar njëkohësisht dhe pretentimet e kllasës prosperuarë të Soijetesës s’onë (typi “Tokatlian” Stambool-it dhe “Kapsa” Bukaresht).
Si fabrikë (“Lyon” et Holbom Restaurant të Londrës) e cila do të pregatitë sendet ushqijmore për nevojat e përditëshme s’edhe ato që të tepërojën në konserva etj.
Si qendra rregullit dhe pastërtije dhe pra shëmbëlla hygjenikës.
Ç. Si shkolla praktike të zanatit të hotelxhiut.
Si shkolla kuzine (typi Cordon bleu de Paris) ku pa shpërblim do lejohet të djekurit e punimevet me shefat në Kryeqytetin ku do mësonj bazat e kuzinës së mirë, duke përfituar në këtë mënyrë dhe duke u mësuar për pregatitjen e kuzinës.
Për këtë qellim shpresoj shumë shpejt që të mundem të botoj librin t’im mbi pregatitjen e gjellnavet të cilin kam shkuar në “Shkollën Mbretnore” postafat për bashkatdhetarët të mi.
Kështu do të reklamohen, për interesën e SASH-it dhe do të përgjithësohen methodhikisht gjithë prodhimet e vendit t’onë dhe do të duket shumë shpejt superioritet’i kualitetit të tyre m’anën e “Pavillons” të SASH-it në të cilat do të ushqehen ekstranjere që vizitojnë – Shqipërinë.
Në vëndin t’onë kemi mishëra të shijeshme, zogj shum të mira, peshk jashtëzakonisht të mira, prodhime gjuetije të famëshme, barishta dhe pema tepër të mira.
Gjela-detit t’onë janë të famshëm dhe të kërkuarshmë prej të gjithvet në Ballkan. “Koranët” që pasuronin një herë darkat imperatore të Bizantinëve, estourgeons me havjarin e zi dhe Trockt të ndryshme me “Brik të kuq, nuk gjenden në kualitetet, shijësi dh’ambëlsi as në Londër as në Paris, ku kujdesja e posaçme dhe specialitet’i kuzinës Frange mundet qe të transfermojë çdo send.
Peshkat t’ona konkurojën dh’ato të Kalifornis, Qiqrat t’ona nuk kanë shok në botë dhe me një fjalë gjith pemat t’ona përbëjnë një burim ari, duk’u eksploatuarë methodhikisht.
SASH-i duk-u formuar në Tiranë nënë survejancë e naltë të N.M. S’Uej dhe duke patur ndihmën e vlefshme e kompetentavet lokale, domozdo, do të japë rezultate të kënaqëshme dhe do të veje një gurë në themelet ekonomike të këtij vendi të varfër, i cili me shumë të drejtë viventkon dhe duhet t’a fitojë, pozitën e Zvicrës. Pse jo. Nuk i mungojnë elementat për këtë gjë.
Baza për të gjithë duhet të jetë shtim’i prodhimit dhe plansamentit të përshtatshëm të saj si mbrenda kështu dhe jashtë Shtetit.
Natyrisht kështu do të ballancojë dhe buxhetin e tij. Pritet tashti gjest’i madh dh’anor, i Madhërisë S’Uaj që të vihen në lëvizje dhe veprim burimet natyrale t’Atdheut tonë të dashur.
Naltë Madhëni,
Duke parashtruar lutjen t’ime që të më lejohet formim’i S.A.S.H.-it, si profesjonist-specialist, jam ma se i bindur se shumë do të vijnë Ekonomisë S’onë Kombtare, kam sensasjon të plotë të përgjegjësisë së madhe të cilën marr për sipër për organizimin dhe suksesimin e kësajë enterprize.
Por kam besim të plotë në fuqit’e mija dhe në eksperiencën t’ime që kam fituar për 45 vjet ushtrimi të këtij profesjoni nëpër qëndra ma të mdhenj t’Europës, Stamboll, Bukuresht, Athenes, Paris, Londër, Monte Karlo, Aixles baines etj. Si shef kuzine dhe si gazetar amatuer kurdoherë i urtë Atdhetar, Grek prej Gjuhës; por kurdoherë Shqipëtar pa preokupasione fetare.
Prandaj N.M.S’Uaj dhe Qeverisë të Atdheut t’im lutjen e nxehtë që kjo të mirret parasysh dhe të jipet leja e kërkueme që kështu të mundem dhe unë në ditët e fundit të jetës s’ime të gëzoj atë që kam ëndëruar, të dukem i dobishmë Atdheut t’im, emnin e të cilit me kryenaltësi shqyponja për 40 vjet në mërgim “Arvanitiv”.
Këtë gjë mundem qe ta vërtetonjën Z.Z.Pandeli Evangjeli, Ekrem Delvina, Stavro Stavri, Ali Arslani, dhe posaçërisht Mehmet Konica i cili për 9 vjet 1941-1925 ka vazhduar aktivitetin t’im në Londër.
Me këtë rrast parashtroj Fronit të Shkëlqyer të Skandërbeut respektet e thella dhe omaxhet t’ime Madhëri S’Uaj se kurdoherë jam një shërbëtorë besnik.
Hotel Llondon
Tiranë, më 4/VII/934. /sarandacity.al/