Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, i dedikoi një mesazh prekës asaj çfarë ndodhi në Muzinë pasditen e së enjtes, ku nga një aksident fatal humbën jetën 5 persona.
Golemi ndalet veçanërisht te shoferi i furgonit, i ndjeri Bardhi Proda nga Saranda, të cilin, siç thotë, e ka patur të afërm.
Sipas njeriut nr. 1 të qytetit të gurtë, pak gjasë ka që Bardhi të ketë bërë gabim në ecje.
“Pa fjalë nga çfarë ndodhi sot në Muzinë, ku sa hap e mbyll sytë u këputën 5 jetë në një aksident tragjik.
Pesha e dhimbjes është e rëndë për këdo që dëgjon një lajm të kobshëm si ky.
Shumë më shumë për mua që humba të afërmin tim, Bardhin, shoferin fatkeq që e bënte atë rrugë për gati 20 vjet e kurrë nuk bëri një gabim në timon.
Hetimet do të zbardhin të vërtetën e ngjarjes, që me siguri do të harrohet si shumë të tjera. Por ajo që duhet përsëritur vazhdimisht e vazhdimisht nga të gjithë ne, është një apel i thjeshtë: Mos rrezikoni jetën tuaj kur jeni në timon dhe as të të tjerëve që kalojnë në rrugë.
Thirrini mendjes, qoftë me shpejtësinë, parakalimet e gabuara apo deri te përdorimi i celularit.
Ngushëllime familjes Proda, familjes Korçari dhe Fediaieva. Shërim të shpejtë edhe për vajzat që morën lëndime!”, shkruan Golemi. /sarandacity.al/