Aludohet se zjarret vihen dhe për shkak të përfitimit të trojeve për ndërtim.
Të paktën kështu pretendon kreu i Kadastrës Artan Lame, i cili komentoi së fundi duke thënë se “një nga arsyet e zjarreve është për të hapur shtigje për të ndërruar destinacionin e tokës, arsyeja kryesore është djegia e barinjve për të hapur kullota.
Ndërrimi i destinacionit të truallit ka një procedurë të komplikuar juridike pikërisht për të frenua abuzimin me tokën.
Ta heqin mendjen se duke djegur truallin do e përdorin atë tokë për të ndërtuar”.
Lame foli edhe për raste kur tokat e legalizuar bujqësore që janë buzë bregdetit mund të kthehen në të ardhmen në ndërtime turistike. Ai shprehu keqardhjen që në vend të ullishteve të bëhen ndërtime, por kjo është në të drejtë të pronarëve që tashmë i kanë pronat e tyre me letra.
“Ka zona bregdetare se edhe pa zjarrin destinacionin e kanë ndërruar. Dhërmiu ka rreth 2 mijë pasuri në total dhe shumica dërrmuese janë sot ullishte, është ndarësi toke bujqësore por shumica e tyre nuk do të mbetet të tilla në të ardhmen pasi do të ketë ndërtime turistike, pavarësisht se na vjen keq, por nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha Lame. /sarandacity.al/