Në ishullin Chios të Greqisë ndodhet një kishë që ka marrë emrin Shën Maria Shqiptare. Një histori e shtrirë ndër shekuj. Madje ajo bën fjalë për prejardhjen e saj nga banorët e ardhur nga zonat përreth manastirit të dëgjuar të Dyzetë Shënjtoreve, nga fshatrat që sot shtrihen në rrethin e Sarandës.
Historia e kishës dhe e ikonës thuhet se fillon gjatë sundimit të Perandorit Bizantin Konstandin IX Gladiator ( 1042-1054 pas Krishtit), kur ndërtuesit e famshëm epirot, mjeshtra të ndërtimit prej guri të shtëpive dhe kishave, u vendosën në këtë ishull.
Në atë periudhë, Perandori Konstandin ndodhej i internuar në ishullin Lesvos. Disa shenjtorë asketikë nga ishulli Chios shkuan e takuan dhe kërkuan ndihmën e tij për ndërtimin e një manastiri. Ai u dha fjalën se do t’i ndihmonte. Nuk kaluan pak vite dhe kthehet në fronin e tij. Shënjtorët nga Chios shkuan përsëri në Konstandinopjë për t’i rikujtuar premtimin e dhënë. Dhe Perandori filloi ta zbatonte. Dërgoi në ishull mjeshtra nga më të dëgjuarit nga fshatrat e Epirit, të cilët kishin ndërtuar shumë kisha në Konstandinopojë. Shumë nga mjeshtrit e gurit me familjet e tyre, me kalimin e kohës zunë rrënjë në ishull dhe ndërtuan edhe katër fshatra, të cilat u morën me blegtori. Vendasit i quanin këta banorë të rinj arvanitas, të ardhur nga Arvanitjaja Bizantine.
Kjo bashkësi e ardhur krijoi doket zakonet dhe ritet e saj. Këta njerëz gjatë shekujve jetuan në varfëri, me shumë probleme, të izoluar në skajin malor veriperëndimor të Chios. Jetuan nën peshën e situatave shumë stresuese, për shkak të të cilave shumica e tyre sapo iu dha mundësia, emigruan në Amerikë, Australi, Evropë,Afrikë dhe kudo ku kishte tokë për një të ardhme më të mirë.
Njerëz të varfër por shumë besimtarë të Zotit, të cilët jetuan me shpresën e mbrojtjes së Hyjlindëses më të Shënjtë. Ata panë ëndra, vizione, ikona, të cilat jo vetëm i besonin, por i kalun brez pas brezi. Gojëdhënat thonë se më e përhapura ndër ta ishte ikona e një vajze të hollë me një kostum të veçantë, që endej nëpër kreshtat e fshatrave të tyre. Ata mendonin se ajo ishte Virgjëresha Mari dhe për shkak të veshjes me të cilën u shfaq, me një fustan, të cilin vetëm gratë arvanitase mund ta njihnin, si të ngjashme me veshjen e nënave dhe motrave të tyre. E identifikuan Zonjën e Madhe për t’u bërë më shumë të lumtur, me “nofkën” e saj të re ‘’Zonja Arvanitase’’.
Ata u zotuan të ndërtojnë një kishë për nder të saj – Panajia Arvanitisa.
Për shekuj me radhë, Panajia Arvanitisa ishte e njohur vetëm në këto katër fshatra. Meqënëse ishin vite të vështira të skllavërisë turke, të cilët kishin ndaluar ndërtimin e tempujve të krishterë, kisha u ndërtua fshehurazi me ndihmën e pastorëve dhe të fshatarëve, pas shumë përpjekjesh, vuajtjesh dhe pune të paimagjinueshme kryesisht gjatë natës, sepse dita ishte shumë e vështirë nga frika e turqve.
Besimtarët dhe organizimi Kishtar në Sarandë i mbështetur edhe nga autoritetet vendore, mund të organizojnë një pelegrinazh në ishullin Chios dhe në kishën e Shën Marisë Shqiptare. Kjo do t’i shërbente, përveç të tjerave, edhe hedhjes së hapave të parë të turizmit fetar-pelegrinazh me organizimat kishtare të Chios. Ndoshta edhe përgatitja e një protokolli bashkëpunimi për turizmin e pelegrinazhit nuk duhet të linte jashtë vëmendjes edhe Ministrinë e Turizmit.
Të paktën për Sarandën kjo do të ishte një dritare e re në fushën e turizmit, që e ka aq shumë nevojë.
Shkruar nga Piro Naçi