Temperatura rekord janë shënuar gjatë gjithë javës në Greqi, duke arritur në shumë zona qendrore në 47 gradë. Vala e nxehtë që ka goditur gjithë vendin do të vijojë akoma, duke arritur temperatura rekord të 40 viteve të fundit, theksojnë mateorologët grekë.
Fenomeni tepër i rrezikshëm ka shkaktuar shqetësim të lartë, qeveria greke është në gatishmëri të aktivizimit të situatës së jashtëzakonshme, ndërsa për sot dhe deri të enjten ka udhëzim të posaçëm për ndalimin e punës nga punëtorë që janë të ekspozuar në ambiente të jashtme, si në sektorin publik ashtu dhe privat, duke u fokusuar kryesisht në orarin 12.00-16.00.
Në gatishmëri edhe zjarrfikësit. Ditët e fundit Greqia ka pasur mbi 50 vatra zjarri si në pjesën kontinentale ashtu dhe në ishujt e vendit.
Banorët dhe turistët e vendit kanë pushtuar plazhet, në kërkim të freskisë, ndërsa në qendrën turistike të Athinës shkrin asfalti nga orët e para të ditës. Moti i nxehtë pritet të bëjë një “pushim” të vogël në fundjavën e ardhshme, duke u rikthyer sërish nga java tjetër, por pa të njëjtin intensitet. /sarandacity.al/