Kryeministri shpjegoi dhe për BBC-në psenë e marrjes së afganëve nga Shqipëria, atyre që po ikin nga frika e talebanëve.
“Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës sesa përpara saj dhe arsyeja ishte se në Shqipëri ne kishim një kod nderi, që thotë se nuk ka turp më të madh në jetë se të dorëzosh mikun.
Kështu, hebrenjve këtu iu dha strehë dhe është një nga faqet më të bukura të historisë sonë.
Së dyti, ne ishim afganët disa dekada më parë, kur u larguam nga Shqipëria, kështjella e Koresë së Veriut të Evropës, nën një diktaturë brutale dhe trokitëm në dyert e të tjerëve dhe u mirëpritëm. Sigurisht, me shumë vështirësi, por, në thelb, u mirëpritëm.
Së treti, sepse mendoj që duhet ta bëjmë edhe për fëmijët tanë. Fëmijët tanë duhet të kuptojnë se kjo është bota ku jetojmë. Ne mund të mos jemi të pasur, po nuk mund t’ia lejojmë vetes ta kemi kujtesën të shkurtër”, arsyetoi i pari i vendit.
Rama hodhi dhe një kritikë ndaj Europës për qëndrimin e ftohtë ndaj afganëve në ikje.
“Mos harroni një gjë se në Evropën Perëndimore njerëzit i kanë harruar luftërat.
Luftërat për ta janë thjesht dokumentare në Netflix!
Për ne, luftërat kanë qenë këtu dhe kemi parë luftëra. Kemi parë tmerret e luftës dhe na është dashur të ofrojmë strehë në Shqipëri jo shumë kohë më parë.
Asokohe unë isha ministër i Kulturës, kur strehuam rreth gjysmë milioni refugjatë nga Kosova, të cilët po i iknin spastrimit etnik. Mbijetuam, ja ku jemi.
Nuk jemi vend i pasur, por ja ku jemi sërish, kështu që financiarisht, moralisht e në gjithçka nuk mendoj se u dëmtuam. Mendoj që ajo përvojë na pasuroi më shumë moralisht”, tha Rama në një bisedë me BBC-në. /sarandacity.al/