Remilda Hajdini, 25-vjeçarja që është në burg me akuzën e rrahjes të së ëmës, denoncuar nga kjo e fundit, ka si avokate familjare gjyshen e saj, atë që e ka rritur, pasi e ëma ka qenë 20 vite në Francë , thotë se e bija e dhunonte mbesën e jo anasjelltas.
Por ç’thuhet në denoncimin që i është bërë 25-vjeçares nga e ëma:
“Ditën e djeshme rreth orës 05.00 të mëngjesit, vajza ime u ngrit nga gjumi dhe më goditi me grushta, me pëllëmbë, më zuri nga fyti dhe më shtrëngoi që të më mbyste”;
– “deri në orën 12 të ditës së djeshme më ka rrahur dhe më ka keqtrajtuar si të isha kafshë”;
– “në një moment mori thikën e bukës dhe filloi të më kërcënonte”, janë këto fjalët që, sipas asaj çfarë thuhet zyrtarisht: më datë 11.07. 2021, shtetasja D. H, banuese në fshatin Gjashtë, Bashkia Sarandë, është paraqitur para Oficerit të Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Sarandë duke parashtruar kallëzim penal.
Në kuadër të dokumentimit të rrethanave të kallëzuara nga shtetasja D. H, po më datë 11.07.2021, është kryer veprimi hetimor i këqyrjes së jashtme të kësaj shtetaseje, ku rezulton:
“në pjesën e fytyrës, në të dy mollzat e faqes ka gërvishtje me ngjyrë të kuqe të çelët, me gjatësi 05 deri në 2cm, si ato të shkaktuara me mjet të mprehtë”;
– “në krahun e djathtë, në llërën e këtij krahu, nga ana e brendshme, ka një hematomë, në formë të rrumbullakët, me përmasa 2.5 x 3cm si ato të shkaktuar me mjet të fortë”;
– “në këmbën e djathtë, në pjesën e sipërme dhe të poshtme në pjesën e kupës së gjurit, ka dy dëmtime, dërmishje të lëkurës, me përmasa 2.5 x 2.5cm, si ato të shkaktuara nga fërkimi me sipërfaqe të ashpra”;
– “në kërcirin e kësaj këmbe poshtë gjurit ka gërvishtje të lëkurës në formë gjatësore si ato të shkaktuara si gërvishtje me mjet të fortë”;
– “në kupën e gjurit të këmbës së majtë ka një plagë në formë rrethore, korja e së cilës ka rënë pjesërisht”;
– “në pjesën e gushës nga ana e majtë dhe nga ana e djathtë ka gërvishtje në formë gjatësore si ato të shkaktuara nga kapja me thonj e duarve”;
Në vijim, nëpërmjet aktit procedural “vendim për caktimin e ekspertit dhe kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor”, të datës 11.07.2021, është urdhëruar kryerja e ekspertimit mjeko ligjor të dëmtimeve të evidentuara tek shtetësja D. H, por konkluzionet e këtij ekspertimi ende nuk janë administruar nga organi procedues.
Nga sa më sipër rezultojnë dyshime të bazuara se ndodhemi dhe duhet të kryhen veprime hetimore për veprën penale “dhuna në familje”, me pasojë plagosjen e lehtë të paralindurës D. H, parashikuar nga neni 130/a/3 i Kodit Penal dhe se autore e kësaj vepre penale dyshohet se është shtetasja Remilda H.
Remilda Hajdini ishte ndërkohe në masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “vjedhje duke shpërdoruar detyren”, pasi disa muaj më parë ka vjedhur supermarketin ku punonte.
Në paraqitjen e saj në gykatë pak ditë më parë për masë sigurie, 25-vjeçarja, me anë të avokates, paraqiti një ekspertizë mjeko-ligjore ku vërtetohej dhuna e të ëmës ndaj saj. Por ajo, siç ka thënë, s’mund ta denonconte nënën e saj. /sarandacity.al/