Shkruar nga Piro Naçi
Mbaj mend njerëz të mrekullueshëm, që lanë shenja të pashlyeshme në jetën e tyre dhe gjallëruan lagjen dhe pallatin tim.
Familjet që jetonin në atë pallat janë të gdhendura në kujtesën time. Ai ishte nga më të mëdhenjtë e kohës dhe në qendër të Sarandës, mbi kishën e Shën Harallambit dhe mbi valët e detit. Të gjitha hyrjet “Dy dhoma, një kuzhinë dhe një banjë’’. E në to, jo një familje por shumë, shumë njerëz.
Këtu jetova edhe unë dhe familja ime, qysh nga viti 1961. Gjyshja, nëna, babai, unë e pak më vonë Bushi, vëllai im i vogël. Kristofori xhaxhai, akoma i pamartuar. Në një dhomë tjetër jetonte dropulliti Vangjel Guzhuma me familjen e tij. Ai nuk qëndroi gjatë dhe në dhomën e tij erdhi Refiku me Dritën. Atë e mban mend gjithë Saranda nga varka e shpëtimit …Në kohën e Refikut, që edhe ai qëndroi me ne shumë pak, u martua xhaxhai dhe erdhën në jetë Valentina dhe Elvira…. “Dy dhoma një kuzhinë dhe një banjë”…!!!
Përballë nesh jetonte familja e Petro Llocit dhe e Julisë ose Petrola, siç i flisnim ndryshe…Petrua ishte një burrë i qetë, i kujdesshëm dhe shumë i dhënë pas familjes. Ata arritën të bëjnë një pasuri të madhe, me shumë mundime dhe vështirësi: Margaritën, Norën, Rinën dhe Marjanën, motra të lidhura me njëra tjetrën, model.
Bashkë me ta, në të njëjtën hyrje, që ndanin nga një dhomë dhe gjysmën e kuzhinës, jetonte edhe xha Xhemili dhe nënë Rezmaja, me origjinë nga fshatrat e Çamërisë. Hynin e dilnin në dhomën e tyre i gjithë fisi dhe krahina. Unë për herë të parë pashë tumane në jetën time… Edhe këta shumë fëmijë. I pari ishte Namiku, që akoma dhe sot mban gjallë bandën frymore të Sarandës. Pas Namikut vinte Vera, Tefta, Petriti dhe Niku. Njerëz të mrekullueshëm. Të dy familjet, Lloci dhe Xhaferi, jetonin në: “Dy dhoma, guzhinë dhe një banjë’’!
Mbi hyrjen tonë banonte xha Mufiti dhe nënë Fekua, prindërit e Shkëlqim Selmanit. Xha Mufiti kishte një trup të hollë e të gjatë. Me të ecurin e tij karakteristik, të jepte përshtypjen se mbartte me vete hallet e një kohe të shkuar. Pak më vonë në këtë familje lindi Gëzimi. Së bashku me ta, në dhomën tjetër dhe gjysmën e kuzhinës, jetonte Agllaia Kosta me burrin, Vangjel Boçarin. Sa herë do t’i hyje në dhomë, ajo do të jepte një ëmbëlsirë për ta marrë me vete, apo një lugë glikoje, të bërë me merak…Një grua e mençur dhe qibare. Edhe këta të gjithë kavërdiseshin në: “Dy dhoma një guzhinë dhe një banjë’’!
Përballë tyre ishte Hodo Duka ose Hodo Kripa, siç i thoshnim ne të vegjëlit, me nënë Saranë. Me ta, duke ndarë nga një dhomë dhe me nga një gjysëm kuzhine, jetonte edhe familja e Dhionis Nikës, me nënë Vasillon. Xha Dhionisi ishte një tip i shkathët dhe shumë i qetë. Kishte tiparet e një njeriu babaxhan. Ndërsa nënë Vasillua, një amvisë e përkryer. Kishin tre djem: më i madhi ishte i ndjeri Apostol, mësuesi dhe drejtuesi i “Hasan Tahsinit’’, i dyti ishte Thomai, që në atë periudhe studionte për gazetari dhe Teli, që është në një moshë me mua. Edhe këta, si gjithë të tjerët, në: “një dhomë gjysëm kuzhine dhe të njëjtën banjë”.
Pasi iku familja Nika, vendin e mori familja e Arqile dhe Ana Dhimës, që na shumuan miqësinë dhe vllazërinë tonë fëminore me tre të rinj: Nastën, Kostaqin dhe Gentën. Αrdhja kishte edhe një tjetër veçanti. I solli Jajasë sime një shoqe, gjyshe Pilen. Gjyshja ime, Parashqevia, Pilia dhe Teteja, gjyshja e Lizës dhe Beni Gugës, ishin të pandara dhe të papara…Të ishe nga ndonjë anë e të dëgjoje filxhanet e kafesë…Kishim fatin të rriteshim jo me një por me shumë gjyshe…
Pallati nuk kishte vetëm shkallën tonë. Kishte edhe katër shkallë të tjera, me shumë hyrje, me shumë familje, me shumë fëmijë, me shumë kujtime… Unë, për aq sa vite qëndrova, numëroj në memorien time të paktën mbi 90 fëmijë, motra dhe vëllezër të atyre familjeve….
Jetuam në një pallat të bekuar, ku fqinjët mbështesnin njëri-tjetrin në gëzime dhe në hidhërime. Jetuam varfërinë tonë, me dinjitet.
Gjithçka që kam jetuar në ato vite, po e mbyll në dritaren e kujtesës duke u bërë pjesë e pandarë në mendjen dhe në shpirtin tim. Në se nuk mund të harrosh e të nxjerrësh disa njerëz nga zemra dhe mendja jote, mos u mundo. Atje është vendi i tyre.
Kush do ta mendonte nga ne, që jetuam në “Dy dhoma, një kuzhinë dhe një banjë’’, të ndarë më dysh, të shiste sot në këtë pallat, një hyrje 100 mijë euro … !?
Dhe e veçanta, blerja erdhi nga vetë gjitonët, që u rritën me vështirësitë e kohës në realitetin “Dy dhoma një guzhinë dhe një banjë’’ të ‘’ndarë më dysh’’…!!!
Nostalgji,… apo kohët kanë ndryshuar?