Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi një paketë ndihme financiare në vlerë prej 500 milionë eurosh për viktimat në Atikë dhe Evia.
Paratë do të shpërndahen drejtpërdrejt, përmes procedurave dixhitale, pa burokraci. Në të njëjtën kohë, ai njoftoi një program të veçantë rindërtimi për Evia. Kryeministri kërkoi falje personalisht për dobësitë, ndërsa premtoi se dështimet do të identifikohen dhe përgjegjësitë do t’i atribuohen aty ku e sheh të arsyeshme.
Pjesë nga fjalimi i tij:
“Ditët e fundit kanë qenë një nga më të vështirat për vendin tonë për dekada të tëra. Ne dhamë, dhe akoma japim, për të fituar betejën me gjithë fuqinë tonë. Por ne po përballemi me një fatkeqësi natyrore me përmasa të pashembullta: brenda pak ditësh, 586 zjarre shpërthyen në të gjitha skajet e Greqisë.
Shtrirja e katastrofës, veçanërisht në Evia dhe Atikë, errëson zemrat e të gjithëve. Dhe së pari kërkoj falje për çdo dobësi që ekzistonte. Unë e kuptoj plotësisht dhimbjen e bashkëqytetarëve tanë që panë shtëpitë ose pronat e tyre duke u djegur.
Çdo dështim do të identifikohet dhe përgjegjësitë do të caktohen kurdo dhe kudo që është e nevojshme. Çështja e parë, tani për tani, janë zgjidhjet. Ashtu siç çështja e parë ishte dhe mbetet mbrojtja e jetës njerëzore.
Ne tashmë kemi siguruar nga Fondi i Rimëkëmbjes burime të konsiderueshme për ripyllëzimin, kryesisht në Evia dhe Atikë. Ndërsa sot miratova një buxhet shtesë prej 500 milionë eurosh veçanërisht për këto zona. Dhe nëse është e nevojshme, do të ketë ndihmë shtesë evropiane. Basti ynë është të bëhemi modele të një fillimi të ri, të një rifillimi dinamik, të cilit kam besim se institucionet, bizneset dhe, mbi të gjitha, vetë shoqëria civile do t’i përgjigjen.
Personalisht, do të vazhdoj të bëj atë që kam zgjedhur që në fillim: të flas gjuhën e së vërtetës, të marr përgjegjësitë e mia, të zmbraps ndarjet dhe të bashkoj grekët. Dhe të punojmë shumë për atdheun që meritojmë”. /sarandacity.al/