Saranda kaloi një ditë të ethshme me ceremoni dhe aktivitete në kuadër të përvjetorit të çlirimit. Ato nisën me homazhet në lapidarian e Qafë Gjashtës, ku kurora të shumta u vendosën në nderim të atyre që bën historinë e çlirimit të qytetit.
“9 Tetor 2021 shënon 77 vjet nga data e çlirimit të Sarandës dhe për të festuar këtë datë Bashkia e Sarandës ka organizuar disa aktivite në këtë ditë të veçantë”, shkruhet në faqen e Bashkisë, ku vijohet më tej:
“Ato kanë nisur me homazhe në Lapidarin në Qafë të Gjashtës, që ngrihet në kujtim të betejave për çlirim dhe në nderim të 14 dëshmorëve të rënë në 9 tetorin e 1944, duke vijuar me një kokteil të shtruar me këtë rast, për të risjellë në kujtesë fakte historike mbi luftimet për çlirimin e Sarandës, nga partizanë të Brigadës 12, 14 dhe 19 të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, të ndihmuar edhe nga forcat aleate britanike.
Në Sheshin e Limanit u dha një koncert i përgatitur enkas për Ditën e Çlirimit, nga Qendra Kulturore dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve”. /sarandacity.al/