Deputetja në pritje e Sarandës, Ina Zhupa, i kushtoi një status tipik politik zjarreve në Ksamil mbrëmjen e së premtes, duke lexuar, edhe pse pa asnjë referencë nga terreni – kohë dhe praktika reaguese, forca në terren, shkallë vështirësie etj. – “mosreagim qeveritar” në atë që po ndodhte aty, në një prej kodrave të Ksamilit.
“Zjarri në Ksamil prej 5 orësh nuk po shuhet duke rrezikuar tashmë dhe jetë njerëzish.
Në këto momente janë duke u djegur ullishtet dhe zjarri po rrezikon banesat dhe ndoshta edhe njerezit në një kohë të shkurtër.
Ju bëj thirrje autoriteteve të mos e lënë në mëshirë të fatit Ksamilin por të mobilizojnë më shumë mjete dhe forca zjarrfikësit ose të kërkojnë ndihmë në shtetet fqinje nëse nuk arrijnë dot ta përballojnë situatën.
5 orë në këtë gjendje është e papranueshme dhe përbën krim mosreagimi efektiv për ta ndalur në kohë këtë situatë asfiksuese për qytetin dhe të rrezikshme”, shkruan ajo që do përfaqësojë zërin e opozitës për katër vitet e ardhshme në zonë.
Nuk duhet sforcim të kuptohet se reagimi i saj është tipik nga ai klisheist me ngjyrime të rëndomta politike.
Shërbimi zjarrfikës nuk është politik. Aq më pak në Sarandë ku shumëkush e di se nga kush drejtohet, se ç’njeri i aftë dhe me integritet është. Edhe vartësit e tij gjithashtu. Gjykimi mbi ta dhe mbi një realitet të caktuar, nëse do të jesh i (e) besueshëm dhe jo një zë i rëndomtë politik, bëhet duke patur referime nga realiteti i prekshëm, edhe referime krahasuese. Ose po te jesh vetë aty dhe ta shohësh me sytë e tu se çndodh. Por ajo s’ishte aty.
Ka zjarre që jo për 5 orë por që nuk shuhen as për 5 ditë a më tepër. Dhe ndodhin në vende me struktura reaguese shumë më të fuqishme.
Nga ana tjetër, zjarre ka patur dhe në kohën e qeverisjes së PD. Madje Saranda, sezonin më të rëndë të zjarreve e ka regjistruar pikërisht në atë kohë. Nëse znj. Zhupa posedon një referencë suksesi se si janë shuar zjarret ahere, mund të na e sjellë. Por dhe në atë kohë s’ka qenë punë PD-je. Gjithçka varet nga leximi. Nëse e ke politik, patjetër që do jesh i (e) njëanshëm. /sarandacity.al/