Auron Tare, studiues, ish-Drejtor i Butrintit, i ka kushtuar një kritikë me nota të forta ironike më shumë se një arkeologu të huaj, qeverisë shqiptare, e cila jua dha Butrintin amerikanëve për menaxhim, një precedent i panjohur deri më sot në sitet arkelogjike të UNESCO-s, kudo në botë.
Kundërshtar i fortë i kalimit të kësaj pasurie kulturore shqiptare në dorë të të huajve, qoftë dhe të amerikanëve, Tare tregon pasojat e kësaj praktike të diskutueshme, duke sjellë si provë qasjet e një njeriu që merret me Butrintin, një kubano-amerikani, përçues i teorive të Richard Hodges, arkeologut plot dritëhije me mision të gjatë në Butrint. Më saktë, fjala është për teori që e paraqesin Butrintin vetëm si grek, të palidhur me kulturën lokale. Përkthyer në kontekstin e sotëm, popullata rreth Butrintit, pra shqiptarët, janë thjesht “njerëz me dele”. Dhe këtu Tare ironizon fort me qeverinë: vetëm pasardhësit e “njerëzve me dele” mund ta dhurojnë kaq lehtësisht Butrintin te të huajt!
Ja ç’shkruan Tare:
Të shtunën e kaluar, në të njëjtin moment që Timo Flloko recitonte poezitë e tija të dashurisë në skenën e teatrit antik të Butrintit, gazetari Marin Mema transmetonte një intervistë me arkeologun amerikan David Hernandez të Universitetit të Cincinatt-it.
Në emisionin e tij në Top Channel, Mema kishte arritur t’i merrte atij një intervistë mbresëlënëse të shprehur në shqip, për të gjithë ata që kishin kohën dhe ngenë për ta dëgjuar.
Me rëndësinë e titullit që mban, Prof. Hernandez, një kubano-amerikan, hidhte një teori sa interesante aq edhe të përfolur kohët e fundit mbi fatin historik të Butrintit. Sipas tij Prof. Hernandez që punon në Butrint prej kohësh nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës së Republikës, në këtë qendër antike nuk ka asnjë gjurmë të popullatave lokale të njohura me emrin e kaonëve apo të prasaibëve. Hernandez, me një siguri të plotë që i jep përvoja e gjatë e gërmimeve, thoshte se ky qytet antik nuk ishte asgjë më shumë se një koloni greke ku çdo gjë ishte greke dhe e ardhur nga deti. I pyetur mbi fatin e vendasve, Hernandes kishte një teori shumë mbresëlënesë: vendasit thjesht vinin dhe iknin me dele në një qytet tërësisht grek.
Unë e njoh Hernandezin prej vitesh. Nuk më çudisin aspak teoritë e tij tashmë të artikuluara edhe në shqip. Dikur këto teori të Richard Hodges i pëshpëriste nëpër tavolina dhe ruhej që të mos i thoshte me zë të lartë. Mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar.
Nën bekimin e autoriteteve shqiptare me bashkëdrejtor Institutin e Arkeologjisë dhe me mësuesin e tij shpirtëror të votuar nga Parlamenti shqiptar si administrator i Butrintit për 10 vjet, David Hernandez nuk ka më drojë për të folur mbi “njerëzit me dele”, të cilët sipas tij nuk kishin asnjë lidhje me qytetin antik të Butrintit. Fundi i fundit, pasardhësit e këtyre barinjve janë sot në Parlamentin që votoi për Hodges-n që të drejtojë dhe të shkruajë mbi historinë e antikitetit të trojeve ku barinjte piqnin ndonje dele dhe e shkëmbenin me vazo plot piktura të prodhuara nga një kulturë superiore helene që kishte themeluar qytetin.
Në një moment reflektimi ndoshta Hernandez mund të ketë të drejtë; ndoshta etërit e arkeologjisë shqiptare që pasuan Dr. Ugolinin në Butrint mund të na kenë gënjyer.
Duke dashur të ndjekin linjën nacionaliste kanë kërkuar një ngulim imagjinar për barinjtë e dikurshëm dhe i kanë vendosur ata në truallin e helenëve të ardhur nga deti.
Të frymëzuar nga burimet antike që flisnin për kaonë, prasaibë, molosë etj., shkolla arkeologjike shqiptare ndoshta ka gënjyer duke krijuar një lidhje imagjinare me ta, duke dashur që “njerëzit me dele” t’i bënin me patjetër të civilizuar, duke trazuar kështu ujërat e nacionalizmëz shqiptare. Por shkolla e vjetër nuk është më, nxënësit shqiptarë të Hodges-it, internacionalistë të thekur, miratojnë në heshtje këto teori, mjafton të ngjyejnë gishtin në mjaltin e projekteve. Tek tuk ndonjë zë i mekur flet për një publik tërësisht indifferent i shqetësuar vetëm për personazhet e telenovelave.
Dhe ja, me një argument të mbrojtur fort, arkeologë amerikanë si Hernadez apo ai britanik si Hodges, na zgjojnë nga trallisja e gjumit nacionalist duke na treguar një të vërtetë të thjeshtë: ne ende vazhdojmë të jemi “njerëz me dele”.
Ashtu si barinjtë e dikurshëm të botës antike që kishin frikë nga kultura brenda mureve të këtij qyteti, që nuk laheshin në banjat publike me dysheme mozaikësh, që nuk hynin dot në tempujt plot statuja, edhe sot e kemi frikë këtë qytet që na ra në pjesë papritur. I rrimë larg, i trembemi kulturës së tij, e shikojmë me përbuzje dhe për këtë arsye jua kemi dhe dhënë njerëzve të ardhur nga deti. Prandaj Hernandez dhe të tjerët pas tij kanë të drejtë: ne jemi pasardhës të “njerëzve me dele”. /sarandacity.al/